Clinton Drew "Clint" Dempsey (lindur më 9 mars 1983) është një ish futbollist profesionist amerikan i cili luante si sulmues ose mesfushor. Ai konsiderohet një nga lojtarët amerikan më të mirë të të gjitha kohërave,[3] duke qënë golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares amerikane me 57 gola sëbashku me Landon Donovan. Ai ka shpenzuar një pjesë të karrierës së tij në Angli, duke luajtur me Fulhamin dhe Tottenhamin; ai është golashënuesi më i mirë i Fulhamit në Premier Ligë me 50 gola.[4]
Dempsey u rrit në Nacogdoches të Teksasit dhe e nisi karrierën e tij futbollistik3 duke luajtur fillimisht ne Dallas Texans përpara se të bëhej pjesë e ekipit të futbollit të Universitetit Furman. Në vitin 2004, ai u transferua te New England Revolution si pjesë e drafit të Major League Soccer. Pas tre sezonesh, gjatë së cilës ai shënoi 25 gola në 71 ndeshje, Dempsey u transferua në Angli te Fulhami për 2 milion $. Me Fulhamin, ai ishte pjesë e rëndësishme e ekipit që arriti finalen e Ligës së Evropës në sezonin 2009–10 si dhe u emërua lojtari i vitit në sezonet 2010–11 dhe 2011–12. Gjatë kësaj kohe, ai vendosi disa rekorde për klubin.
Në vitin 2012, Dempsey u transferua te Tottenhami për 9.6 milion $, duke u bërë në atë kohë lojtari amerikan më i kushtueshëm. Ai shënoi 12 gola në sezonin e tij të vetëm në klub, duke u larguar nga Anglia si golashënuesi më i mirë amerikan në pesë ligat kryesore me 72 gola në të gjitha kompedicionet. Në vitin 2013, ai u rikthye në Major League Soccer te Seattle Sounders, duke luajtur për pesë vite. Ai luajti 115 ndeshje me klubin, duke fituar Supporters' Shield në vitin 2014. Në vitin 2016, ai u diagnostifikua me rrahje zemre të çrregullta, duke humbur triumfin e ekipit në Major League Soccer. Dempsey njoftoi tërheqjen nga futbolli në vitin 2018.
Dempsey luajti me ekipin nën-20 në FIFA Kupën e Botës për të rinjë në vitin 2003. Debutimi i tij me ekipin e parë erdhi nëntor 2004. Ai luajti gjithsej 140 ndeshje me ekipin kombëtar, duke qënë lojtari i katërt me më shumë ndeshje. Ai është golashënuesi më i mirë i ekipit kombëtar me 57 gola sëbashku me Landon Donovan. Gjatë kohës së tij me Shba-në, Dempsey fitoi tre edicione të Kupës Gold, arriti në finalen e Kupës së Konfederatave 2009 si dhe shënoi në të tre edicionet e FIFA Kupës së Botës që mori pjesë. Në vitin 2022, ai u bë pjesë e Hollit të Famës të futbollit amerikan.[5]
Dempsey ka lindur në Nacogdoches, Teksas dhe u rrit duke luajtur futboll me moshatarët e tij. Ai është me prejardhje irlandeze nga ana e babait të tij.[6] Vëllai i tij i madh Ryan ka qënë pjesë e Dallas Texans, një klub elitë i të rinjëve. Dallas Texans më pas të merrnin edhe Clint në ekipin e tyre pasi e panë duke luajtur në lagjen e tij.[7] Dempsey u bë një lojtar i rëndësishëm në ekil që në moshën e tetë vjeç, por ai u largua më pas nga ekipi për shkak të vështirësive ekonomike të familjes së tij, të cilët investuan te motra e tij Jennifer, e cila u bë teniste.[8] Megjithatë, disa nga prindërit e shokëve të tij të skuadrës pranuan t'a ndihmonin atë duke i paguar shpenzimet e udhëtimeve, duke i lejuar atij t'i ribashkohej klubit.
Më 27 nëntor 1995, motra 16 vjeçare e Dempsey ndërroi jetë për shkak të një aneurizmë nē tru. Ai e përjetoi keq vdekjes e saj por më vonë shpjegoi se kjo ngjarje e motivoi atë për të vazhduar karrierën e futbollit në nder të motrës së tij.[9]
Dempsey u bë kapiten dhe golashënuesi më i mirë i Dallas Texans, duke u shpallur lojtari më i mirë i ekipit. Gjatë kësaj kohe, ai studioi lojën e kombëtares argjentinase, më saktë të Diego Maradonës. Ai u trishtua shumë kur mori vesh lajmin se Maradona nuk do të luante në Kupën e Botës 1994.[10] Ai ndoqi Universitetin Furman për degën e fiskulturës.
Dempsey u zgjodh nga New England Revolution në draftin e Major League Soccer në vitin 2004. Në sezonin e tij debutues, ai luajti si titullar në 23 nga 24 ndeshjet që u aktivizua, duke shënuar 7 gola. Ai ndihmoi ekipin të arrinte finalen e Konferencës së lindjes dhe në përfundim të sezonit u nderua me çmimin Talenti i Vitit i Major League Soccer. Në sezonin e ardhshëm, ai shënoi 10 gola dhe 9 asiste në 26 ndeshje. New England Revolution arriti sërisht në finalen e konferencës lindore; në finalen kundër Chicago Fire, ai shënoi në minutën e 4të të ndeshjes dhe i dha ekipit fitoren 1–0 dhe kualifikimin për Kupën MLS.[11]
Në sezonin 2006, Dempsey shënoi 8 gola por humbi disa ndeshje të rëndësishme në fazën play-off për shkak dëmtimi. Në finalen e Kupës MLS, ai hyri si zëvëndësues por New England Revolution u mposht nga gjuajtjet e penalltive, duke humbur finalen për të dytin vit rresht.[12]
Në dhjetor 2006, klubi anglez Fulham i ofroi New England Revolution 4 milion $ për kartonin e Dempsey. Kjo ishte oferta më e lartë për një lojtar amerikan që luan në Major League Soccer, e cila u pranua nga New England. Dempsey u bë amerikani i tretë që do të luante me Fulhamin pas Brian McBride dhe Carlos Bocanegra.[13][14]
Më 11 janar 2007, Dempsey mbërriti në Angli dhe firmosi një kontratë disavjeçare me klubin.[15] Rroga e tij u raportua të ishte 2 milion £, duke u bërë amerikani më i paguar në Premier Ligë.[16] Dempsey debutoi zyrtarisht me klubin më 20 janar në barazimin 1–1 kundër Tottenhamit në kampionat.[17] Shtatë ditë më pas, ai luajti ndeshjen e parë në FA Cup në fitoren 3–0 në shtëpi kundër Stoke Cityt.[18]
Dempsey shënoi golin e parë me Fulhamin më 5 maj në fitoren minimale 1–0 kundër Liverpoolit.[19] Ky gol ishte vendimtar pasi i siguroi ekipit qëndrimin në Premier Ligë për sezonin e ardhshëm.[20]
Dempsey e nisi sezonin e ri si zëvëndësues, duke i nisur nga stoli tre ndeshjet e para të sezonit 2007–08. Megjithatë, një dëmtim i McBride bëri ai të luante titullar kundër Aston Villës, duke shënuar golin e vetëm të ekipit të tij në humbjen 2–1 në Villa Park.[21] Ai shënoi edhe në barazimin 3–3 kundër Tottenhamit në ndeshjen e rradhës si dhe në barazimin 1–1 kundër Wigan Athletic, duke regjistruar tre gola në tre ndeshje si titullar.[22][23]
Më 29 shtator, Demspey u përfshi në një përplasje ajërore me John Terryn në barazimin pa gola kundër Çelsit në Stamford Bridge, gjë që solli zëvëndësimin e mbrojtësit.[24] Disa sygjeruan se Dempsey e ngriti brrylin në ajër qëllimisht,[25] megjithatë ai nuk u ndëshkua me karton dhe gjyqtari Martin Atkinson nuk e raportoi në federatë këtë incident.[26]
Më 3 nëntor, Dempsey shënoi gjatë fitores 3–1 në shtëpi kundër Reading, duke ndihmuar ekipin të merrte fitoren e dytë sezonale.[27] Golat e tij të fundit për këtë sezon erdhën respektivisht në barazimin 1–1 kundër Wigan Athletic dhe humbjen 5–1 kundër Tottenhamit në dhjetor.[28][29] Pavarësisht sezonit të vështirë, ekipi e siguroi mbijetesën sërisht duke fituar kundër Portsmouthit në javën e fundit.[30] Pas mbarimit të sezonit, Fulham njoftoi se Dempsey kishte rinovuar me klubin deri në vitin 2010.[31] Ai e mbylli sezonin si golashënuesi më i mirë i ekipit në Premier Ligë me 6 gola.[32]
Dempsey luajti vetëm një ndeshje si titullar në 11 ndeshjet e para të të sezonit 2008–09 dhe shënoi golin e parë më 26 tetor në barazimin në transfertë kundër Portsmouth pasi hyri në fushë si zëvëndësues.[33] Më 20 djjetor, ai shënoi një nga tre golat e fitores kundër Middlesbrough pasi u aktivizua si zëvëndësues në vend të hungarezit Zoltan Gera.[34] Tetë ditë më vonë, ai shënoi një dygolësh në barazimin 2–2 në derbin e Londrës kundër Çelsit; goli i tij i dytë erdhi në minutën e fundit të ndeshjes.[35]
Më 24 shkurt 2009, Dempsey shënoi golin e parë të karrierës në FA Cup në fitoren 2–1 në shtëpi kundër Swansea City në raundin e pestë të këtij kompeticioni.[36] Goli i fundit në shtëpi për sezonin 2008–09 erdhi në humbjen 2–1 kundër Blackburn Rovers më 11 mars.[37] Më 12 prill, Dempsey shënoi një dopietë në fitoren 3–1 me përmbysje kundër Manchester Cityt.[38] Ai e mbylli sezonin sërisht si golashënuesi më i mirë i ekipit, sëbashku me Andrew Johnson, duke shënuar 7 gola.[39] Fulham u përmirësua ndjeshëm këtë sezon, duke e mbyllur kampionatin në vendin e 7të, e cila ishte pozicioni më i lartë në Premier Ligë në historinë e tyre. Ky pozicion i siguroi kualifikimin në UEFA Ligën e Evropës për sezonin e ardhshëm.[40]
Më 13 gusht 2009, Dempsey rinovoi kontratën e tij me klubin deri në qershor 2013.[41] Ai e nisi sezonin e ri më 20 gusht duke shënuar në fitoren 3–1 kundër Amkar Perm në fazën play-off të Ligës së Evropës; ky ishte goli i tij i parë në kompeticionet evropiane.[42] Në janar 2010, ai pësoi një dëmtim në ligamentin e gjurit të majtë në humbjen 2–0 në transfertë kundër Blackburn Rovers, duke qëndruar jashtë fushave për dy muaj.[43]
Dempsey u rikthye në aksion më 11 mars duke u aktivizuar në minutat e fundit të humbjes 3–1 kundër Juventusit në ndeshjen e parë të raundit të 16-tave të Ligës së Evropës.[44] Në ndeshjen e kthimit shtatë ditë më pas, ai u aktivizua sërisht si zëvëndësues dhe shënoi golin e katërt të fitores 4–1 në shtëpi, duke ndihmuar Fulhamin të arrinte një kualifikim historik në çerek-finale.[45] Goli i tij, një parrabël nga jashtë zonë që përfundoi në trekëndësh, u etiketua si "goli më i famshëm në historinë e Fulhamit" nga gazeta The Guardian.[46]
Fulham arriti deri në finalen e Ligës së Evropës, aty ku u përball me klubin spanjoll Atlético Madrid. Dempsey u bë lojtari i parë amerikan që luan në një finale të një kompedicioni europian.[47] Ai u aktivizua si zëvëndësues në minutën e 55të në vend të Bobby Zamoras, pa mundur të shmangte humbjen 2–1 pas kohës shtesë. Performancat e tij u lavdëruan gjerësisht gjatë këtij sezoni, veçanërisht nga gazeta prestigjoze italiane La Gazzetta dello Sport dhe uebfaqja sportive SoccerOverThere.com.[48][49]
Dempsey pati një nisje të ngadaltë të sezonit të ri, duke qënë rezervë në dy ndeshjet e para, por e fitoi shpejtë vendin e titullarit. Ai shënoi golin e parë të sezonit në barazimin 1–1 kundër Blackburn Rovers në Ewood Park, me Fulhamin që vazhdoi sezonin pa humbje.[50] Ai vazhdoi formën e tij pozitive gjatë pjesës së parë të sezonit, duke shënuar në barazimin kundër West Ham United dhe dy gola në fitoren kundër Wigan Athletic.[51][52][53]
Dempsey vazhdoi të ishte protagonist në gjysmën e dytë të sezonit, duke ndihmuar ekipin me golat e tij.[54] Më 19 mars, ai shënoi në humbjen 2–1 kundër Evertonit, duke u bërë amerikani i parë që shënon 10 gola në një sezon të Premier Ligës.[55] Ai theu rekordin e McBride, i cili kishte shënuar 9 gola në sezonet 2005–06 dhe 2006–07. Pas kësaj, ai shënoi një dygolësh në suksesin 3–0 kundër Boltonit, duke arritur në kuotën e 33 golave në Premier Ligë, shifër që e bëri atë lojtarin me më shumë gola në këtë kompeticion për klubin, duke thyer rekodin e McBride dhe Steed Malbranque.[56] Ai e mbylli sezonin sërisht si golashënuesi në i mirë i ekipit si dhe u votua Lojtari i Sezonit nga tifozët e klubit.[57]
Dempsey shënoi golat e parë të sezonit 2011–12 në fitoren 3–0 kundër Dnipro Dnipropetrovsk në ndeshjen e parë të fazës play-off të Ligës së Evropës.[58] Pavarësisht një humbje minimale në ndeshjen e kthimit, Fulham u kualifikua në fazën e grupeve. Në kampionat, ai shënoi vetëm 6 gola në fazën e parë, përfshirë golin e fitores kundër Liverpoolit në Craven Cottage më 5 dhjetor,[59] që e bëri atë golashënuesin amerikan më të mirë në Premier Ligë, duke thyer një tjetër rekord të McBride.[60]
Më 7 janar 2012, Dempsey shënoi tregolëshin e parë në karrierë në suksesin 4–0 kundër Charlton Athletic në raundin e tretë të FA Cup.[61] Ai u bë amerikani i dytë pas Chris Cleary që shënon një tregolësh në këtë kompeticion.[62][63] Dy javë më pas, ai shënoi një tregolësh në fitoren 5–2 kundër Newcastle United, duke arritur në kuotën e 9 golave sezonal në kampionat.[64] Ai u bë amerikani i parë që shënon tre gola në një ndeshje në Premier Ligë.[65] Ai shënoi edhe në ndeshjen e rradhës kundër West Brom, e cila u mbyll në barazim 1–1, duke arritur në shifrën e 16 golave në të gjitha kompeticionet.[66]
Forma e tij pozitive shtyu drejtuesit e klubit të negocionin për rinovimin e kontratës me tre vite, një lajm që u konfirmua nga trajneri Martin Jol.[67] Më 7 prill, ai shënoi një dopietë në fitoren 3–0 në transfertë kundër Boltonit;[68] ai arriti në kuotën e 15 golave, duke vendosur një rekord të ri për numrin e golave të shënuar në një sezon në Premier Ligë për klubin.[69] Në ndeshjen e javës së 38të të kampionatit, Demspey shënoi me goditje dënimi në fitoren 2–1 kundër Sunderlandit, duke arritur në kuotën e 50 golave në Premier Ligë.[70] Pas përfundimit të sezonit, ai u emërua si kandidat për çmimin FWA Futbollisti i Vitit, duke u renditur në vendin e katërt.[71] Pas kësaj, ai u shpall lojtari i sezonit i klubit për të dytin vit rresht.[72] Pavarësisht negociatave për një marrëveshje të re, Demspey konfirmoi largimin e tij nga klubi në gusht.[73]
Më 31 gusht 2012, Tottenhami njoftoi transferimin e Dempsey në White Hart Lane në një marrëveshje tre-vjeçare për 9 milion $.[74] Kjo marrëveshje e bëri atë lojtarin amerikan më të paguar në histori. Dempsey zgjodhi fanellën me numrin 2, një numër jo i zakonshëm për një sulmues, për shkak se numri 23 dhe 8 ishin të zënë.[75]
Dempsey shënoi golin e parë me ekipin më 29 shtator në fitoren 3–2 në transfertë kundër Manchester United. Kjo ishte fitorja e parë në Old Trafford për Tottenhamin pas 39 vitesh.[76] Pas kësaj, ai shënoi në fitoren 2–1 në transfertë kundër Southamptonit në transfertë. Në FA Cup, ai shënoi një dopietë në fitoren kundër Coventry City në raundin e tretë.[77]
Më 20 janar 2013, në ndeshjen e kthimit kundër Manchester United, Dempsey ishte sërisht protagonist duke shënuar në minutën e 93të për t'i dhënë ekipit barazimin 1–1 në shtëpi.[78] Ai shënoi dy golat e tij të parë në Ligën e Evropës në ndeshjen e dytë çerek-finale kundër Baselit, megjithatë, Tottenhami u eliminua me penallti. Më 21 prill, Dempsey shënoi në fitoren 3–1 kundër Manchester Cityt, duke e mbajtur ekipin në garë për zonën e Ligës së Kampioneve. Ai e mbylli sezonin e vetëm me klubin duke shënuar 12 gola në 43 ndeshje në të gjitha kompedicionet.
Më 3 gusht 2013, Dempsey firmosi një kontratë katër-vjeçare me Seattle Sounders, duke u rikthyer në Major League Soccer.[79] Ai zgjodhi sërisht fanellën me numrin 2, duke bërë që DeAndre Yedlin të merrte numrin 17.
Dempsey debutoi me klubin më 10 gusht në fitoren 2–1 Torontos, duke u aktivizuar si zëvëndësues në minutën e 34të në vend të të dëmtuarit Obafemi Martins.[80] Ai shënoi golin e parë me klubin më 27 tetor në ndeshjen e fundit të sezonit kundër Los Angeles Galaxy që u mbyll në barazim 1–1.[81]
Më 24 dhjetor 2013, Dempsey rifirmosi me Fulhamin në formë huazimi për dy muaj.[82] Ai bëri rikthimin e tij më 4 janar 2014 në ndeshjen e raundit të tretë të FA Cup kundër Norwich Cityt. Dempsey luajti në të gjithë ndeshjen e cila u mbyll në barazimin 1–1, si dhe luajti në fitoren 3–0 në përsëritjen e ndeshjes në Craven Cottage.[83]
Pasi nuk u bë asnjë njoftim nga Fulhami, Dempsey u rikthye te Sounders dhe ishte pjesë e ekipit për ndeshjen e rradhës në kampionat kundër Sporting Kansas City më 10 mars 2014. Ai shënoi një tregolësh në barazimin 4–4 kundër Portland Timbers më 5 prill.[84] Ai më pas shënoi dy gola në ndeshjen e rradhës kundër Dallasit, duke i dhënë ekipit fitoren 3–2.[85] Ai shënoi një tjetër dopietë në fitoren 4–1 kundër Colorado Rapids, duke arritur në kuotën e tetë golave në pesë ndeshjet e para të sezonit 2014.[86]
Dempsey luajti për herë të parë me kombëtaren amerikane në FIFA Kupën e Botës për të rinjë 2003 që u mbajt në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai u aktivizua për herë të parë me kombëtaren e të rriturve më 17 nëntor 2004 në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës 2006 kundër Xhamajkës, duke hyrë si zëvëndësues në minutën e 67të në vend të Ramiro Corrales.[87]
Dempsey vendosej shpesh si sulmues për shkak të golave që shënonte dhe gjuajtjeve me kokë, edhe pse roli i tij i preferuar ishte në mesfushë.[88] Më 28 maj 2005, ai shënoi golin e parë ndërkombëtar në humbjen 2–1 në miqësoren kundër Anglisë në Chicago.[89] Pas kësaj, ai u thirr të luante në Kupën Gold, ku Shba triumfoi për herë të 3të në histori. Gjatë turnamentit, ai shënoi në fitoren 4–1 me përmbysje kundër Kubës në fazën e grupeve.[90]
Më 2 maj 2006, Dempsey ishte në listën e skuadrës që u thirr për të luajtur në Kupën e Botës 2006 që u zhvillua në Gjermani. Ai ishte amerikani i vetëm që shënoi gol në atë turnament,[91] duke e arritur këtë gjë në humbjen 2–1 kundër Ganës në fazën e grupeve. Ai u nderua me çmimin Honda Lojtari i Vitit, e cila është çmimi më i madh i futbollit amerikan.[92]
Dempsey e nisi fushatën kualifikuese të Kupës së Botës 2010 duke shënuar në fitoren rekord 8–0 kundër Barbadosit. Goli, i shënuar në sekondën e 53të, ishte më i shpejti në historinë e ekipit kombëtar. Pas kësaj, ai pësoi një rënje në formë që vendosi në dyshim vendin e tij në formacionin titullar. Megjithatë, ai pati një rritje masive në Kupën e Konfederatave 2009. Në ndeshjen e tretë në grup, Dempsey shënoi me kokë pas një krosimi të Jonathan Spector, duke i dhënë ekipit fitoren 3–0.[93] Kjo fitore, e kombinuar edhe me fitoren 3–0 të Brazilit 3–0 kundër Italisë, i hapi rrugë kualifikimit të Shba-së në gjysëm-finale. Në gjysëm-finalen kundër Spanjës, Dempsey shënoi golin e dytë të fitores historike 2–0 ndaj La Rojas.[94] Ai u shpall lojtari i ndeshjes dhe kjo ishte humbja e parë e Spanjës pas 35 ndeshjesh rresht. Në finale kundër Brazilit, Dempsey shënoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 10të. Pavarësisht se e mbylli pjesën e parë në avantazh të dy golave, Shba-ja u mposht me rezultatin 3–2.[95] Dempsey u nderua me çmimin "Topi i Bronztë" si lojtari i tretë më i mirë i turnamentit.[96][97]
Dempsey e mbylli fushatën kualifikuese të Kupës së Botës 2010 me 5 gola në 13 ndeshje, duke qënë golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit sëbashku me Donovan. Në maj 2010, ai u thirr në finalet e turnamentit nga trajneri Bob Bradley. Në ndeshjen hapëse të grupit kundër Anglisë, Dempsey shënoi në minutën e 26të pas një gabimi të portierit Robert Green, duke u bërë amerikani i parë në histori që shënon në dy edicione të Kupës së Botës. Në ndeshjen e tretë të grupit kundër Algjerisë, atij i'u anullua një gol gabimisht nga gjyqtari anësor. Pavarësisht kësaj, Shba-ja fitoi falë një goli në minutën e 93të nga Donovan, duke u kualifikuar në fazën me eliminim direkt.[98]
Në Kupën Gold 2011, Dempsey ishte një lojtar kyç i ekipit që arriti sërisht në finalen e kompeticionit. Në fazën e grupeve, ai shënoi një gol në fitoren 2–0 kundër Kanadasë kurse në çerek–finale shënoi një në fitoren 2–0 kundër Xhamajkës. Në gjysmë–finalen kundër Panamasë, ekip që në grup fitoi kundër Shba-së, Dempsey shënoi golin e fitores minimale 1–0 që kualifikoi ekipin në finale.[99]
Më 29 shkurt 2012, Dempsey shënoi golin e vetëm të ndeshjes miqësore kundër Italisë në Xhenova, duke i dhënë Shba-së fitoren e parë historike kundër tyre.[100]
Dempsey theu rekodin e tij për golin më të shpejtë në historinë e ekipit kombëtar duke shënuar në sekondën e 39të të humbjes 2–1 kundër Xhamajkës në kualifikueset e Kupës së Botës 2014. Në ndeshjen e rradhës kundër Guatemalës, Dempsey shënoi një dopietë duke arritur në kuotën e 30 golave me ekipin kombëtar, gjë që e bëri atë golashënuesin e tretë më të mirë të Shba-së krah McBride. Këto gola ndihmuan ekipin të kualifikohej në fazën finale kualifikuese të Kupës së Botës 2014.
Më mars 2013, Dempsey u emërua kapiten për ndeshjet e rradhës kualifikuese kundër Kosta Rikës dhe Meksikës, një vendim i marrë nga trajneri Jürgen Klinsmann. Më 2 qershor, ai shënoi një dygolësh në fitoren 4–3 në miqësoren kundër Gjermanisë,[101] duke kaluar Eric Wynalda ai golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit kombëtar me 35 gola.
Në maj 2014, Dempsey u emërua kapiten i ekipit me 23 lojtarë që do të luanin në Kupën e Botës 2014. Në ndeshjen hapëse të grupit, ai shënoi në sekondën e 29të kundër Ganës duke i dhënë Shba-së një fitore 2–1.[102] Me këtë gol, Dempsey vendosi disa rekorde: ky ishte goli më i shpejtë në historinë e kombëtares amerikane, goli i 5të më i shpejtë në historinë e Kupës së Botës si dhe ai u bë amerikani i parë që shënon në tre edicione të këtij kompeticioni.[103] Në ndeshjen e dytë kundër Portugalisë, Dempsey shënoi në minutën e 81të duke dhënë ekipit një avantazh të përkohshëm por Portugalia barazoi në momentet e fundit, me ndeshjen që u mbyll me rezultatin 2–2.[104] Pas një humbje kundër Gjermanisë në ndeshjen e fundit, Shba-ja u kualifikua në fazën me eliminim direkt.[105]
Dempsey ishte një mesfushor këmbë-djathtë i talentuar i cili mund të luante në disa pozicione.[106] Në mesfushë, ai mund të luante në qëndër ose në të majtë. Ai zotëronte një gjuajte të fuqishme dhe të saktë nga distanca, duke shënuar në shumë raste.[107] Mesatarja e tij e shënimit ishte më e lartë kur luante në pozicione sulmuese;[108] ai u aktivizua si qëndër-sulmues nga trajneri Bob Bradley në Kupën e Konfederatave 2009, duke shënuar gola vendimtar kundër Egjiptit dhe Spanjës.[88]
Dempsey njihej për rezistencën dhe forcën fizike, duke luajtur në disa raste i dëmtuar.[109] Në vitin 2004, ai theu nofullën duke luajtur me New England Revolution kurse në një rast tjetër luajti me kyç të ndrydhur. Ai gjithashtu njihej si një lojtar i rrezikshëm dhe i fuqishëm në duelet ajërore.
Pavarësisht talentit dhe teknikës, Dempsey njihej si një lojtar agresiv në fushë. Në vitin 2006, ai u pezullua për dy javë nga New England Revolution për shkak të një zënke me shokun e ekipit Joe Franchino gjatë një seance stërvitore. Ai është pezulluar edhe në raste të tjera për sjellje të dhunshme, përfshirë rastin kur ai goditi me brryl shokun e ekipit kombëtar Jimmy Conrad. Në vitin 2007, ai theu mollzën e kapitenit të Çelsit, John Terry, gjatë një ndeshje kampionati, por nuk u pezullua për këtë gjë.[110] Një tjetër incident i ngjashëm ndodhi në dhjetor 2011, në ndeshjen kundër Manchester United, me Dempsey i cili dëmtoi kokën e mbrojtësit Phil Jones duke shkaktuar idenë e një tjetër mollze të thyer. Gjyqtari nuk mori asnjë vendim.[111]
Dempsey është i martuar me Bethany Keegan Dempsey.[112] Ata kanë tre fëmijë, dy vajza, Elyse dhe Sophia dhe një djal me emrin Jackson. Në kohën e tij të lirë ai praktikon peshkimin.[113]
Dempsey është katolik.[114] Ai ka folur për këtë gjë duke thënë: Unë luaj me më të mirën e aftësive të mia dhe jam mirënjohës për mundësitë e shumta dhe suksesin e mrekullueshëm që Zoti më ka dhënë. Mes të gjithave, unë dua të bëj gjëra të drejta, jo gabime, dhe dua të jetojnë një jetë që i pëlqen atij".[115]
Një nga pasionet e tjera të Dempsey përveç futbollit është muzika hip hop. Duke përdorur pseudonimin "Deuce", ai, sëbashku me shokët e Teksasit, reperët XO, kanë marrë pjesë në këngën "Don't Tread" në një fushatë reklamuese futbollistike të Nike për Kupën e Botës 2006 me qëllim që të shfaqë rrënjët e punës së klasës së sportit dhe ekipit të Shba-së përpara nisjes së turnamentit.[116] Video e këngës i është dedikuar motrës së tij Jennifer, e cila në moshën 16 vjeçare ndërroi nga një sëmundje fatale në tru. Me kërkesë të Dempsey, video përfundon me të që i vendos një lule në varrin e saj.
Burimi: [117][118]
Burimi: [119]