*Ndeshjet dhe golat me klubet llogariten vetëm për ligën vendase – redaktuar më 25 maj 2024 ‡ Ndeshjet dhe golat me ekipin kombëtar të redaktuar më 24 mars 2024
Pulisic lindi në Hershey, Pennsylvania të Shba-së, dhe filloi karrierën e tij si profesionist në Gjermani me Borussia Dortmund në vitin 2015, ku ai fillimisht u vendos në ekipin e të rinjëve. Pas vetëm 15 ndeshjesh, ai u ngjit në ekipin e parë në vitin 2016 kur ai ishte vetëm 17 vjeç.[8] Ai luajti pak në sezonin e tij të parë në ekipin e parë, por paraqitjet e tij u rritën shumë në sezonin e ardhshëm, ku ai ishte një lojtar i rëndësishëm në ekipin e Dortmundit që fitoi kupën në sezonin 2016–17.[9] Në janar 2019, ai u transferua te Çelsi për 73 milion $ (57.6 milion £) duke u bërë lojtari Amerikan Verior më i shtrenjtë i të gjitha kohërave.[10] Ai filloi të luante për ekipin nga fillimi i sezonit 2019–20, duke u nominuar për edicionin e parë të çmimit "Lojtari i Ri i Sezonit në Premier Ligë".[11]
Pulisic bëri debutimin e tij me Shtetet e Bashkuara në mars 2016 në moshën 17 vjeç. Që nga ajo kohë ai ka luajtur 34 ndeshje dhe ka shënuar 14 gola. Ai është lojtari më i ri ka luajtur si kapiten për Shba-në.[12] Pulisic ndihmoi ekipin të arrinte në finalen e CONCACAF Kupës Gold 2019; në aspektin personal, ai ka fituar një çmimin "Atleti i Ri i Vitit i Futbollit Amerikan" dhe dy herë çmimin "Atleti i Vitit i Futbollit Amerikan".
Jeta e hershme
Pulisic ka lindur në Hershey, Pennsylvania, ku kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij. Prindërit e tij, Kelley dhe Mark Pulisic, të dy luajtën futboll në Universitetin George Mason, me Mark i cili gjithashtu luajti futsallë si profesionist për klubin Harrisburg Heat në vitet 1990' si dhe më pas u bë trajner, duke drejtuar klube në nivel të rinjsh dhe profesional.[13]
Kur ishte 7 vjeç, Pulisic jetoi një vit në Angli, duke luajtur me të rinjtë e Brackley Town.[4] Kur babai i tij ishte drejtori i përgjithshëm i klubit të futsallës Detroit Ignition në mesin e viteve 2000', Pulisic jetonte në Michigan dhe luante për Michigan Rush. Gjatë kohës së tij atje, Pulisic ndiqte shkollën fillore Workman.[14] Pasi familja e tij u rikthye në zonën Hershey, Pulisic u rrit duke luajtur me klubin e Akademisë së Zhvillimit të Futbollit Amerikan, PA Classics, dhe në disa raste u stërvit me klubin profesionist lokal Harrisburg City Islanders, që tani njihet si Penn FC.
Karriera me klube
Borussia Dortmund
Në shkurt 2015, Borussia Dortmund bleu 16 vjeçarin Pulisic dhe e vendosi fillimisht në ekipin nën-17, kurse në verën e atij viti ai kaloi te ekipi nën-19. Pasi regjistroi 10 gola dhe 8 asiste në 15 ndeshje me ekipet e të rinjëve,[15] Pulisic u thirr në ekipin e parë gjatë pushimeve dimërore.[16]
2015–2016: Sezoni i parë
Në janar 2016, gjatë kohës që ishte me ekipin e parë në pushimet dimërore, Pulisic luajti në pjesën e dytë të dy ndeshjeve miqësore, duke shënuar dhe asistuar nga një herë.[17] Më 24 janar, një ditë pasi ishte përfshirë për herë të parë me ekipin e parë në një ndeshje, Pulisic luajti 90 minuta të plota në miqësoren kundër Union Berlin, duke shënuar dhe asistuar sërisht.[18] Ai bëri debutimin e tij në Bundesligë më 30 janar në fitoren 2–0 kundër FC Ingolstadt, duke u aktivizuar si zëvëndësues në pjesën e dytë në vend të Adrián Ramos.[19] Më 18 shkurt, ai debutoi në UEFA Ligën e Evropës, duke u aktivizuar sërisht si zëvëndësues në një fitore 2–0 kundër Portos.[20]
Pulisic luajti si titullar për herë të parë në Bundesligë më 21 shkurt kundr Bayer Leverkusen, para se të zëvëndësohej nga Marco Reus. Ndeshja e tij e dytë si titullar erdhi më 10 prill kundër FC Schalke 04 në Revierderby, ku ai luajti 73 minuta para se ti bënte vend İlkay Gündoğan. I pyetur për performancën e Pulisic kundër Schalkes, trajneri i ekipit Thomas Tuchel tha, "Ai është një i ri në vitin e tij të parë si futbollist profesionist. Dy ndeshjet e tij të para në formacionin titullar ishin në Leverkusen dhe këtu sot në Schalke – jo detyrat më të lehta. Kjo tregon vlerësimin tonë të madh që ne e shohim atë si një lojtar me kohë të plotë në ekipin tonë. Ai ishte një zëvendësim i vlefshëm kundër Werder Bremen dhe Liverpool. Ai është dukur shumë mirë kohët e fundit, gjë që është vërtetuar edhe sot. Është plotësisht normale që ai nuk mund të luante me këtë ritëm dhe këtë intensitet për 90 minuta".[21]
Pulisic regjistroi golin e parë në Bundesligë më 17 prill, duke shënuar të parin e fitores 3–0 kundër Hamburger SV. Ky gol e bëri atë lojtari më të ri jo-gjerman dhe të katërtin më të ri që shënon në Bundesligë, në moshën 17 vjeç e 212 ditë.[22] Ai shënoi sërisht një javë më pas kundër VfB Stuttgart, duke u bërë lojtari më i ri me dy gola në Bundesligë. Ai gjithashtu mori kartonin e verdhë të parë si profesionist për një ndërhyrje të gabuar ndaj Emiliano Insúa.[23]
2016–2019: Fitorja e DFB-Pokal dhe largimi
Gjatë International Champions Cup 2016, një turnament veror para-sezonal, Pulisic shënoi në kohën shtesë kundër Manchester Cityt për ta dërguar ndeshjen në gjuajtet e penalltive.[24] Në ndeshjen e tij të parë zyrtare në sezonin e tij të dytë, Pulisic u bë lojtari më i ri në historinë e Dortmundit që luan në UEFA Ligën e Kampioneve.[25] Në javën e ardhshme ai regjistroi golin e parë të sezonit si dhe asistoi dy herë në fitoren tenistike 6–0 kundër Darmstadt 98,[26] një ditë para ditëlindjes së tij të 18të.
Më 27 shtator, në ndeshjen e fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve kundër Real Madridit, kur Dortmundit ishte në disavantazh 2–1, Pulisic hyri si zëvëndësues dhe asistoi golin e barazimit të shënuar nga André Schürrle në minutat e fundit të ndeshjes.[27] Rreth një muaj më pas, në një tjetër ndeshje i aktivizuar si zëvëndësues, Pulisic asistoi golin e barazimit dhe më pas shënoi vetë kundër FC Ingolstadt, e cila renditej në vendin e fundit, për ti dhënë ekipit fitoren 3–1.[28] Më 23 janar 2017, Pulisic firmosi një kontratë të re me klubin deri në vitin 2020.[29][30] Dy muaj më pas, Pulisic regjistroi golin e tij të parë në Ligën e Kampioneve në fitoren komode 4–0 kundër ekipit portugez Benfica në ndeshjen e parë të raundin e 16-tave, duke u bërë lojtari më i ri që shënon për Dortmundin në këtë kompeticion, në moshën 18 vjeç, 5 muaj e 18 ditë.[31] Në këtë ndeshje, ai asistoi një nga golat e Pierre-Emerick Aubameyang, duke ndihmuar Dortmundin të kualifikohej në çerek-finale me rezultatin e përgjithshëm 4–1.[32]
Pulisic fitoi trofeun e parë si futbollist profesionist më 27 maj pas fitores 2–1 të Dortmundit kundër Eintracht Frankfurt në finalen e DFB-Pokal.[33] Kjo ishte ndeshja e fundit për sezonit 2016–17. Sezoni i ri nisi zyrtarisht më 5 gusht me nedshjen e DFL-Supercup kundër Bayern München, ku Pulisic shënoi një nga dy golat e ekipit të tij që u mposht nga gjuatjet e penalltive pasi koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim 2–2.[34]
Chelsea
Më 2 janar 2019, Pulisic firmosi me klubin e Premier Ligës Çelsi për rreth 58 milion £. Ai e shpenzoi pjesën e mbetur të sezonit 2018–19 në huazim te Dortmundi si pjesë e marrëveshjes.[35] Ky transferim e bëri atë lojtarin amerikan më të shtrenjtë në histori si dhe shitjen e dytë më të shtrenjtë në historinë e Dortmundit, pas francezit Ousmane Dembélé.[36] Pasi mbërriti në klub në verën e vitit 2019, Pulisic foli për dëshirën e tij për të pasur formën e Eden Hazard dhe e konsideroi yllin belg si idhullin e tij në futboll.[37]
Mediat raportuan se Pulisic kishte planifikuar të shkurtonte pushimet e tij verore për tu bashkuar me ekipin në fazën para-sezonale për ti lënë mbresa trajnerit të ri të ekipit Frank Lampard.[38] Ai bëri debutimin e tij në Premier Ligë më 11 gusht në humbjen 4–0 kundër Manchester United.[39] Pulisic regjistroi golat e tij të parë me Çelsi më 26 tetor, duke shënuar një tregolësh "të përkryer" në një fitore 4–2 në transfertë kundër Burnley. Ky ishte tregolëshi i parë në karrierë për të, që e bëri lojtarin e dytë amerikan që shënon tre gola në një ndeshje të Premier Ligës pas Clint Dempsey për Fulhamin në vitin 2012;[40][41] përveç kësaj, ai u bë lojtari më i ri i Çelsit që shënon tre gola në një ndeshje, duke qënë vetëm 21 vjeç, dhe i parë që nga Didier Drogba në vitin 2010 që shënon një tregolësh të përkryer.[42] Pas kësaj, Pulisic shënoi në dy ndeshjet e rradhës në kampionat, respektivisht kundër Watford dhe Crystal Palace.[43][44] Më 27 nëntor, ai shënoi golin e parë në Ligën e Kampioneve për Çelsin në barazimin 2–2 në transfertë kundër Valencias në fazën e grupeve.[45]
Kur Premier Liga u rikthye pas një ndalese tre mujore për shkak të pandemisë së COVID-19, Pulisic ishte rikthye nga një dëmtim; në ndeshjen e parë të Çelsit pas rifillimit të kampionatit, ai shënoi golin e barazimit të përkohshëm në një fitore 2–1 kundër Aston Villës më 21 qershor.[46] Në ndeshjen e rradhës kundër Manchester Cityt, Pulisic shënoi golin e parë të fitores 2–1 të Çelsit; ky rezultat i hoqi mundësinë Cityt të fitonte titullin konfirmoi Liverpoolin si fituesit e kampionatit.[47] Më 1 gusht, Pulisic shënoi golin e avantazhit të përkohshëm të Çelsit në humbjen 2–1 kundër Arsenalit në finalen e Kupës FA; me këtë gol, ai u bë amerikani i parë që shënon në finalen e këtij kompeticioni. Ai u zëvëndësua në pjesën e dytë pasi pësoi një dëmtim në kofshë.[48] Pas përfundimit të sezonit, Pulisic ishte një nga të nominuarit për edicionin e parë të çmimit Lojtari më i Ri i Sezonit në Premier Ligë.[11]
Milan
Më 13 korrik 2023, Pulisic firmosi një kontratë katër-vjeçare me klubin italian Milan.[49][50] Klubi pagoi 22 milion € për kartonin e amerikanit, i cili mori fanellën me numrin 11 për sezonin 2023–24.[51]
Pulisic bëri debutimin e tij në fitoren 2–0 kundër Bolonjës në transfertë, duke shënuar në pjesën e parë;[52] me këtë gol, ai u bë amerikani i parë që shënon në tre nga pesë ligat kryesore të Evropës.[53] Në ndeshjen e rradhës, ai shënoi në suksesin 4–1 në San Siro kundër Torinos, duke u shpallur lojtari më i mirë i klubit për muajin gusht.[54][55] Më 13 dhjetor, ai shënoi golin e parë në Ligën e Kampioneve për Milanin në fitoren 2–1 në transfertë kundër Newcastle United në fazën e grupeve; Milani nuk u kualifikua në raundin me eliminim direkt të kompeticionit, duke zbritur në Ligën e Evropës.[56] Në ndeshjen e fundit të vitit 2023, Pulisic shënoi golin e vetëm të fitores kundër Sassuolos në shtëpi, duke u bërë amerikani me më shumë gola të shënuar në një sezon të Serie A (6).[57][58] Ai gjithashtu u shpall Lojtari i Muajit i Serie A për dhjetorin, gjatë së cilës shënoi dy gola dhe asistoi dy të tjerë.[59]
Më 2 mars 2024, në fitoren dramatike 1–0 kundër Lazios, Pulisic u bë shkak i përjashtimit me karton të kuq të dy lojtarëve të Lazios, duke marrë këcënime për jetën nga tifozët e klubit kryeqytetas.[60][61] Pas kësaj, ai shënoi në të dy ndeshjet kundër Slavia Pragës në raundin e 16-tave të Ligës së Evropës, duke regjistruar golat e parë në këtë kompeticion.[62] Më 17 mars, Pulisic shënoi golin e 12të sezonal në fitoren 3–1 në transfertë kundër Veronës, duke vendosur një rekord të ri personal për numrin e golave të shënuar në një sezon;[63] ky gol ishte gjithashtu goli i 5,000të i Milanit në Serie A që nga pjesmarrja e parë.[64] Më 11 maj, ai shënoi një dygolësh në fitoren 5–1 kundër Cagliarit, duke regjistruar dopietën e parë me Kuqezinjtë.[65] Pulisic e mbylli sezonin me 15 gola dhe 10 asiste në të gjitha kompeticionet. Ai u nominua për çmimin e mesfushorit më të mirë të Serie A që u fitua nga Hakan Çalhanoğlu si dhe u emërua në Ekipin e Sezonit.[66][67]
Karriera ndërkombëtare
Para se të debutonte me kombëtaren e parë, Pulisic ka luajtur me ekipet nën-15 dhe -17. Ai ishte kapiten i ekipit nën-17 në Kupën e Botës nën-17 2015, ku shënoi një gol dhe një asist në tre ndeshje.[68] Gjatë dy viteve të tij me ekipin, Pulisic shënoi 20 gola në 34 ndeshje. Ai kishte mundësinë për të përfaqsuar Kroacinë, kjo falë origjinës, por e refuzoi.[69][70]
Më 27 mars 2016, Pulisic u thirr në kombëtaren e parë nga trajneri Jürgen Klinsmann për ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës kundër Guatemalës.[71] Dy ditë më vonë, ai bëri debutimin e tij zyrtar me kombëtaren duke u aktivizuar si zëvëndësues në minutën e 81të në vend të Graham Zusit, me Shba-në që fitoi me rezultatin 4–0 në Mapfre Stadium në Columbus, Ohio; ai kështu u bë lojtari më i ri amerikan që luan në një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës.[72]
Disa muaj më pas, ai u thirr në ekipin që do të luante në Copa América Centenario, e cila u zhvillua në Shtetet e Bashkuara.[73] Një javë më pas, ai u bë lojtari më i ri që shënon për Shba-në në epokën moderne, ku ai shënoi golin e katërt të ekipit të tij në fitoren 4–0 kundër Bolivisë në një ndeshje miqësore.[74]
Më 2 shtator 2016, Pulisic shënoi dy gola dhe asistoi një tjetër në fitoren 6–0 kundër Shën Vincent dhe Grenadinet në kualifikueset e Kupës së Botës 2018,[75] duke u bërë lojtari më i ri që shënon për Shba-në në kualifikuese si dhe lojtari më i ri amerikan në histori që shënon dopietë.[76] Në ndeshjen e ardhshme kundër Trinidad dhe Tobagos, ai theu një tjetër rekord duke u bërë lojtari më i ri amerikan që luan si titullar në një ndeshje kualifikuese.[77] Më 8 qershor 2017, në një tjetër ndeshje kualifikuese, Pulisic shënoi të dy golat e fitores 2–0 kundër Trinidad dhe Tobagos. Në dy ndeshjet e fundit kualifikuese, Pulisic ishte në listën e golashënuesve, duke shënuar respektivisht në fitoren 4–0 kundër Panamasë dhe në humbjen 2–1 kundër Trinidad dhe Tobagos. Pavarësisht performancave të tij pozitive, Shtetet e Bashkuara dështuan të kualifikoheshin në FIFA Kupën e Botës 2018. Humbja në ndeshjen e fundit kundër Trinidad dhe Tobagos u konsiderua si performanca më e turpshme në historinë e futbollit amerikan.[78]
Më 20 nëntor 2018, Pulisic u bë lojtari më i ri që luan si kapiten me Shba-në në miqësoren e humbur 1–0 kundër Italisë; ai e vendosi rekordin në moshën 20 vjeç e 63 ditë.[79]
Profili i lojtarit
Stili i lojës
Pulisic është një lojtar me aftësi teknike të jashtëzakonshme, i cili e mban topin mjaft mirë, duke treguar pjekuri dhe temperament mbreslënës pavarësisht moshës së tij të re.[80] Ai mund të luaj në të dy krahët e sulmit si dhe mund të aktivizohet edhe si mesfushor sulmues, kjo për shkak se ai mund të luajë me të dyja këmbët, edhe pse këmba e tij e preferuar është e djathta.[81] Ai është një lojtar që shquhet për shpejtësinë, shkathtësinë dhe pasimet e sakta (duke asistuar shumë herë), duke i kombinuar këto aftësi me inteligjencën e tij taktike.[82] Falë aftësive të tij, si dhe driblimeve,[82] Pulisic shpesh është bërë viktimë e ndërhyrjeve dhe faulleve nga mbrojtësit kundërshtar.[83]
Pritja
Pasi Pulisic u promovua në ekipin e parë të Dortmundit, shkrimtari i revistës FourFourTwo Andy Mitten shkroi se trajneri i ekipit Thomas Tuchel "pa potencialin, shpjetësinë, mprehtësinë, forcën, fitnesin dhe pjekurinë që Pulisic kishte për moshën e tij."[84] Vetë trajneri Tuchel thuri lëvdata për lojtarin, duke e konsderuar Pulisic "një lojtar i cili është vetëbesues, që tregon talentin e tij në fushë, dhe nuk nervozohet kur është nën presion – e cila është një kombinim i mrekullueshëm."[84] Shoku i tij i ekipit Nuri Şahin ka thënë: "Ai është i patrëmbur. Ai ka shumë shpejtësi, por ajo që më pëlqen më shumë është prekja e parë. Kur ai merr topin, prekja e tij e parë krijon shumë hapsira për të edhe kur nuk ka hapsira.[84]
Falë talentit të tij dhe aftësive, Pulisic është konsideruar si e ardhmja dhe shpresa e futbollit amerikan; në lidhje me këtë, gazetari i Bleacher Report, George Dohrmann, shkruajti: "Pas dekadash etje për një lojtar që mund të konsiderohej me të vërtetë i klasit botëror. Amerikanët tani kanë, më në fund – më në fund! një lojtar të aftë të bëjë një shenjë të pashlyeshme në lojën e botës."[85]
Jeta personale
Gjyshi i tij nga ana e babait, Mate Pulišić, ka lindur në ishullin Olib të Kroacisë.[86] Pulisic mori pasaportën kroate pasi kaloi në Gjermani për të shmangur aplikimin për vizë pune gjermane, e cila është kriteri për të hyrë në Gjermani për personat që nuk kanë pasaporta të Bashkimit Evropian.[70] Kushuriri i tij, Will Pulisic, ka luajtur me kombëtaren amerikane nën-17 si portieri kurse në nivel klubesh luajti për Borussia Dortmund.[87]
Mbiemri i tij Pulisic vjen nga qyteti kroat Pula dhe ka ngatërruar disa njerëz për shqiptimin e duhur. Si shqiptimi anglisht ashtu edhe ai kroat është përdorur nga komentatorët, kurse vetë Pulisic ka konfirmuar se të dyja format janë të pranueshme.[88]
Redaktuar më 15 tetor 2019. Rezultatet e Shteteve të Bashkuara të listuara të parat, kolonat e golave tregojnë rezultatin pas çdo goli të shënuar nga Pulisic.[92]
Golat me kombëtaren sipas datës, vendit, ndeshjes, kundërshtarit, rezultatit dhe kompeticionit
^"2017 CONCACAF Award Winners Announced" [Njoftohen fituesit e çmimeve të CONCACAF 2017] (në anglisht). CONCACAF. 19 dhjetor 2017. Arkivuar nga origjinali më 22 dhjetor 2017. Marrë më 19 dhjetor 2017.
^"2019 Concacaf Gold Cup – Best XI" [CONCACAF Kupa Gold 2019 – Formacioni më i mirë]. goldcup.org (në anglisht). 7 korrik 2019. Arkivuar nga origjinali më 30 korrik 2019. Marrë më 8 korrik 2019.