Vrapuesja e Prizrenit (anglisht: The Runner of Prizren) e njohur edhe si Atletja nga Prizreni dhe Menada e Prizrenit është një figurinë prej bronzi, pak më shumë se 11 centimetra e lartë, e zbuluar në vitin 1876 në Prizren ndërsa daton rreth viteve 520 -500 p.e.s. Vrapuesja ndodhet në Muzeun Britanik dhe paraqet një artefakt të famshëm që ka Kosova jashtë vendit. Figurina e cila ka bërë xhiro nëpër punime shkencore gjithandej botës pasqyron një vajzë (grua) duke vrapuar, dhe si e tillë është një gjë shumë e rrallë për botën antike greke.[1][2][3]
Karakteristikat
Sipas vlerësimeve, kemi të bëjmë me një figurinë të nivelit të lartë artistik dhe estetik, që ia ka tërhequr vëmendjen pothuajse të gjithë studiuesve të njohur të arteve figurative, si dhe studiuesve të trashëgimisë arkeologjike, shpirtërore dhe të fushave të përafërta, të cilët kanë mendim dhe vlerësim pothuajse të njëjtë. Pra, sipas tyre figurina vrapon djathtas me trupin e kthyer perpara duke shikuar poshtë në të djathtë, dhe duke e mbajtur fustanin e saj lartë në dorë, ajo ka të veshur xhubletë me palosje duke i rënë nga krahu i djathtë, i kufizuar nga të dy anët, dhe flokët e saj shkallëzohen paralelisht nga pas. Pjesët e tjera të xhubletës mungojnë. Gjithashtu ta tërheqin vëmendjën sytë e saj shumë të mëdhenj. Figurina zotëron lëvizje dhe gjallëri në përshtatje me vallen që po luan. Të gjitha këto tipare të figurinës e bëjnë, që ajo të dallohet dukshëm nga shumë figurina të tjera të kohës, por edhe nga Menada dardane e Tetovës. Ndryshe nga Menada e Tetovës që ka një lartësi prej 9.4 cm dhe gjerësi prej këmbës së majtë në të djathtën prej 6.5 cm., Vrapuesja e Prizrenit kap një lartësi prej 11.4 cm. Edhe pse nuk zotërojmë artefakte të tjera të këtij lloji, që do të na mundësonte për të përdorur metodën komparative lidhur me datimin e Vrapuesës së Prizrenit dhe Menadës së Tetovës, megjithatë, afërsia e gjetjeve dhe territori i përbashkët i tyre, që është Dardania, na bën të konstatojmë se, për shkaqe të plasticitetit dhe të proporcioneve më të bukura, sidomos të bie në sy këmba e djathtë, e cila vetëm me gishta prek tokën. Gjithashtu, të bie në sy kujdesi dhe simetria e flokëve te figurina e Prizrenit, ndryshe nga Menada e Tetovës, që flokët i ka fare të parregulluara. Veçoritë e përmendura bëjnë të konstatohet me lehtësi se, “Vrapuesja e Prizrenit” është së paku për gjysmë shekulli më e re se Menada e Tetovës, e cila më tepër i gjason Vrapuesës së Dodonës, edhe pse ndonjë studiues të dyja këto figurina i ngatërron me Vrapuesën e Prizrenit.[2][3]