Sistemi i Harmonizuar për Përshkrimin dhe Kodifikimin e Mallrave (SH) është një sistem standart kodesh dhe përshkrimesh që shërben si bazë për ndërtimin e një nomenklature tarifore për klasifikimin e produkteve tregtare. Ky sistem është zhvilluar nga Organizata Botërore e Doganave (OBD) (ish Këshilli i Kooperimit Doganor). Në këtë organizatë, me seli ne Bruksel të Belgjikës, marrin pjesë mbi 160 vende.
Sistemi i Harmonizuar është një nomenklature kodesh gjashtë shifrore. Duke mbajtuar atë si bazë, për qëllime doganore, vende të veçanta e kanë krijuar nomenklaturat e tyre të mallrave duke e shtrirë kodifikimin në nivelin e 10 shifrave apo më shumë shifrave. Gati 200 vende, që përfaqesojnë rreth 98% te tregtisë botërore, përdorin SH si bazë për:
- Tarifën doganore.
- Mbledhjen e statistikave të tregtisë ndërkombetare.
- Rregullat e Origjinës.
- Mbledhjen e taksave të brendshme.
- Negociatat tregtare (p.sh., koncesionet tarifore në kuader te Organizatës Boterore të Tregtisë).
- Tarifat dhe statistikat mbi transportin.
- Monitorimin dhe kontrollin e mallrave (p.sh., mbetjet, substancat narkortike, armët kimike, substancat holluese të shtresës së ozonit, speciet e rralla, etj.).
- Procedurat dhe kontrollet doganore, përfshirë vlersimin e riskut, teknologjinë e informacionit dhe zbatueshmerinë e rregullave (compliance).
Kodet e SH janë rishikuar në vite. Verisoni më i fundit i SH është në fuqi nga 1 janari 2007.
Zhvillimi i sistemeve të klasifikimit
Interesimi për sistemet e klasifikimit të mallrave është shfaqur që nga kohët më të lashta, qëkurse autoritetet e vendeve të zhvilluara në atë kohë filluan të vendosnin taksa mbi mallrat që qarkullonin nëpër territoret e tyre kufitare. Më vonë, me zhvillimin e shoqërive të industrializuara, u bë gjithnjë më e nevojshme njohja edhe e nivelit të kësaj tregtie, madje edhe atëherë kur taksat nuk luajnë ndonjë rol me rëndësi të veçantë.
Sistemet e para të klasifikimit të mallrave padyshim që kanë qenë të një natyre të thjeshtë dhe konsistonin në shumicën e rasteve në ndonjë listë alfabetike të mallrave që i nënshtroheshin një takse të caktuar, ose të mallrave që përjashtoheshin nga ajo taksë. Ndërkohë, me rritjen e numrit të niveleve të taksave dhe të listave të veçanta koreponduese të mallrave, u kuptua se do të ishte më mirë që sistemet e klasifikimit të mallrave të mbështeteshin mbi kritere të tjera, të ndryshme nga ai i klasifikimit sipas nivelit të taksimit. Në këtë mënyrë filluan të zhvilloheshin hap pas hapi sisteme të tjera klasifikimi të mbështetura në kritere që lidheshin gjithnjë e më tepër me natyrën e mallrave.
Nga ana tjetër, me kalimin e kohës, me rritjen e nivelit dhe rëndësisë së tregtisë ndërkombëtare, njerzit filluan të bëhen gjithmonë e më shumë të ndërgjegjshëm për një sërë vështirësish që vinin si rrjedhojë e ndyshimeve në tarifat doganore të vendeve të veçanta. Këto ndryshime përfshinin, ndër të tjera, renditjen apo organizimin e zërave apo kapitujve të nomenklaturave të secilit vend, emërtimet dhe përcaktimet për produkte të ndryshëm, deri dhe parimet themelore klasifikuese mbi të cilat ato sisteme ishin konceptuar.
Në disa vende sistemet e klasifikimit ishin ndërtuar në mënyrë gati empirike. Në vende të tjera, këto sisteme edhe pse fillimisht të ndërtuara mbi kritere metodikisht të pranueshme, ndryshoheshin shumë shpesh për tju përshtatur me efektivitet masave të mëvonshme në ndërmarra në politikat tregtare. Gjithnjë e më tepër u bë e qartë se ekzistonte një nevojë e ngutshme për një nomenklaturë doganore standarte, e cila duhej të siguronte:
- klasifikimin sistematik të të gjitha mallrave që mund të gjenden në tregtinë ndërkombëtare,
- një klasifikim uniform në planin ndërkombëtar mbi të cilin duhet të mbështeteshin tarifat doganore të të gjitha vendeve që do të pranonin këtë nomenklaturë,
- vendosjen në planin ndërkombëtar të një “gjuhe” të përbashkët dhe të pranueshme, në mënyrë që terminologjia doganore të jetë e lexueshme dhe e kuptueshme si për ekspertët edhe për publikun njëkohësisht, duke ja bërë më të lehtë punën importuesve, eksportuesve, prodhuesve, transportuesve dhe organeve doganore,
- thjeshtësi dhe qartësi kuptimore në negociimin, zbatimin dhe interpretimin e marrëveshjeve doganore dypalëshe dhe shumëpalëshe,
- një koleksionim uniform në nivelin ndërkombëtar të të dhënave me qëllim thjeshtëzimin e analizave dhe krahasimeve të statistikave të tregtisë botërore.
Një shekull për të arritur tek SH
Sistemet paraardhëse
Përpjekjet për të bërë një nomenklaturë të bërbashkët botërore me qëllim thjeshtëzimin e tregtisë ndërkombëtare zgjatën më shumë se një shekull.
Në këtë kuadër, ndërmjet viteve 1831 dhe 1854, Belgjika i paraqiti statistikat e saj të tregtisë së jashtme të ndara në tre kapituj të përgjithshëm: lëndë të para, prodhime industriale dhe artizanale. Në vitin 1854 ky sistem i la vendin një sistemi të bazuar në renditjen alfabetike të mallrave. Më tej, më 1892 Austro-Hungaria filloi të përdorë një skemë klasifikimi të ngjashme me ato që u përdorën më vonë nga Nomenklatura Statistore e Brukselit e 1913 dhe Projekt Nomenklatura Doganore e Lidhjes së Kombeve e 1931.
Ndërmjet viteve 1853 dhe 1908, u mbajtën një sërë kongresesh të nivelit botëror me qëllim përgatitjen e një nomenklature ndërkombëtare, nga të cilët i pari (Bruksel 1853) mbështeti idenë e uniformizimit të një nomenklature tarifore ndërkombëtare me një nomenklaturë statistikore ndërkombëtare, mbështetur në argumentin se këto dy nomenklatura janë të lidhura në mënyrë që ndryshimet e njerës implikojnë ndryshime të ngjashme tek tjetra. Më 1885 u themelua Instituti Ndërkombëtar i Statistikave për të çuar më tej punën e nisur në kongreset ndërkombëtare të statistikave.
Më 1889 u mbajt Kongresi Ndërkombëtar Tregtar ku edhe njëherë u mbështet ideja se ishte në të mirën e të gjithë vendeve që të përdornin klasifikime të krahasueshme dhe fjalorë uniformë termash në tarifat e tyre doganore dhe statistikat zyrtare, ide kjo që u shty edhe më përpara nga Kongresi i Dytë Ndërkombëtar i Dhomave të Tregtisë (Milano 1906).
Në hemisferën tjetër, po më 1889, në Washington, Konferenca e Parë Ndërkombëtare e Shteteve Amerikane rekomandonte miratimin e një nomenklature të përbashkët që i përshkruante mallrat sipas renditjes alfabetike me terma të barazvlefshëm në anglisht, portugalisht dhe spanjisht.
Por më e hershmja nomenklaturë statistikore uniforme e aprovuar ndonjëherë nga ndonjë konventë ndërkombëtare duket se është ajo e dalë nga Konferenca e Dytë Ndërkombëtare mbi Statistikat Tregtare, mbajtur në Bruksel më 1913. Kjo konventë u nënshkrua nga 29 vende më 31 dhjetor 1913. Vetë nomenklatura e dalë nga kjo konventë përbëhej nga 186 zëra të organizuara në pesë grupe: kafshë të gjalla, ushqime dhe pije, lëndë të para dhe materiale në shkallë të ulët përpunimi, produkte të gatëshme, dhe ar e argjend. Ajo shërbeu si bazë për përpilimin e statistikave të para tregtare nga Zyra Ndërkombëtare e Statistikave Tregtare në 1922 dhe u përdor, drejtpërsëdrejti ose jo, për qëllime tarifore nga më shumë se 30 vende.
Në Maj 1927 ideja e një grupi pune të përbashkët për tarifat doganore u mbështet nga rekomandimet e bëra nga Konferenca Ekonomike Botërore mbledhur nën kujdesin e Lidhjes së Kombeve (Lidhja e Kombeve). Një komitet ekspertësh përgatiti në atë kohë një Projekt Nomenklaturë Doganore, versioni i parë i së cilës u përpilua më 1931 dhe u rishikua më 1937.
Kjo nomenklaturë që u njoh edhe me emrin “Nomenklatura e Gjenevës” përmblidhte 991 zëra të organizuar në 96 kapituj, këta të fundit të grupuar në 21 seksione.
Pavarësisht se u përdor nga shumë vende si bazë për tarifat e tyre doganore, Nomenklatura e Gjenevës nuk mundi të influencojë aq sa duhet në standartizimin e nomenklaturave doganore. Shkak për mossuksesin e saj ishte dhe kolapsi që pësoi Lidhja e Kombeve në prag të Luftës së Dytë Botërore.
Nomenklatura e Këshillit të Bashkëpunimit Doganor
Nevoja për rindërtim ekonomik dhe dëshira për liri më të madhe tregtare, karakteristika këto të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, krijuan kushte të favorshme për standartizimin e tarifave doganore dhe nevoja për një nomeklaturë ndërkombëtare të përbashkët u bë edhe një herë e dukshme.
Bazuar në Nomenklaturën e Gjenevës, Grupi i Studimit të Bashkimit Doganor Europian, që kishte marrë detyrë përgatitjen e tarifës doganore të përbashkët për përdorim nga të gjitha vendet pjesmarrëse në këtë bashkim, më 1949 përgatiti një nomenklaturë, e cila e riorganizuar, e lidhur dhe e thjeshtëzuar u bë pjesë organike e Konventës së Brukselit mbi Nomenklaturën për Klasifikimin e Mallrave në Tarifat Doganore (15 dhjetor 1950). Kjo konventë u hap për nënshkrim në të njëjtën kohë me Konventën për Themelimin e Këshillit të Bashkëpunimit Doganor (KBD). Fillimisht teksti u njoh si “Nomenklatura (Tarifore) e Brukselit” (NTB) por më 1974 u riquajt “Nomenklatura e Këshillit të Bashkëpunimit Doganor” (NKBD).
Që nga 1955, Këshilli i Bashkëpunimit Doganor ka rekomanduar gjashtë ndryshime në këtë nomenklaturë të cilat pas pranimit nga të të gjitha palët kontraktuese kanë hyrë përkatësisht në fuqi më 1 janar 1965 (tre rekomandimet e para), 1 janar 1972, 1 janar 1978 dhe 1 janar 1988.
Deri më 1987 pesëdhjetë e dy vende ishin palë kontarktuese në Konventën e Nomenklaturës, por në fakt më tepër se 150 vende apo territore e kanë përdorur Nomenklaturën e KBD si bazë për tarifat e tyre doganore. Pjesa më e madhe e vendeve që kanë qenë palë kontraktuese në Konventën e Nomenklaturës sot kanë pranuar Sistemin e Harmonizuar.
Shikoni edhe këto