Mustafa Aranitasi (Aranitas, 12 prill 1872 - Spitali i Tiranës, 26 prill 1961) ka qenë ushtarak dhe ministër i shtetit shqiptar.
Biografia
U lind më 12 prill 1872 në Aranitas të kazasë së Mallakastrës. Ndoqi Akademinë Ushtarake në Stamboll. Në korrik 1913, duke pasur gradën e majorit, ishte njëri nga 4 komandantët e deshtamenteve të vendit që u formuan nga oficerët holandezë gjatë ministrimit të Mehmet pashë Dërrallës.[1] Së bashku me major Ismail Haki Tatzatin u caktua në krye të batalioneve të Korçës e Gjirokastrës.[2] Më 1915 shërbeu si komandant i xhandarmërisë në Mirditë, më 1916-'18 komandant batalioni me forcat austro-hungareze. Më 1919-'20 komandant batalioni në Elbasan.
Më 1920-1922 ka qenë komandant i regjimentit të dytë me qendër në Tiranë. Më 1922-1923 qe kryetar i Gjykatës Ushtarake me gradën e kolonelit,[3] më 19 gusht zëvendësoi Tatzatin në postin e ministrit të Luftës në qeverinë Zogu.[4]
Më 1 qershor 1924 emërohet komandant i operacionit antikryengritje për jugun, kandidoi pa sukses për deputet në emër të grupit Nacional-Demokrat në Berat. Pas suksesit të lëvizjes së qershorit emigroi në Itali, ndërsa u shpall në kërkim nga qeveria e Nolit. Më 12 dhjetor 1924, Gjykata Politike e dënoi me burgim të përjetshëm duke e akuzuar se u kishte lehtësuar shpërndarjen e armëve forcave të Zogut[3] dhe bashkëpunim në vëllavrasje.[5]
U rikthye në Shqipëri pas Triumfit të Legalitetit më 24 dhjetor 1924. Vijoi në detyrën e kryetarit të Gjykatës Ushtarake deri më 30 mars 1927, kur doli në pension dhe u tërhoq në jetën private.
Më 1946 u dëbua nga kryeqyteti nga regjimi komunist me gjithë familjen dhe u internuan në Çermë të Lushnjës. Sëmuret dhe shtrohet në spitalin e Tiranës ku edhe ndërroi jetë më 26 prill 1961, u varros në Tiranë.[3]
Nderime
Më 19 shkurt 2011 bashkia e Ballshit i akordoi titullin Qytetar Nderi për kontributet profesionale si ushtarak i lartë dhe ministër, por edhe për qytetarinë, kulturën, dhe tolerancën.[1]
Referime