George Alexandru Pușcaș (lindur më 8 prill 1996) është një futbollist profesionist rumun i cili luan si sulmues për klubin anglez Reading dhe kombëtaren rumune.
Karriera me klube
Internazionale
Pușcaș bëri debutimin e tij zyrtar me Interin më 1 shkurt 2015 duke luajtur në minutat e fundit të humbjes 3–1 ndaj Sassuolo në javën e 21të të Serie A.[1] Njëzet e pesë ditë më vonë, ai debutoi edhe në UEFA Ligën e Evropës në një ndeshje të fituar 1–0 kundër Celtic duke zëvëndësuar Rodrigo Palacion në minutën e 89të.[2] Pușcaș luajti ndeshjen e tij të parë si titullar për Zikaltrit në barazimin 1–1 në shtëpi ndaj Parmës në kampionat; ai u zëvëndësua në fillim të pjesës së dytë nga Mateo Kovačić.[3]
Huazimi te Bari
Më 4 gusht 2015, Pușcaș, sëbashku me shokun e skuadrës Gaston Camara, u huazua te Bari në Serie B për sezonin 2015–16.[4] Ai debutoi me ekipin pesë ditë më vonë në ndeshjen e raundit të dytë të Coppa Italias kundër Foggias, duke zëvëndësuar Anthony Partipilo në minutën e 60të.[5] Ndeshja e tij e parë në Serie B erdhi më 22 shtator në disfatën 4–1 ndaj Crotones në transfertë ku ai luajti 57 minuta.[6] Më 1 mars 2016, Pușcaș shënoi në dopietë në fitoren 4–0 kundër Ternanës, duke regjistruar golat e parë me klubin.[7] Ai e mbylli sezoin e tij me Barin me 18 ndeshje, 5 gola dhe asist.
Huazimi te Benevento
Më 15 korrik 2016, Pușcaș vazhdoi qëndrimin e tij në Serie B, këtë herë duke u huazuar te Benevento në një marrëveshje dy-vjeçare. Ai debutoi më 7 gusht në ndeshjen e raundit të dytë të Coppa Italias kundër Salernitanës; ndeshja dhe koha e rregullt u mbyll në barazim pa gola, por në gjuajtjet e penalltive, Benevento u mposht 4–2.[8] Më 27 gusht, Pușcaș e nisi kampionatin me një gol në fitoren 2–0 në shtëpi ndaj SPAL-it, duke shënuar tetë minuta pasi hyri në fushë në minutën e 71të në vend të Fabio Ceravolo.[9] Më 19 nëntor, ai shënoi golin e dytë të sezonit në suksesin 4–0 kundër Brescias; ai shënoi sërisht pasi ishte aktivizuar si zëvëndësues.[10] Në qershor 2017, Pușcaș shënoi golin që i siguroi Beneventos ngjitjen në Serie A për herë të parë në histori.[11]
Pușcaș e nisi sezonin e tij të dytë me Beneventon duke luajtur 80 minuta në disfatën 4–0 kundër Perugias në ndeshjen e vlefshme për raundin e tretë të Coppa Italias.[12] Më 20 gusht, ai zhvilloi ndeshjen e parë në Serie A për Beneventon në humbjen 2–1 në transfertë ndaj Sampdorias.[13] Më 3 dhjetor, Pușcaș shënoi golin e tij të parë në Serie A në barazimin 2–2 kundër Milanit, duke ndihmuar Beneventon të fitonte pikën e tyre të parë në elitën e futbollit italian.[14] Në janar 2018, ai u rithirr nga Interi, duke bërë që aventura e tij me Beneventon të mbyllej me 34 ndeshje dhe 8 gola.[15]
Huazimi te Novara
Më 29 janar 2018, Pușcaș u dërgua në huazim sërisht, këtë herë duke u rikthyer në Serie A te Novara.[15][16] Debutimi i tij zyrtar erdhi pesë ditë më vonë në humbjen 2–1 në shtëpi ndaj Ascoli, duke shënuar golin e vetëm të ekipit të tij.[17] Një javë më vonë, në ndeshjen e tij të dytë, Pușcaș shënoi tregolëshin e parë në karrierë duke i dhënë Novarës fitoren 3–1 në transfertë kundër Cittadellës.[18]
Palermo
Më 8 gusht 2018, Pușcaș u bashkua me Palermon në një marrëveshje katër-vjeçare.[19][20] Ky transferim u raportua se kushtonte rreth 3.25 milion € plus bonuse.[21][22] Më 3 nëntor, ai regjistroi golin e parë për ekipin siçilian në triumfin 2–1 kundër Cosenzës; goli i tij, i shënuar në minutën e 90të, ishte goli i fitores.[23] Në përfundim të sezonit, pasi Palermo u rrëzua në Serie D, Inter ushtroi të drejtën e riblerjes për sulmuesin rumun.[24]
Reading
Më 7 gusht 2019, Pușcaș firmosi një kontratë pesë-vjeçare me Reading për 8 milion € plus 2 milion € në bonuse, duke u bërë blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit.[25][26] Ai shënoi golin e parë për Reading në një ndeshje të Kupës EFL kundër Wycombe Wanderers më 13 gusht; ndeshja shkoi në gjuajtjet e penalltive, ku ai shënoi në gjuajtjen e tij, duke ndihmuar Reading të fitojë.[27] Pesë ditë më vonë, ai shënoi dy gola në debutimin e tij në shtëpi kundër Cardiff City.[28]
Karriera ndërkombëtare
Pușcaș shënoi shtatë gola me Rumaninë U21 në kualifikueset e Kampionatit Evropian nën-21 të Futbollit, duke ndihmuar ekipin e tij të fitonte grupin dhe të siguronte një biletë në finalet e turnamentit në Itali. Më 19 qershor 2019, ai fitoi një penallti të cilën e shënoi vetë në fitoren 4–1 kundër Kroacisë në San Marino Stadium.[29] Ai shënoi sërisht në ndeshjen e rradhës të Grupit C kundër Anglisë, duke parakaluar Ionuț Luțun si golashënuesi më i mirë në historinë e Tricolorii mici.[30]
Referime