*Ndeshjet dhe golat me klubet llogariten vetëm për ligën vendase – redaktuar më 27 maj 2024 ‡ Ndeshjet dhe golat me ekipin kombëtar të redaktuar më 19 qershor 2024
Brozović nisi hapat e parë në futboll në akademinë e Hrvatski Dragovoljac. Ai bëri debutimin e tij si profesionist në sezonin 2010–11, gjatë së cilës u aktivizua në 22 ndeshje, por ekipi ra nga kategoria. Pas kësaj, ai firmosi me Lokomotivën, me të cilën luajti vetëm një sezon. Në gusht 2012, Brozović u transferua te Dinamo Zagreb, duke qënë një nga një lojtarët më të rëndësishëm të ekipit në tre vitet e ardhshme. Në janar 2015, ai u huazua në Itali te Interi për një vit e gjysëm. Pas mbarimit të huazimit, Interi pagoi 5 milion € për kartonin e tij. Brozović qëndroi për shtatë vite te Interi, duke zhvilluar mbi 300 ndeshje. Ai ndihmoi ekipin të fitonte titullin e Serie A në vitin 2021 (titulli i parë pas më shumë se një dekade) si dhe ndihmoi në arrijen e finaleve të UEFA Ligës së Kampioneve dhe UEFA Ligës së Evropës respektivisht në vitin 2023 dhe 2020.
Brozović luajti mbi 20 ndeshje me ekipet e moshave të Kroacisë. Debutimi i tij me ekipin e parë erdhi në qershor 2014. Ai ka luajtur me Kroacinë në tre edicione të FIFA Kupës së Botës (2014, 2018 dhe 2022), duke arritur në finale në vitin 2018, si dhe në dy edicione të UEFA Kampionatit Evropian (2016 dhe 2020). Në vitin 2023, ai udhëhoqi ekipin në finalen e UEFA Ligës së Kombeve 2023.
Karriera me klube
Vitet e para
Brozović ka lindur në Zagreb, dhe u rrit si futbollist te akademia e Hrvatski Dragovoljac. Ai bëri debutimin e tij si profesionist më 24 korrik 2010 duke luajtur 90 minuta të plota në humbjen 4–1 kundër Dinamo Zagreb. Brozović shënoi golin e parë si profesionist më 18 mars 2011 kundër Karlovac.[3]
NK Lokomotiva
Në korrik 2011, Brozović firmosi me klubin tjetër kroat Lokomotiva, pas rënjes së Hrvatskit.[4] Ai u aktivizua në 27 ndeshje në sezonin e tij të parë, duke shënuar katër gola. Lokomotiva e mbylli sezonin në mesin e renditjes.
Dinamo Zagreb
Në gusht 2012, Brozović firmosi një kontratë shtatë-vjeçare me Dinamo Zagreb, duke zëvendësuar në mesfushë Milan Badelj, i cili ishte transferuar në Gjermani te Hamburger SV.[5] Ai mori fanellën me numrin 77 dhe bëri debutimin zyrtar më 14 shtator në barazimin pa gola kundër NK Osijek në kampionat, duke u aktivizuar si zëvëndësues në pjesën e dytë.[6] Katër ditë më vonë, Brozović luajti ndeshjen e tij të parë në UEFA Ligën e Kampioneve në humbjen 2–0 në shtëpi kundër Portos në fazën e grupeve.[7] Goli i tij i parë me klubin erdhi më 14 prill 2013 në fitoren 2–0 në shtëpi kundër Inter Zaprešić.[8] Brozović e mbylli sezonin e tij të parë në Zagreb me 30 ndeshje dhe 2 gola në të gjitha kompeticionet. Dinamo fitoi kampionatin për herë të 15të në histori; ky ishte trofeu i parë në karrierën e Brozović.[9]
Brozović shënoi tetë gola në të gjitha kompeticionet gjatë sezonit 2013–14, duke vendosur një rekord personal për numrin e golave të shënuar në një sezon. Ai luajti 93 minuta në Superkupën e Kroacisë më 6 korrik 2013, me Dinamon që ngriti trofeun pasi mposhti me penallti ekipin rival Hajduk Split.[10] Më 12 prill 2014, Brozović u aktivizua 90 minuta të plota në fitoren 4–0 kundër Rijekës, duke zhvilluar ndeshjen e tij të 100të në elitën e futbollit kroat.[11]
Internazionale
2015–2019: Vitet e para dhe përshtatja në Itali
Më 24 janar 2015, Brozović firmosi me klubin italian Inter në formë huazimi për dy vite dhe me detyrim blerje pas mbarimit të huazimit.[12] Ai mori fanellën me numrin e tij të preferuar 77, e veshur më parë nga mesfushori ganez Sulley Muntari. Brozović bëri debutimin e tij zyrtar më 1 shkurt, duke luajtur në 20 minutat e fundit në humbjen 3–1 në transfertë kundër Sassuolos.[13] Vetëm tre ditë më vonë, Brozović bëri debutimin e tij në Kupën e Italisë duke u aktivizuar si titullar për 90 minuta në humbjen minimale 1–0 kundër Napolit në çerek-finale.[14] Ai shënoi golin e parë me Zikaltrit në ndeshjen e javës së fundit të kampionatit, në fitoren 4–3 në shtëpi kundër Empolit.[15] Brozović e mbylli gjysmën e dytë të sezonit 2014–15 me 15 ndeshje, përfshirë 13 si titullar, dhe 1 gol.
Brozović e nisi sezonin e tij të parë të plotë me Interin duke luajtur si titullar në fitoren 1–0 kundër Atalantës në ndeshjen hapëse të kampionatit.[16] Ai shënoi golin e parë të sezonit më 23 nëntor në fitoren 4–0 në shtëpi kundër Frosinones, duke shënuar katër minuta pasi ishte aktivizuar si zëvëndësues në minutën e 88të.[17] Pas kësaj, ai shënoi një gol të bukur nga distanca në një tjetër fitore 4–0, këtë herë në Stadio Friuli kundër Udineses, duke festuar me shokët me të ashtuquajturin festimin EpicBrozo – që është edhe pseudonimi i tij – që konsiston në vendosjen e gishtit të madh dhe gishtit tregues të dorës së majtë nën mjekër.[18]
Tre ditë më pas, Brozović shënoi një gol identik në suksesin 3–0 kundër Cagliarit në raundin e 16-tave të kupës.[19] Në ndeshjen e dytë të gjysëm-finales kundër ekipit rival Juventus, ai shënoi një dopietë, e para me Interin, duke e dërguar ndeshjen në kohën shtesë dhe më pas me penallti; Interi u mposht nga penalltitë, pavarësisht se Brozović shënoi në tentativën e tij.[20] Pas përfundimit të ndeshjes, statistikat treguan se kroati kishte vrapuar 17.81 km në 120 minuta lojë, përfshirë 13.8 në kohën e rregullt, duke vendosur një rekord në Evropë.[21][22] Interi e mbylli kampionatin në vendin e katërt, duke arritur rezultatin më të mirë që nga sezoni 2010–11, gjë që i siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Evropës për sezonin e ardhshëm.[23]
Më 15 shtator 2016, Brozović bëri debutimin e tij në kompeticionet evropiane për Interin kundër Hapoel Be'er Sheva në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Ligës së Evropës;[24] pavarësisht se e nisi ndeshjen si titullar, ai u zëvëndësua në fund të pjesës së parë nga trajneri Frank de Boer dhe vendosi të mos qëndronte në stolin e rezervave me shokët e tjerë të ekipit, një vendim ky që shkaktoi polemika.[25] Ai nuk u përfshi nga de Boer për ndeshjen e rradhës në kampionat kundër Juventusit për "sjellje joprofesionale".[26] I pyetur në lidhje me këtë vendim, de Boer deklaroi se Brozović "duhej të shfaqi disipilinën e tij", duke shtuar se "ai bëri diçka që nuk mund t'a pranoj".[27]
Brozović u rikthye në ekip më 16 tetor për ndeshjen në shtëpi kundër Cagliarit,[28] e cila u mbyll me një humbje 2–1; ai nuk u aktivizua në këtë ndeshje.[29] Katër ditë në pas, ai luajti si titullar kundër Southamptonit në Ligën e Evropës, por u përjashtu me karton të kuq në minutën e 77të.[30] Pas largimit të de Boer dhe mbërritjes së Stefano Piolit si trajneri i ri i ekipit, Brozović pati rritje në formën e tij,[31] duke shënuar golin e parë të sezonit më 24 nëntor në humbjen 3–2 me përmbysje kundër Hapoel Be'er Shevës, një rezultat që konfirmoi eliminimin e Zikaltërve nga Liga e Evropës.[32] Në ndeshjen e rradhës në Serie A, Brozović shënoi golin e parë në kampionat për këtë sezon në fitoren 4–2 në shtëpi kundër Fiorentinës.[33] Më 7 dhjetor, Brozović firmosi një kontratë të re deri në vitin 2021 me një rrogë të re të përmirësuar.[34] Katër ditë më pas, ai shënoi dopietën e parë me Interin në fitoren 2–0 kundër Genoas në kampionat.[35]
Pas përmirësimit të performancave nën drejtimin e Piolit,[36][37] Brozović ruajti vendin e titullarit edhe pse performancat e tij patën ulje dhe ngritje me trajnerin e ri Luciano Spalletti.[38][39][40] Gjatë fundit të sezonit, ai u vendos në rolin e mesfushorit-mbrojtës në formacionin 4–2–3–1 të Spallettit.[41] Më 2 tetor, ai shënoi një dygolësh në fitoren 2–1 kundër ekipit të sapongjitur Beneventos.[42] Më 11 shkurt 2018, gjatë ndeshjes në kampionat kundër Bolonjës, Brozović u zëvëndësua në minutën e 58të pas një performance të dobët. Në momentin e zëvëndësimit, ai u fërshëllye nga disa sektorë të stadiumit, por ai u kundërpërgjigj duke duartrokitur me ironi.[43] Ai u gjobit për këtë veprim,[44] duke u lënë në stol në ndeshjen kundër Genoas, ndaj u cilës u aktivizua në minutat e fundit.[45] Në muajt e fundit të sezonit, Brozović u dallua për performancat e tij;[46][47] më 12 maj, ai luajti ndeshjen e 100të në Serie A në humbjen 2–1 në shtëpi kundër Sassuolos,[48] kurse në ndeshjen e fundit vendimtare kundër Lazios në transfertë për kualifikimin në Ligën e Kampioneve, Brozović ishte vendimtar me asistet e tij për golat e Danilo D'Ambrosios dhe Matías Vecinos, me Interin që fitoi 3–2,[49] duke siguruar rikthimin në Ligën e Kampioneve pas gjashtë sezonesh.[50]
Brozović e nisi sezonin 2018–19 duke debutuar në Ligën e Kampioneve si lojtar i Interit në fitoren 2–1 me përmbysje kundër Tottenhamit në ndeshjen e parë të fazës së grupeve.[51] Pas kësaj, ai i dha fitoren Interit në ndeshjen kundër Sampdorias me një gol në minutën e 94të.[52] Gjatë këtij sezoni, Brozović ishte një nga lojtarët më të përdorur të trajnerit Spalletti, duke u aktivizuar në 42 ndeshje në të gjitha kompeticionet.[53][54]
2019–2023: Scudetto, finalja e Ligës së Kampioneve dhe largimi
Në ndeshjen e parë të sezonit 2019–20, Brozović shënoi golin e parë të fitores 4–0 kundër Lecces në javën e parë të kampionatit, e cila ishte gjithashtu ndeshja e parë e Antonio Contes si trajner i Zikaltërve.[55] Në javën e katërt, ai shënoi një gol në fitoren 2–0 kundër Milanit në Derby della Madonnina.[56] Në ndeshjen e dytë derbi të sezonit, Brozović shënoi një gol të bukur nga distanca duke ndihmuar Interin të fitonte 4–2 me përmbysje;[57] ai luajti si kapiten në këtë ndeshje, duke zëvendësuar Samir Handanović i cili mungonte për shkak dëmtimi.[58][59] Në kampionat, Brozović ishte një nga lojtarët më të dalluar të ekipit,[60][61] duke u shpallur asistuesi më i mirë i ekipit (sëbashku me Alexis Sánchez) me 9 asiste.[62][63][64] Më 21 gusht 2020, ai luajti si titullar në finalen e Ligës së Evropës kundër Seviljes, e cila ishte ndeshja e tij e 200të me Interin; ai asistoi golin e mbrojtësit Diego Godín në pjesën e parë por Interi u mposht 3–2.[65]
Në sezonin e rradhës 2020–21, Brozović vazhdoi të ishte një lojtar i rëndësishëm në formacionin titullar. Ai shënoi golin e parë të sezonit më 31 tetor në barazimin 2–2 kundër Parmës.[66] Më 2 maj 2021, pas barazimit të Atalantës kundër Sassuolos në javën e 34tē, Inter u shpall matematikisht fitues i kampionatit katër javë nga fundi, duke i dhënë fund një dominimi 9-vjeçar nga Juventusi.[67] Ky ishte trofeu i parë i Brozović si lojtar i Interit.[68][69] Përgjatë sezonit ai regjistroi dy gola dhe shtatë asiste në të gjitha kompeticionet,[70] si dhe ishte lojtari me më shumë kilometra të përshkruar në kampionat.[71]
Në sezonin 2021–22, Brozović vazhdoi të ishte një lojtar i rëndësishëm në mesfushë nën drejtimin e trajnerit të ri Simone Inzaghi. Më 27 gusht 2021, në fitoren 3–1 në kampionat kundër Veronës, Brozović luajti ndeshjen e tij të 200të në Serie A, duke u bërë kroati i parë që arrin këtë shifër në epokën e tre pikëve për fitore.[72] Më 3 nëntor, ai shënoi golin e parë në Ligën e Kampioneve me Interin në fitoren 3–1 në transfertë kundër Sheriff Tiraspol në fazën e grupeve.[73] Më 11 janar 2022, Brozović fitoi trofeun e dytë me Interin, Superkupën Italiane, duke mposhtur në finale Juventusin 2–1.[74] Disa muaj më pas, ai fitoi edhe Kupën e Italisë, me Interin që mposhti Juventusin sërisht në finale, këtë herë me rezultatin 4–2.[75] Në kampionat, Interi e humbi Scudetton, e cila u fitua nga Milani, por Brozović i'u dha çmimi "Mesfushori më i Mirë i Sezonit".[76]
Më 6 nëntor 2022, ai u rikthye në aksion pas 49 ditësh mungesë në humbjen 2–0 në shtëpi kundër Juventusit, duke zhvilluar ndeshjen e tij të 300të me Zikaltrit.[77] Më 18 janar 2023, ai fitoi sërisht Superkupën Italiane, me Interin që fitoi 3–0 kundër Milanit.[78] Më 24 maj, Interi mposhti 2–1 Fiorentinën për të fituar kupën e 9të në histori.[79] Më 10 qershor, Brozović luajti si kapiten në finalen e UEFA Ligës së Kampioneve 2023 kundër Manchester Cityt, por Interi u mposht 1–0.[80][81] Gjatë këtij sezoni, Brozović e humbi vendin e titullarit për shkak të dëmtimeve të vazhdueshme muskulare por edhe formës së mirë të Hakan Çalhanoğlu.[82] Ky ishte sezoni i fundit i Brozović me Zikaltrit; ai gjithsej luajti 330 ndeshje dhe shënoi 31 gola në të gjitha kompeticionet, duke fituar pesë trofe.[83][84]
Al Nassr
Më 3 korrik 2023, klubi saudit Al Nassr konfirmoi transferimin e Brozović për 18 milion €.[85][86] Ai bëri debutimin e tij zyrtar më 31 korrik duke luajtur 90 minuta në fitoren 4–1 kundër Union Sportive Monastirienne në Kupën e Klubeve Kampione Arabe.[87] Në finalen e turnamentit më 12 gusht kundër Al Hilal, Brozović luajti plot 120 minuta me Al-Nassr që fitoi 2–1 në kohën shtesë falë një dopiete të Cristiano Ronaldos; ky ishte trofeu i tij i parë me klubin saudit.[88]
Brozović luajti ndeshjen e tij të parë në Ligën Profesionale Saudite në humbjen 2–0 kundër Al-Taawoun në javën e dytë.[89] Goli i tij i parë me ekipin erdhi më 22 dhjetor në fitoren 3–1 në shtëpi kundër Al-Ettifaq.[90]
Karriera ndërkombëtare
Brozović është paraqitur me Kroacinë në nivelet nën-18, -19, -20 dhe -21. Me kombëtaren nën-21, ai ishte protagonist në vitin 2013, duke shënuar 7 gola në 8 ndeshje.
Më 31 maj 2014, Brozović u përfshi në listën e 23 lojtarëve të thirrur nga trajneri Niko Kovač për të luajtur në Kupën e Botës 2014.[91] Debutimi i tij me Kroacinë erdhi më 7 qershor në fitoren 1–0 në miqësoren kundër Australisë në Estádio de Pituaçu.[92] Brozović bëri debutimin e tij në Kupën e Botës pesë ditë më vonë, duke luajtur në 26 minutat e fundit në humbjen 3–1 kundër Brazilit.[93]
Pas Kupës së Botës, Brozović u bë një lojtar titullar gjatë kualifikueseve të UEFA Euro 2016, duke formuar një treshe në mesfushë sëbashku me Luka Modrić dhe Ivan Rakitić.[94] Ai shënoi golin e parë ndërkombëtar më 13 tetor 2014 në fitoren 6–0 kundër Azerbajxhanit.[95] Goli i tij i dytë në kualifikuese erdhi në mars 2015 në fitoren minimale 1–0 kundër Norvegjisë.[96]
Në maj 2016, ai ishte pjesë e ekipit që do të merrte pjesë në turnament.[97] Debutimi i tij në UEFA Kampionatin Evropian erdhi në fitoren 1–0 kundër Turqisë në ndeshjen e parë të Grupit D.[98] Më 12 nëntor 2016, Brozović shënoi dopietë në fitoren 2–0 kundër Irlandës në kualifikueset e FIFA Kupës së Botës 2018.[99]
Në maj 2018, Brozović u përfshi nga trajneri Zlatko Dalić në ekipin që do të merrte pjesë në Kupën e Botës 2018 në Rusi.[100] Kroacia arriti deri në finale, ku u mposht nga Franca me rezultatin 4–2. Gjatë turnamentit, Brozoviç ishte një nga lojtarët më të dalluar të ekipit.[101]
Në maj 2021, Brozović u thirr për të luajtur në Euro 2020, e cila u mbajt një vit me vonesë për shkak të Pandemisë së COVID-19.[102] Gjatë turnamentit, ai luajti në të gjitha ndeshjet, me Kroacinë që u eliminua në çerek-finale nga Spanja.[103] Në nëntor 2022, Brozović ishte pjesë e listës me 26 lojtarë që do të luanin në Kupën e Botës 2022; kjo ishte pjesëmarrja e tij e tretë në një Kupë Bote.[104] Gjatë turnamentit, Brozović u aktivizua si titullar në gjashtë ndeshje; Kroacia fitoi medaljen e bronzit pasi mposhti në finalen e vogël Marokun me rezultatin 2–1, ndeshje në të cilën Brozović nuk luajti asnjë minutë.[105]
Profili i lojtarit
Brozović është një mesfushor fleksibël, i aftë për të kryer detyra si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.[106] Ai është një lojtar i cili mund t'i mbulojë të gjitha rolet e mesfushës, edhe pse luan më mirë para mbrojtjes, pozicion në të cilin ai organizon lojën e ekipit.[107] Ishte Piero Ausilio ai që e zbuloi këtë pozicion për Brozović, i cili filloi të rriste nivelin e lojës në këtë pozicion nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti. Edhe pse luan në një pozicion të tërhequr,[108] Brozović ka një instikt për gol; ai mund të gjuaj nga distanca me të dyja këmbët.[41]
Në fushë, Brozović dallohet për staminën, nivelin e punës, ndërhyrjet e sakta dhe vrapimet.[109][110] Ai njihet për zgjarsinë taktike, praninë e fortë fizike dhe aftësinë e jashtëzakonshme të pasimeve.[111]
Jeta personale
Në janar 2010, Brozović mori pjesë në këngën "$agud - Car". Zëri i tij ishte në pjesën hyrëse.[112] Ai u martua në vitin 2016 me Silvija Lihtar; një vit më pas erdhi në jetë fëmija e tyre e parë, Aurora.[113] Në tetor 2019, çifti solli në jetë femijën e tyre të dytë, një djal të quajtur Rafael.[114]
Në verën e vitit 2018, Brozović dërgoi libra shkollor për të gjithë fëmijët e shkollave fillore të fshatit Cerić, Kroaci.[115] Në qershor 2020, ai pagoi për operacionin e një gruaje maqedonase të cilën nuk e kishte takuar asnjëherë.[116]
^"Lokomotiva cilja na ostanak" [Lokomotiva ka për qëllim të qëndrojë]. HrSport.net (në kroatisht). 13 korrik 2011. Arkivuar nga origjinali më 23 janar 2015. Marrë më 29 qershor 2014.
^"Inter put four past Fiorentina". inter.it (në anglisht). F.C. Internazionale Milano. 28 nëntor 2016. Arkivuar nga origjinali më 22 qershor 2018. Marrë më 12 dhjetor 2016.