Festivali i Këngës në RTK, i njohur edhe si Festivali i Këngës dhe joformalisht si Fest, është një konkurs i përvitshëm muzikor në Kosovë që organizohet nga transmetuesi publik Radio Televizioni i Kosovës (RTK) që nga viti 2023. Transmetohet në RTK 1, RTK 2, Radio Kosova 1 dhe Radio Kosova 2, si dhe në RTSH në Shqipëri e në MRT në Maqedoni të Veriut.[1][2]
Konkursi u modelua në bazë të festivalit me të njëjtin emër që mbahet në Shqipëri që nga viti 1962 dhe u përdor si finalja kombëtare shqiptare për Eurovizionin që nga viti 2003. Kosova, dikur pjesë e Jugosllavisë, kurrë nuk ka marrë pjesë më vete në Eurovizion, por konkursi është transmetuar në territor që nga viti 1961 dhe një numër i artistëve kosovarë kanë përfaqësuar Shqipërinë ose Serbinë në këtë ngjarje.
Pavarësisht pamundësisë për t'u bërë anëtare e plotë e Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) për të marrë pjesë në konkurs,[3] në shkurt 2023 transmetuesi kosovar RTK filloi të zhvillojë formatin, me synimin afatgjatë për ta përdorur atë si përzgjedhjen e saj kombëtare për Eurovizion.[4][5] Formati u përcaktua përfundimisht më 7 mars 2023.[6][7][8] Në tetor 2023, pak para nisjes së edicionit të parë, drejtori i festivalit Adi Krasta raportoi se ai kishte qenë në kontakt me njerëz në EBU të cilët kishin shprehur "entuziazëm të jashtëzakonshëm" në lidhje me ngjarjen.[9] Drejtori i Përgjithshëm i EBU-së Noel Curran bëri një paraqitje përmes një videoje gjatë natës së parë të festivalit për t'i shprehur urimet e tij.[10]
Edicioni përurues i Festivalit të Këngës u mbajt në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, me regjisor Adi Krastën dhe nën prezantimin e Krastës, Besim Dinës, Anjeza Shahinit, Edona Kasapollit dhe Edona Rashitajt; ai u përbë nga dy gjysmëfinale më 26 dhe 27 tetor 2023 dhe një finale më 28 tetor 2023.[11][12] Drejtor artistik për këtë edicion ishte Florent Boshnjaku, ndërsa shfaqjet u drejtuan nga Alfred Kaçinari, Edon Ramadani dhe Valton Beqiri; të katërt, si dhe Shpëtim Saraçi dhe Visar Kuçi, shërbejnë edhe si orkestrues.[13]
Një periudhë e paraqitjes ishte e hapur midis 2 qershorit dhe 9 shtatorit 2023 për të zgjedhur 18 aplikime konkurruese. Në festival, një juri prej 5 anëtarësh – të përbërë nga Adi Hila, Alban Nimani, Alma Bektashi, Zake Prelvukaj dhe kryetarja Ulla Sjöström – kanë votuar për t'i përcaktuar pesë të kualifikuarit nga secila gjysmëfinale dhe fituesin e finales.[14][15] Fitues ishte La Fazani (Arbër Salihu) me këngën "Oj Kosovë".[16][17]
Në këtë edicion u paraqitën edhe një sërë interpretuesish të ftuar, përkatësisht Alma Bektashi,[18] Alban Nimani, Dafina Zeqiri,[19], Enver Petrovci,[20] Fitnete Tuda, Genc Salihu, Ilire Vinca me dy vajzat e saj,[21] Irma Libohova,[22] Kamela Islamaj dhe Teuta Kurti,[23] Timo Flloko,[24] Shpat Deda,[25] si dhe Xuxi.[23]
Çelësi:
Kualifikuar për në finale Vendi i parë Vendi i dytë Vendi i tretë