Në cilësinë e kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me nxitjen e kryeministrit Mitrovica dhe ministrit të Brendshëm Xhaferr Deva, ndërmjetësoi me autoritetet ushtarake gjermane për krijimin e divizionit SS Skanderbeg. Studjues e çmojnë të besueshëm pohimin e tij për nxitjen e krijimit të divizionit që shqiptarët të armatoseshin dhe të mos i zinte keq fundi i luftës.[1][2]
Shkollën e mesme e ndoqi dhe e kreu në Robert College dhe studimet e larta nё Degën e Historisë në Universitetin e Stambollit. Në fillim të viteve 1900 punoi për një shtet të përbashkët shqiptaro-maqedon me Shkupin kryeqytet për shqiptarët dhe Selanikun për maqedonasit.[3] Më 1907 negocioi me maqedonasit për një kryengritje të përbashkët dhe më 1908 mori pjesë në demonstratat xhonturke.[4] Ishte anëtar i klubit "Bashkimi" të Shkupit, kryesuar nga Nexhip bej Draga.[5] Më 1908 punonte mësues në Shkup, ndërsa më 1-6 prill 1910 ishte delegat në kongresin e dytë të Manastirit.[3] Ishte ndër konspiruesit dhe organizatorët e kryengritjes së 1910.[6] Në shtator të 1910 gjykata e Prizrenit e dënon me vdekje në mungesë duke e akuzuar për punë konspirative.[4]
Më 1920 bëhet redaktor i gazetës Populli me qendër në Shkodër.[4] Anëtar i Krahut Kombëtar, ishte i vetmi kosovar dakord që korrikun e atij viti të shkarkoheshin të dy vaporat me armë të nisur nga D'Annunzio për në Shëngjin.[9] Prillin e 1921 u zgjodh inspektor në Komisionin Central të Federatës "Atdheu", formuar pas mbledhjes më 25-28 prill 1921 në Vlorë; më pas federata u mbyll nga qeveria Ypi.[10] U zgjodh deputet në zgjedhjet 1921, më 1922 u zgjodh kryetar i Partisë Popullore. Po atë vit përjetoi një shok cerebral, arsye për të cilën u dërgua për kura në Napoli, ku më pas u përmirësua.[11]
Mbështeti Lëvizjen e qershorit, dhe për këtë arsye u arratis dhjetorin e 1924, emigracioni i tij politik zgjati deri më 1930,[3] kur u amnistua. Më 1925 si përfaqësues i Komitetit për Çlirimin e Kosovës u bë anëtar i Konare-s.[12] U kthye dhe qëndroi në Shqipëri deri më 1935, ndërsa emri i tij doli në një raport si pjesë e Grupit Komunist të Tiranës si dhe në kryengritjen e Fierit, por pa pasojë për dënim.[13] Më pas shkoi në Francë deri më 1940. U kthye sërish në Shqipëri dhe regjimi i ri e burgosi në Porto Palermo[3] deri më 13 shtator 1943.
Më 16 shtator 1943 ishte ndër themeluesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe u bë figurë qendrore e lëvizjes. U zgjodh anëtar i grupit të Komitetit Kombëtar, si dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Përkohshëm (KEP) i ngarkuar me Arsimin. Më 1943-1944 qe deputet në Asamblenë Kombëtare, dhe nga janari deri në qershorin e 1944 ishte kryetar i Lidhjes sё Dytё tё Prizrenit[3] me inkurajimin e kryeministrit Rexhep bej Mitrovica dhe ministrit të Mbrendshëm Deva; u mor gjithashtu me ndërmjetësimin me autoritetet naziste për krijimin e Divizionit SS Skanderbeg.[1]
Mbarimi i luftës e gjen në Tiranë, ku u arrestua nga autoritetet komuniste dhe e dorëzojnë te jugosllavët. Më 21 shkurt 1946 gjykata e Prizrenit e dënoi me vdekje, dënimi nuk arrin të zbatohet pasi u helmua dhe ndërroi jetë[3] në spitalin e Prizrenit.[14]
Trashëgimia
Më 1921 u botua në Vlorë në gjuhën frënge një raport mbi krimet dhe grabitjet e bëra shqiptarëve të trevave etnike në Çamëri, Guci, Plavë dhe Rugovë me titullin Les droits de l’Albanie a ses frontieres naturelles. Appel aux nations du monde civilisé.; raporti u përpilua nga Pejani, Kolë Baci dhe Asaf Çami.[15] Po atë vit u botua në Shkodër përkthimi që Pejani kishte bërë në shqipe nga origjinali në frëngjisht memuarin Kujtimet e Hasan Prishtinës. Përkthime të tjetra po nga frëngjishtja vijoi t'i botonte vitet në vijim, si: Japoni modern e shvillimi i tii (Tiranë, 1923) nga Ludovik Naudeau;[16]Historia e përgjithshme (prej Kryengritjes frënge “1789 - 1799” deri më marëveshjet e Lokarnos 1925) (Korçë, 1934) nga Albert Malet dhe Jules Isaak;[17]Demostheni (Korçë, 1934) nga Georges Clemenceau.[18]
I ndihmuar në kohën e emigracionit antizogist si anëtar i Konare-s,[19] më pas u bë anëtar aktiv i Kominternit, ku si i tillë pati korrespodencë të madhe me nofkën Emoraj. Letërkëmbimi i tij ruhet në fondin "Albania: Collection nr. 495, Inventory nr. 188".[1]
Pas kapitullimit të Italisë, këmbëngulja e tij për krijimin e Shqipërisë etnike me çfarëdo mjeti i bëri përshtypje edhe të plotfuqishmit të Gjermanisë naziste në Ballkan Hermann Neubacher.[3][20] Sikurse ishte në stilin e propagandës, Reich-ut iu premtua se divizioni do të mund të mobilizonte 120 mijë deri 150 mijë vullnetarë. Por vetë autoritetet naziste nuk e besonin. Në një telegram të datës 5 maj 1944 të Neubacher drejtuar konsullatës së përgjithshme në Tiranë, Pejani, premtues i kësaj shkalle rreshtimi, cilësohet si "njeri jonormal" ngaqë shifrat ishin demografikisht të pamundura.[20]
Sipas Petro Markos, Babushi - siç e quanin me përkëdheli[1] - i kishte shprehur dhe më pas përmes një promemorieje 13 faqëshe se cilat do të ishin pasojat e kahjes politike që kishte marrë Fronti Nacional-çlirimtar.[21]
Studime
Hakif Bajrami ka punuar një monografi me titullin Bedri Pejani Një jetë e një vdekje për Shqipëri etnike 1885-1946, botuar në Prishtinë më 1994.
Nderime
Më 26 qershor 2012 dekorohet me urdhërin "Nderi i Kombit" nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi me dekretin nr. 7574, të datës 26. 06 2012, me motivacionin "Për meritat e tyre historike si figura të shquara të kombit dhe rolin e tyre madhor në krijimin e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar, si finalizim i luftës dhe përpjekjeve të parreshtura të popullit liridashës shqiptar në rrjedhë të historisë".