Ky artikull dyshohet se përmban hulumtim vetjak apo thënie të pacituara prandaj nuk mund të merret si i saktë. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli.
Shën Asti ishte peshkop i Durrësit në vitin 98 pas Krishtit (emri tij do të thotë “qytetar” ose “i qytetit”)[1].
Ai ishte një udhëheqës i vërtetë, shembull i gjallë i një jete të krishterë aktive për besimtarët e tij, një veprimtar i zellshëm për përhapjen e Ungjillit. Me hipjen në fron si Perandor i Romës (98-117) Trajani përtëriti dekretin e persekutimit të krishterëve në të gjithë Perandorinë Romake[2]. Kështu Asti arrestohet nga paria e qytetit, Numeriu, Nearku, Aglaidhi dhe Ariani dhe pasi nuk pranoi t’i bëjë therore idhujve, e dorëzojnë tek qeveritari Agrikola. Ky u përpoq që në fillim t’i ndryshonte mendjen dhe të mohonte Krishtin e më pas me kërcënime, por pa rezultat. Si një kryefetar i denjë i foli Agrikolës se nuk vlente ai pushtet që përdor forcën e tij për të bërë keq. Qeveritari i tërbuar nga qendrimi i Astit mendoi të hakmerrej djallëzisht. E torturuan, duke e rrahur me kamzhikë prej lëkure kau të pajisur me sfera plumbi, por ai përsëri ngulmoi në besimin tij te Krishti, duke mos e mohuar Atë[3]. E më pas, e lyen me mjaltë dhe e kryqëzuan mbi dru, pranë mureve të qytetit, ku dhe i pickuar nga grenxat dhe insektet e tjera dha shpirtin e tij në duart e Perëndisë dhe i lumur mori kurorën e martirizimit[4]. Ishte kohë vere dhe dielli përvëlonte. Lipsanin e Shën Astit e morën të krishterët dhe e varrosën duke ngritur edhe një kishë mbi të.
Po atë ditë (6 korrik) (sipas disa studiuesve 7 korrik) me Shën Astin dhanë jetën e tyre si dëshmorë të Krishtit dhe 7 besimtarë të tjerë që quheshin: Peregrini, Lukiani (Luçiani), Pompeu, Hisiki, Papia, Saturnini, Gjermani, të gjithë nga Italia[5]. Meqënëse atje ata përndiqeshin, erdhën me një anije në Durrës, për të shpëtuar. Këtu duke parë Shën Astin, episkopin e Durrësit, të varur në kryq, të lyer me mjaltë dhe të pickuar nga grenxat dhe insektet, për besimin e Krishtit filluan ta lumëronin atë dhe t’i thurnin lavde e për këtë ata u arrestuan. Këta deklaruan se ishin të krishterë. Qeveritari i tërbuar nga vendosmëria e Astit dhe i befasuar nga vendosmëria që të 7-të këta pohuan se ishin të krishterë, urdhëroi dhe i mbytën në detin Adriatik, kështu të lumurit morën kurorën e pavyshkur të martirizimit. Mbas 70 vjetësh dëshmorët iu shfaqën Kryepeshkopit të Alesios (Lezhës). Ky i gjeti lipsanet e çmuara të tyre të futura në rërë, i mori e i varrosi me nderim dhe u ndërtoi një kishë të vogël për nder të tyre.
Nderimi i shenjtorit
Shën Asti është shenjtor tepër popullor ndër besimtarët e krishterë ortodoksë të Durrësit, aq sa edhe mjaft qytetarë të tij mbajnë emrin e tij, si dhe për nder të tij janë ndërtuar edhe kisha (historianë, kronistë dhe arkeologë dëshmojnë mjaft për të, ku ndër të tjera përmendim katedralen e madhe për nder të Shën Astit dhe Isavrit në shek.13-14, në Spitallë në vitin 1917, në varrezat e qytetit rreth vitit 1957, pranë portit 2002).
Për Hierodëshmor Astin janë hartuar dy shërbesa kishtare me himne, të cilat këndoheshin ditën kur populli e kremtonte bashkëqytetarin e tyre[6].
Shërbesa e parë ka qenë hartuar nga Josifi Himnografi i shekullit IX, ku një kopje e saj ruhet në një dorëshkrim, në Bibliotekën e Parisit në kodikun greqisht 13, f. 330a dhe 1575, f. 145b.
Shërbesa e dytë është hartuar në vitin 1918 me titull “Shërbesë e kënduar e Shenjtit, hierodëshmor të lavdëruar Astit, Peshkop i Durrësit, hartuar nga Mitropoliti i Durrësit, Gorëmokrës dhe Shpatit, Jakovi, dhe e miratuar nga Kisha e Madhe e Krishtit shtypur me shpenzimet e të nderuarit Mihail Thoma Truja nga paria e Durrësit, në Kostandinopojë (Stamboll), 1918”.
Ky shenjtor nderohet dhe festohet si në Kishën e Lindjes (6 Korrik[7]), ashtu edhe të Perëndimit (7 Korrik).
Referime
Jeta e Shenjtorëve në Kishën Ortodokse, Bashkimi Ortodoks Kristian "Kryqi i Nderuar", Selanik1996.
Γιαννουλάτος Aναστάσιος, “Εκκλησία της Αλβανίας: Ιστορική – Πνευματική Παράδοση. Τέχνη” në librin Χριστόπουλος Γεώργιος Α., Ο ΘΗΣΑΥΡΟΣ ΤΗΣ ΟΡΘΟΔΟΞΙΑΣ. 2000 Χρόνια, Ιστορία • Μνημεία • Τέχνη, Β΄ Τόμος - Πατριαρχεία και Αυτοκέφαλες Εκκλησίες, Εκδοτική Αθηνών, Αθήνα, 2000. (Kryepeshkopi Anastas, THESARI I ORTODOKSISË 2000 Vjet Histori - Monumente - Art. Vol. II - Patriarkanat dhe Kishat Autoqefale).
^Protopresviter Thomas Hopko, Besimi Orthodhoks V. III, Shkrimi i Shenjtë dhe Historia e Kishës, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2000, fq.173.