Animimi (latinisht: animare, "ringjallue"), është çdo teknikë ku pamjet dhe figura përpunohen për të dhënë idenë e lëvizjes. Në metodën tradicionale të animimit, panelet filmike dhe sfondet vizatohen me dorë në filma transparent (celuloid) dhe fotografohen. Fotografitë e një pas njëshme përbëjnë panelet filmike që ngjiten në shiritin filmik përfundimtar i cili kur luhet në projektor krijon idenë e lëvizjes. Në kohën e sotme është shumë e përhapur teknika e pamjeve prej përllogaritjeve numerike që krijojnë pamje me shumë detaje në tre (3D) apo në dy dimensione (2D). Teknika të tjera edhe më të hershme se ajo tradicionale janë ajo e kukullave, figurave prej balte, e letrave të prera etj.
Një person i cili merret me animim, emërtohet animator.
Historia
Për qindra vite më parë, para se të arrinim në teknologjitë e fundshekullit të XIX-të, animimi ishte gjithsesi i zhvilluar në trajta më të thjeshta si ajo e lëvizjes së kukullave, lojës së hijeve, aparateve automatike, projeksionet e para me llampa dhe lente etj.[1]
Me shpikjen e teknologjive më të përparuara për shiritat filmik dhe projektorët, si dhe me themelimin e ndërmarrësisë së filmit dikur rreth 1895, paralelisht lind edhe ndërmarrësia e filmave të animuar si pjesë e saj. Ajo do të lindë si një ndërmarrësi e mirëfilltë pas shpikjes së printimeve litografike[2] me ngjyra që përdoreshin për të krijuar laqe filmike që përsëriteshin pafund në projektorët e posaçëm. Këto vizatime kryesisht bëheshin duke vizatuar përmbi imazhe të fotografuara. Kjo teknikë që do çojë më pas në shpikjen e rotoskopit që do përdoret shumë në teknikën tradicionale të animimit deri nga vitet 1950.
Filmi i parë i animuar i suksesshëm është ai në 1907, "Hoteli me fantazma" (anglisht: "The Haunted Hotel"), nga J.Stuart Blackton[3]. Ky film i animuar u realizua me teknikën ndal-lëvizje. Filmi "Fantazmagorie" i Emile Cohl është filmi i parë i njohur në teknikën tashmë tradicionale të vizatimit me dorë të çdo paneli filmik.[4] Ladislas Starevich ka krijuar filmat e parë me teknikën e kukullave[5].
Filmi i parë i animuar me zë është "Shtëpia ime e vjetër në Kentaki" (titulli origjinal në anglisht "My Old Kentucky Home") nga Max Fleischer në vitin 1926. Filmi i parë i animuar me ngjyra është "Lule dhe Pemë" (titulli origjinal në anglisht "Flowers and Trees") në vitin 1932 nga Walt Disney me teknologjinë e re technicolor[6].
Filmi i parë i plotë (ose me metrazh të gjatë, ose kino film) është "El Apóstol" nga italo-argjentinasi Quirino Cristiani në vitin 1917[7]. Të gjithë filmat e animuar përpara tij ishin filma të shkurtër. Ky film u ralizua në teknikën me kartona.
Filmi i parë i animuar i prodhuar në Shqipëri është "Vajza me pata" nga "Kinostudio Shqipëria e Re" në vitin 1975[8]. Ky film ishte realizuar në teknikën me kukulla dhe është film i shkurtër.
Filmi i parë i animuar i realizuar në Maqedoninë e Veriut është "Embrio № M" (jo në gjuhën shqip) në 1971 por filmi i animuar shqip është i pazhvilluar. Gjithahstu filmi i animuar është i pazhvilluar në Mal të Zi në përgjithësi dhe për komunitetin shqiptar po ashtu.
Në vitet 1950 filmat e animuar filluan të shfaqen në ekranet televizive përveç kinemave. Në vitet 1970 zhvillimet në përllogaritjet numerike me makina (pamje të përllogaritura elektronikisht - në anglisht CGI) kishin arritur pikën e tillë që mund të zbatoheshin për podhimin e pamjeve të filmave të animuar. Filmi i parë i prodhuar krejtësisht me teknikën e përllogaritjeve elektronike është "Shpëtimtarët nga poshtë" (titulli origjinal në anglisht "The Rescuers Down Under") nga Walt Disney në 1990. I gjithë prodhimi që dikur bëhej me vizatime në celuloid dhe fotografimi me kamera në këtë film u bë me kompjuter.
Vlera Tregut
Sot ndërmarrësia në animim vlerësohet të ketë një vlerë tregu botëror prej qindra miliard dollarëshë, rreth 270 miliard dollarë në 2020[10].
Për sa i përket tregut shqipfolës, ai është shumë më i madh se shtetet e veçanta të cilat po të merren së bashku përbëjnë territorin e banuara nga shqiptarë. Përveç këtij territori në Ballkanin perëndimor ku ka poullsi shqipfolëse ka edhe një popullsi po aq të madhe shqipfolëse që jeton jashtë shtetit Shqipëtar, Kosovar, Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi, pra në emigracion nëpër botë.
Por vlera më e madhe prodhimeve në animim është fakti se tregu global vjen gjithnjë duke u shkrirë në një të vetëm, falë zhvillimeve teknologjike. Edhe përkthimet e filmave nga një gjuhë në tjetër bëhen më shpejtë dhe produktet, filmat, janë më të gjendshëm pranë shikuesve.
2030
2034 - Toka
Ndërmarrësi të ndërlidhura: mjete të tjera komunikimi, mallra dhe parqe tematike
Shpesh filmat burojnë nga mjete të tjera komunikimi si librat apo vizrrëfejat. Shumë shpesh idetë testohen në këto mjete përpara se të ndërmerren nisma për të nisur procesin për kthimin në një film të animuar, proces që zakonisht është i kushtueshëm. Rast i tillë është ai i vizrrëfejave të prodhuara në ShBA dhe Japoni. Vizrrëfejat më të sukseshme kthehen në filma të animuar (seriale ose me metrazh të gjatë) si ato të studiove Marvel Comics në ShBA, krijuesit e vizrrëfejës Spider-Man apo Bird Studio (Akira Toriyama) në Japoni, krijuesit e vizrrëfejës Dragon Ball.
Gjithashtu suksesi dhe fama e personazheve të filmave ka çuar në krijim me sukses të mallrave nga më të ndryshmet që bartin imazhin e personazheve të filmave të animuar. Mallra të tilla si veshje, çanta etj. që në shimicën e rasteve i drejtohen grupmoshave të fëmijëve dhe të rinjve që janë dhe shikuesit e këtyre filmave.
Një tjetër ndërmarësi me shumë treg të madh sot në botë që ndërlidhet me filmat e animuar janë lojërat për gjithë grupmoshat. Përmendim këtu lojërat me letra apo edhe lojrat elektronike. Shumë shpesh filmat e animuar janë krijuar enkas për të tregëtuar produkte lojërash elektronike si video lojëra etj. Rasti i Pokemon është shembulli tipik në historinë e filmave të animuar[11].
Gjithashtu një ndërmarrësi shumë e lidhur me botën e animimeve është ajo e parqeve tematike ku parqet ndërtojnë argëtime të bazuara në peisazhet, ambjentet dhe personazhet e shfaqura në filmat e animuar. Shebulli tipik këtu është ai i parqeve të Walt Disney Company në disa qytete nëpër botë[12].
Shumë nga filmat e shkurtër të prodhuar në periudhën e artë të animimit (1900-1950) ishin në formën e serialeve ku episodet nuk kishin vazhdimësi në tregimin që paraqesnin. Pra ishin seriale episodike. Të tillë nëpër botë mund të përmendim filmat e Walt Disney "Komeditë e Lizës" në 1924 (titulli në origjinal anglisht "Alice Comedies"[13]) etj. gjithashtu edhe seriali të mëvonë si Simpsons në 1989 etj.[14]
Me përhapjen e televizionit dhe transmetimit e filmave të animuar, si dhe me përmirësimin e teknikave të prodhimit të filmave të animuar, fillojnë të shfaqen edhe filma të animuar si seriale ku tregimi është i vazhdueshëm nga episodi në episod. Pra përveç harkut të vet episodit, tregimi ndjek edhe një hark më të madh që zhvillohet përgjatë gjithë episodeve të një sezoni. Zakonisht episodet e reja të sapo prodhuara nxirren në transmetim një herë në javë. Në varësi të teknikës së animimit të përdorur, puna për krijim e episodeve mund të ketë nisur muaj përpara se të arrihet në përfundimin etij dhe transmetimin. South Park është një nga shembujt më të mirë ku skenari dhe realizimi me teknikat kompjuterike (që rikrijojnë teknikën e kartonave në kompjuter) arrihet vetëm në disa ditë[15]. Kjo e mundëson South Park të jetë një serial që trajton në episodet e tij edhe materiale nga ndodhitë që kanë ndodhur veç disa ditë më parë duke e bërë një nga serialet më aktual me ngjarjet e javës apo edhe ditës.
Disa seriale të famshme nëpër botë edhe në territoret shqiptare:
Filmi i parë seri i animuar në Shqipëri është "Pipiruku" (Pipiruku pret dy "miq" - 1983; Pipiruku në pallat - 1985; Pipiruku në hambar - 1988) dhe "Zogu pushbardhë" (gjashtë episode 1983-1986). Në të dy rastet kemi të bëjmë me seriale episodike ku episodet nuk kanë detyrimisht vazhdimësi por ekzistojnë si histori më vehte.
Filmi i animuar i plotë, me metrazh të gjatë, konkuron bindshëm me filmin e aktruar jo vetëm për nga cilësitë artistike por edhe për të ardhurat që fitojnë. Rast më ekstrem është ai i tregut kinematografik të Japonisë ku filmat a animuar krijojnë më shumë të ardhura se filmat e aktruar[16].
Filmat a animuar vazhdimisht konkurojnë me filmat e aktruar nëpër festivale apo çmime, si ato Oscar, duke u shpallur si konkurent në shumë prej kategorive.
Disa nga filmat e famshën në historinë e filmave të animuar:
Epoka e re e animimit që lindi qysh në vitin 1908 në thelb kishte një metodë: krijim e çdo paneli filmik dhe luajtja e tyre për të krijuar idenë e lëvizjes. Për krijim e këtyre paneleve janë përdorur disa teknika.
Vizatim
Në teknikën e vizatimit (ang. traditional animation ose ang. cel animation ose së fundmi ang. 2D animation për ta dalluar nga teknikat më të fundit kompjuterike ang. 3D animation) personazhet vizatohen me dorë për çdo panel filmik.
Rotoskop
Për të përmirësuar cilësinë e vizatimeve dhe për të rritur shpejtësinë e krijimit të vizatimeve, Max Fleischer shpik rotoskopin në 1915 që lejonte vizatimin panel për panel të filmave të aktruar të mëparshëm[17]. Pra lëvizjet e personazheve aktroheshin me aktorë dhe filmoheshin pastaj krijoheshin vizatimet duke parë lëvizjet në këto filma të aktruar. Kjo jepte vërtetësi dhe shpejtësi në krijimin e vizatimeve dhe përfundimin e filmit vizatimor.
Aktrim dhe vizatim
Teknika e aktrim dhe vizatimit (ang. live-action/animation) përfshin kombinimin e filmimeve të aktrimit të aktorëve me filmime të vizatimeve të animuara. Kjo teknikë është përdorur shumë sidomos në fillimet e filmave të animuar për të tërhequr dhe për të krijuar përshtypje tek publiku: në film shfaqej piktori që niste vizatimin në letër dhe vizatimi merrte jetë nëpërmjet animimit dhe si piktori/aktori dhe personazhet bëheshin pjesë e filmit. Edhe më vonë kjo teknikë është përdorur me sukses, p.sh. filmi Kush futi në kurth Lepurin Roxher (titulli origjinal në ang. Who Framed Roger Rabbit) nga Ualt Diznej.
Ndal-lëviz
Teknika ndal-lëviz (ang. stop-motion) bazohet në pozicionimin e objekteve dhe personazheve në pozicionin e duhur dhe fotografimin. Kështu krijohet një panel filmik. Pastaj për panelin e radhës objektet lëvizen në pozicionin e ri dhe pastaj fotografohen serish. Kështu krijohet paneli i dytë. Këto veprime përsëriten derisa krijohen të gjitha panelet e nevojshme për të krijuar shiritin filmik. Kjo teknikë përfshin disa nën lloje si filma me kukulla, filma me plastelinë etj.
Kukulla
Teknika me kukulla (ang. puppet animation) përdor kukulla të vendosura në sfonde 3 dimensionale dhe vendosen në pozicionin e duhur për çdo panel dhe fotografohen. Filmi i parë i animuar shqip u realizua me teknikën me kukulla, filmi "Vajza me pata" në 1975.
Kartona
Sipas teknikës me kartona (ang. cutout animation) objektet, sfondet, peizazhet dhe personazhet vizatohen në letër të trashë ose kartona dhe kartonat priten sipas konturit. Këto kartona pastaj lëvizen dhe fotografohen për çdo plan filmik. Ndryshe nga teknika me vizatim kjo teknikë kursen kohë sepse nuk rivizatohet objektet dhe personazhet. Por kjo teknikë nuk lejon atë zhdërvjelltësi në lëvizje apo atë rrjedhshmëri si teknika e vizatimit. Një nga filmat e parë të animuar me metrazh të gjatë në botë është realizuar me këtë teknikë, filmi "Ndodhitë e Princ Ahmetit" (titulli origjinal Die Abenteuer des Prinzen Achmed) në 1926 nga Lotte Reiniger.
Plastelinë
Teknika me plastelinë (ang. clay animatio ose ang. plasticine animation ose ang. claymation) objektet, sfondet, peizazhet dhe personazhet krijohen prej materialit të pplastelinës. Këto sende plasteline ndryshohen në pozicionet e reja dhe fotografohen për çdo plan filmik. Kjo teknikë ka më shumë lëvizshmëri sesa ajo me kukulla falë plastelinës dhe vetive deformuese të saj.
Pamje të përllogaritura elektronike
Teknika me pamje të përllogaritura elektronike (ang. computer graphic imagery ose shkurt ang. CGI) përfshin të gjithë programet që përdoren për të krijuar panelet filmike. Pra në këtë teknikë gjithçka mund të jetë e përllogaritur elektronikisht me programe. Këto programe mund të zëvendësojnë teknikat e lartpërmendura. Vizatimi me dorë dhe fotografimi zëvendësohen me vizatimin në kompjuter dhe vendosja e vizatimeve në programe për të krijuar filmin përfundimtar. Teknika e kartonave dhe ndal-lëviz mund të rikrijohet me programet 3 dimensionale krejtësisht në kompjuter.
Teknika të kombinuara
Filmat e animuar mund të përdorin edhe kombinime teknikash për të arritur rezultatin përfundimtar.
^"歴代ランキング - CINEMAランキング通信". web.archive.org (në japonisht). 2021-03-05. Arkivuar nga origjinali më 5 mars 2021. Marrë më 2021-03-06.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)