Xhamia e Iljaz bej Mirahorit (tr. Mirahor Camii) është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e qarkun e Korçës, Shqipëri.[1] Si faltorja e dytë më e vjetër islame në viset shqiptare,[2] çmohet ndër monumentet më të rëndësishme të arkitekturës osmane në Shqipëri duke u bërë gurthemeli i qendrës të kasabasë së Korçës duke qenë edhe monumenti më antik i këtij vendbanimi.[3]
Historia
Xhamia u ndërtua më 901 H (1495/86;[4] sipas Vlorës që më 1465) nga Iljaz bej Mirahori në vakëfin e tij, tregues ky i të parit vakëf në trojet shqiptare,[5] dhe xhamia e parë me kube e ndërtuar në viset shqiptare. Veprat e ndërtuara në Piskopiye qenë një xhami, një imaret dhe një muallimhane. Për mirëmbajtjen e këtyre themelimeve, Iljaz Beu lëvroi të ardhurat e katër fshatrave në krahinën e Görice-s, një fshat në Përmet, një hamam dhe shtatë dyqane në Stamboll, një hamam dhe një mulli në Janinë.[6]
Mbishkrimi mbi të cilin bazohet datëthemelimi është i vitit 1872/73, duke qenë se i vjetri nuk është ruajtur. Mbishkrimi i gdhendur në një pllakë të madhe guri me pesë rreshta është në vargje osmane, mendohet se ka disa gabime dhe mund të jetë shkruar prej dikujt - me shumë gjasë shqiptar - me njohuri të përgjithshme, por jo të plota të turqishtes osmane.[7]
Zotëria i Punëve të Mira dhe të Bukura, i ndjeri Mjeshtër i Kuajve, Iljaz Bej, e ngriti veprën më 901
Mehmed Beu me kënaqësi e mbuloi atë me plumb më 980
Më 1249 Dervish Islam Beu e riparoi për të parën herë
Më 1285 Salih Beu shkëlqyeshëm e riparoi për të dytën herë
Përbëhet nga salla e lutjeve me përmasa të mëdha, e mbuluar me kupolë mbi tambur, e cila paraprihet nga hajati I hapur nga një arkadë me harqe të mprehta mbi mbështetje masive, i mbuluar me tri kupola të vogla. Në skajin veriperëndimor të sallës ngrihej minareja,[8] e cila u shemb prej tërmetit të 1961.[9] Mori statusin monument kulture në vitin 1948.[10] Ky monument është i llojit "Arkitekture", i miratuar me numër "586 e 4874" më "17.03.1948, 23.09.1971".
^Vlora, Eqrem bej; Von Godin, Marie Amelie von Godin (2010) [1956]. Kontribute në historinë e sundimit turk në Shqipëri: një Skicë Historike (gjerm. Beiträge zur Geschichte der Türkenherrschaft in Albanien: eine historische Skizze). Vëll. 1. Tiranë: Shtëpia Botuese "55". fq. 186–187. ISBN978-99943-56-83-6.