Tarikati (nga arabishtja طريقة ṭarīqah përmes turqishtestarikat) është shkollë e sufizmit, ose më saktë është një koncept për mësimet mistike dhe praktikat shpirtërore të një urdhëri të atillë me mëtimin për të kërkuar hakikatin ("të vërtetën e përfundme"). Ndër shqiptarët më i njohur është tarikati Bektashij.
Histori
Një tarikat ka një prijës, të quajtur murshid ose pir që luan rolin e një drejtuesi a udhërrëfyesi shpirtëror. Anëtarët apo ndjekësit e një tarikati njihen si muridë, që do të thotë ashikë, të dhënë pas, të dëshiruar, me fjalë të tjera "dëshirimi i njohjes së Zotit dhe dashurimit të Zotit" (quajtur edhe fakirë).
Fjala tarikat bashkëndan të njëjtin kuptim me Sheriatin (udhë, më saktë udhë e rrahur, shtegu për tek pusi). Kuptimësia metaforike e "shtegut" të tarikatit mëton për rrugëtimin e mëtejmë që ndërmerr mistiku, që vijon nga shtegu i rrahur ekzoterik i Sheriatit për tek hakikati ezoterik. Dera e katërt pas sheriatit, tarikatit dhe hakikatit quhet marifa/marifeti. Kjo është "qendra e pashikueshme" e hakikatit, synimi i mistikut, përkuese me unio mystica të mistikës perëndimore.
Në Shqipëri
Sipas Eqrem bej Vlorës, ndryshimi konfesional ndër viset arbëroro-shqiptare është vepër e tarikateve të ndryshme të dervishëve shtegtarë që janë shfaqur në Ballkan përpara se të dukeshin trupat osmane dhe, falë forcës së tyre bindëse, patën shumë ithtarë të cilët u treguan shumë të dobishëm për pushtuesin turk, kur ai erdhi në këto anë. Autoritetet osmane kanë pak ose aspak dorë në këtë proces nistor. Si shembuj Vlora sjell Kalkandelët në Tetovë dhe Teqenë e Sheh Hashimit në Janinë.[1][2]