Stadiumi është quajtur me emrin e ish-lojtarit dhe kapitenit të klubit Rexhep Rexhepi, i cili duke luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ra dëshmor më 12 shkurt të vitit 1999.[1] Në dhjetor të vitit 2012, filloi puna në terren, në mënyrë që të renovohej e vetmja fushë e futbollit në Drenas. Renovimi u bë me fondet të cilat erdhën nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në janar të vitit 2014 udhëheqja komunale, filloi të kërkojë investime nga qeveria qendrore dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të përfunduar renovimin e plotë të stadiumit.[2] Kjo u arrit më 23 Maj të vitit 2014, kur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve së bashku me komunën e Drenasit nënshkruan marrëveshjen për investimin e 100,000 € për tri faza të procesit të rinovimit.[3] Etapa e dytë kishte përfunduar gjatë sezonit 2014-15, ndërsa faza e tretë ka përfunduar pas përfundimit të sezonit në verën e vitit 2015.[4]