Shefqet Dajiu lindi në Elbasan më 1882 ku edhe kreu mësimet e para në idadijen e vendlindjes. Më pas, në vitin 1905 ai vazhdoi studimet në Stamboll për Drejtësi. Kthehet në Shqipëri dhe emërohet prefekt në Skrapar dhe Pogradec. Vazhdoi veprimtarinë patriotike, të nisur në kryeqendrën e Turqisë. Përshendeti organizimin e Kongresit të Elbasanit dhe hapjen e Normales, ngjarje këto që mbartnin në vetvete edhe kontributin e madh të Shefqet Dajiut.
Kryengrita e përgjithshme e gjeti në Dibër, duke hapur shkolla shqipe e duke shpërndarë tekstet e shqipes. Në nëntor 1912, gjendet ne Vlorë, si delegat i Elbasanit,[1] sekretar i Kuvendit që shkroi në osmanisht Aktin e Pavarësisë,[2] të cilën e nënshkroi me siglën “Shefqet Daji”.[3] Nga viti 1914-1920 punoi si avokat në qytetin e Elbasanit. Në vitin 1919 botoi një “Abetare” në gjuhën shqipe. Ndërsa në vitet `20 ishte deputet në Parlament.
Bashkëpunoi me Aleksandër Xhuvanin në shoqërinë kulturore “Qarku letrar” si dhe në revistën e përkohshme të këtij klubi "Kopështi letrar".
Më 17 dhjetor 1945, me vendim nr. 451, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Qendrës së Elbasanit urdhëroi sekuestrimin e pasurisë së tij të lujtëshme dhe të palujtëshme. U vra në vitin 1946.[1]