Senati i Shteteve të Bashkuara është dhoma e lartë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Përbërja dhe kompetencat e Senatit janë themeluar nga Neni 1 i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.
Senati përbëhet nga senatorë që përfaqësojnë secilin prej shteteve, ku secili shtet përfaqësohet në mënyrë të barabartë nga dy senatorë, pa marrë parasysh popullsinë e tyre, që shërbejnë për gjashtë vite me radhë. Me pesëdhjetë shtete aktualisht pjesë të Shteteve të Bashkuara, Kongresi përbëhet nga 100 senatorë.
Nga 1789 deri në 1913, Senatorët emëroheshin nga legjislaturat e shteteve që përfaqësonin, por pas ratifikimit të Amendamentit të Shtatëmbëdhjetë në vitin 1913, ata tani zgjidhen në mënyrë popullore.
Dhoma e Senatit është e vendosur në krahun verior të Kapitolit, në Uashington, D.C. Si dhoma e sipërme, Senati ka disa kompetenca këshillimi dhe pëlqimi, të cilat janë unike për të. Këto kompetenca përfshijnë:
- Ratifikimin e traktateve dhe ligjeve
- Konfirmimin e sekretarëve të kabinetit, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, gjyqtarëve federalë, zyrtarëve të tjerë ekzekutivë federalë, zyrtarëve rregullatorë, ambasadorëve dhe oficerëve të tjerë federalë me uniformë.
- Në rastet kur asnjë kandidat Presidencial nuk merr shumicën e zgjedhësve, Senati zgjedh zv.Presidentin prej dy garuesve kryesorë, i cili merr përkohësisht kompetencat e Presidentit deri në zgjedhjen e tij.
- Miratimi i vendimeve të Dhomës së Përfaqësuesve.
- Kthimi i dekreteve presidenciale për rishikim nga Presidenti.
Senati konsiderohet gjerësisht si një organ më i rëndësishëm dhe më prestigjioz se Dhoma e Përfaqësuesve, për shkak të kompetencave të gjera, madhësisë më të vogël dhe përfaqësuesve të dalë prej zonave të gjera elektorale, të cilat historikisht e kanë kthyer këtë dhomë në një organ më kolegjial dhe me më pak atmosferë partiake.
Zyrtari kryesues i Senatit është Zëvëndës Presidenti i i Shteteve të Bashkuara, i cili është njëkohësisht dhe President i Senatit. Në mungesë të tij, Senati kryesohet nga presidenti Pro Tempore, i cili zakonisht është anëtari më i lartë i partisë që mban shumicën e vendeve në Senat.
Shiko edhe
Referime