Robert Radoja (Bolonja, 15 prill 1938) është një kompozitor dhe pedagog shqiptar.
Biografia
U lind në Bolonja. Në vitin 1951 fillon studimet në Liceun Artistik në Tiranë për piano. I mbaron ato në vitin 1959. Në vitin 1962 fillon studimet e larta në Konservator ku edhe diplomohet për Piano në vitin 1966. Po në këtë vit fillon punën në Pallatin e Pionierëve në Tiranë në sektorin e Muzikës. Gjatë kësaj periudhe ai orkestron këngë të muzikës së lehtë duke qenë prezent në rreth 40 festivale si ato të zhvilluara në Radio Televizion ashtu dhe ato të Këngës për Fëmijë. Në vitin 1981 emërohet Redaktor i Muzikës në kinostudion “Shqipëria e re”. Në këtë detyrë punon deri në vitin 1986. Robert Radoja që prej vitit 1985 është pedagog në Akademinë e Arteve, Dega Piano, si dhe pedagog për Muzikën e Dhomës dhe Shoqërime në klasën e Flautit . Kompozimi i tij i parë në muzikën filmike ishte në vitin 1970 me muzikën e filmit “Guximtarët”. Në Festivalin e 41-të në Radiotelevizion, të zhvilluar në Tiranë prej datës 13 deri në 15 dhjetor të viti 2002, puna e tij e palodhur në vite u vlerësua me “Çmimin e Mirënjohjes”.
Referime