Qyteti plak roman me autor Saimir Muzhaka. Shtëpia botuese "Onufri", viti i botimit 2017. Faqet e librit 167. ISBN 978-9928-226-82-2
Ngjarjet zhvillohen në qytetin e Beratit, një qytet të cilin jemi mësuar ta shohim nëpër kartolina e ta vlerësojmë si një nga më të bukurit në Shqipëri, të fortë e të palëkundur. Megjithatë, ky roman shkon përtej sipërfaqësores, ai na fut në brendësi të qytetit i cili është i mbushur plot pasiguri dhe frikë, duke na paraqitur kështu një tablo të plotë të realitetit ku banorët e Beratit (dhe jo vetëm) jetojnë.
Një tërmet i rënë vite më parë qëndron si një fantazmë që vazhdon të trazojë vendasit dhe të ardhmen e tyre. Tre të rinj ndërrojnë jetë në të njëjtën ditë për shkaqe të pashpjegueshme. Të jetë një mallkim, një paralajmërim për një tjetër tërmet apo përtej të gjithave ka një arsye logjike, shkencore?
Geraldi është një i ri, i cili pas studimeve në Tiranë, kthehet në vendlindje dhe dashur pa dashur e gjen veten pjesë të një grupi hetimor mbi shkaqet e ndodhive në qytet. Ai do të intervistojë familjet e tre të vdekurve e do të mundohet të shpjegojë çfarë ka ndodhur me ta. Por a mund të shpjegohet vdekja, a mund të mendojmë si ajo e të kuptojmë se cilin zgjedh të marë me vete?