Qyteti pa reklama është një roman i shkruar nga Ismail Kadare më 1959 gjatë periudhës kur ishte me studime në Bashkimin Sovjetik. Kadare e filloi romanin në Tiranë dhe e vazhdoi në Moskë duke përdorur kaseta regjistruese.[1]
Përmbajtja
Thelbi i romanit është karrierizmi.[1] Protagonisti i romanit është mësuesi i ri Gjon Kurti, i cili dërgohet në qytetin provincial N për të dhënë mësim, përkundër dëshirës së tij për të qëndruar në kryeqytet dhe për të pasur karrierë akademike. Aty njihet me kimistin Mentor Rada dhe poetin Eugjen Peri. Gjonit i duket vetja i dështuar. Thur një plan për tu bërë profesor i Akademisë në Tiranë.[1]
Fton miqtë e rinj Mentorin dhe Eugjenin që të bashkëpunojnë në falsifikimin e një dokumenti. Plani i tij është që të shkruajë një tekst jofetar në dialektin toskë të cilin e flisnin shumica e anëtarëve të lartë të partisë komuniste dhe ta datojë në vitin 1387. Dokumenti duhej të ishte i pëlqyeshëm për Akademinë e Shkencave dhe të vërtetonte se vetëdija klasore u shfaq te toskët dhe jo te gegët.[1]
Gjoni merr përsipër shkrimin e kësaj letre, Mentori do përgatiste letrën dhe bojën, kurse poeti Eugjeni do të falsifikonte një fragment të një poezie të humbur të Andon Zako Çajupit e cila do të përforconte mesazhin e letrës se shqiptarët duhet të luftojnë kundër klasave shfrytëzuese.[1]
Kritikë
Gjatë qëndrimit në Moskë kishte shkruar romanin "Qyteti pa reklama" duke sfiduar qëllimshëm rregullat e realizmit socialist. Për shkak të temës delikate të romanit, që bënte fjalë për studentë të shthurur e amoralë që arrijnë suksesin me anë të falsifikimeve, e që ishte në kundërshtim të plotë me realizmin socialist, romani mbeti pa u botuar.[2] Qyteti pa reklama është kritikë e fuqishme ndaj socializmit shqiptar.[3]
Referime
^ abcdePeter Morgan (2011). Ismail Kadare: shkrimtari dhe diktatura, 1957-1990 (në anglisht). Tirana: Shtëpia botuese 55. fq. 54–55. ISBN9789928106124.