Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë ishte qeveria e parë krijuar nga Kuvendi i Vlorës me 4 dhjetor1912.
Krijimi i saj u vendos nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i cili me kërkesë të Ismail Qemalit e caktoi vetë përbërjen e qeverisë. Ismail Qemali, veç detyrës së kryetarit të qeverisë, mbajti edhe atë të Ministrit të Jashtëm. Kuvendi zgjodhi edhe Pleqësinë, që funksiononte si organ këshillues e mbikëqyrës i qeverisë. Shumë krahina u bashkuan me Qeverinë e Përkohshme të Vlorës duke e njohur atë si qeveri të të gjithë Shqipërisë. Qeveria arriti rezultate të rëndësishme në krijimin e aparatit shtetëror dhe në krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane.