Leu në Orosh të Mirditës, asokohe nën Sanxhakun e Shkodrës, i biri i Bib Dodë Pashës dhe Hides së Hasan Ajazit.[1] Me vdekjen e të atit, edhe ai ushtarak i lartë i Perandorisë, paria e konakut të Gjonmarkut dhe kajmekamllëku i Mirditës i lihet një kushëriri të tyre.
Fëmijërinë e vet e kaloi në Stamboll, prej ku kthehet në Mirditë më 1876. Me zhvillimet e Lidhjes së Prizrenit më 3 prill 1880 u emërua zëvendës i Hodo pashë Sokolit për degën e Shkodrës. Me ta marrë vesh këtë, Porta e Lartë e internoi në Kastamuni të Azisë së Vogël.[2] Atje nisi të njihej me emrin Ahmet Pasha, dhe madje u bë myteveli (kujdestar) i një xhamie.[3] Për t'u liruar nga internimi e ndihmoi Syrja bej Vlora.[4] U vendos në Liban, ku në sajë të kontakteve tregtare me agjencitë e interesuara për shfrytëzimin e resurseve të Mirditës, familja e Malhamëve në Beirut, i bëri kërkesë Stambollit që ta emëronin Dodën mytesarif i Malit të Libanit si zëvendësues për Vaso Pashën.[5] Më pas nisi punë në Stamboll, me punë në Pallatin Perandorak, me gradën gjeneral i brigadës së rojave shqiptare të SulltanAbdyl Hamidit II.[6] Përshkruhet nga një gazetar hungarez i kohës:[7]
Princi është një figurë e pashme mashkullore, vishet me teshat piktoreske të mirditorëve dhe rrallë e përmallë shihet i veshur alla-frënga. Është relativisht i ri dhe përpos gjuhës së vet, flet rrjedhshëm frëngjisht, italisht, anglisht dhe turqisht.
Më 1908 pas Revolucionit Xhonturk u kthye në atdhe, duke shoqëruar Ismail Qemali deri në Vlorë.[6] Kthimin e tij e përshkruajti frati françeskan Dodaj në ditarin e tij:[8]
«18.09.1908
Mbramjen e kësaj dite mbërriti në Shëngjin nga mërgimi Prenkë Pasha, nga ku para 27 vjetësh qe nisun për nji destinacion të panjoftun. ... Qysh në qershor Papa Luani XIII ka veprue pranë Sulltanit për kthimin e tij. Gja që do të kishte ndodhë nëse Austria nuk do t'ishte kundërvu në fshehtësi."
Kthimi i Dodës në Mirditë u shndërrua në festë të madhe, por sipas dëshmive të së pranishmes Edit Durham, pasha i veshur me uniformë osmane që mbante në kokë fes ndjehej si i zoritur dhe jo rehat me rrethanat e vendit të tij pas 30 vitesh, madje duke u tronditur nga habia e qitjes së pushkëve të fistarëve të tij tek po e prisnin.[9]
Më 1911 Preng Pasha u zgjodh deputet në parlamentin osman dhe i kishte shprehur shqetësime ambasadorit austro-hungarez për ndarjen e mundshme të viseve shqiptare mes Bullgarisë, Malit të Zi dhe Serbisë.[9]
Ismail Qemali e emëroi zëvendëskryeministër në qeverinë e tij. Në këtë post, Prenga nuk pati shumë kohë që të linte gjurmë, pasi qeveria ra.[10] Duke gëzuar mbështetjen e Francës, nga vera e 1913 nxitej prej saj që të krijonte një principatë katolike në Mirditë nën protektoratin frëng, propozim ky që nxorri sërish në skenë aspiratat për krijimin e një shteti kantonal. Këtë politikë e ndoqi gjer pa u caktuar Princ Vidi, i ndikuar nga kushëriri i tij Marka Gjoni se do të mund të bëhej princ i Shqipërisë me ndihmën serbe.[11] Në qeverinë pasardhëse të Turhan Pashës më 14 mars - 20 maj 1914, Prenga u emërua ministër i Punëve Botore. Sërish nuk pati shumë mundësi që të punonte, ngase problemet e kohës ishin drejtqeverisja dhe nuk kishte kohë për punët botore. Në qeverinë e dytë të Turhan Pashës, më 28 maj - 3 shtator 1914 e kishte ministër të Punëve të Jashtme. Prenga iu përgjigj Princ Vidit kur ky rrezikohej nga Kryengritja e Shqipërisë së Mesme.[10]
Në krye të bashibozukëve të mbledhur nga ai vetë në kazanë e Zadrimës, Lezhës dhe Mirditës ndërmori të vepronte kundër Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme. Por radhët e kësaj force u prishën rrugës dhe dolën dore nga qëllimi fillestar dhe kur u sulmuan nga rebelët në Ishëm, u zmbrapsën.[12] I ndodhur në Shkodër, ai u internua nga malazezët dhe u lirua në janar të 1916 me ardhjen e ushtrisë austro-hungareze. Pavarësisht se nuk mori pjesë në Kongresin e Durrësit, u thirr në qeverinë e Turhan Pashës duke u emëruar zëvendëskryeministër më 25 dhjetor 1918. Pak muaj më pas, i shoqëruar me konsullin anglez Eden duke kaluar në rrugën për Shëngjin, iu bë një pritë porsa kaluan lumin Mat: qëlluan veturën, ndërsa Preng Pasha çohet në këmbë duke u bërtitur "Më vritni mue e mos qitni mbi të huejt, se asht kundra zakonit tonë". Pasha me disa prej njerëzve të vet vriten, ndërsa konsulli anglez plagoset. Sipas dëshmive të mbledhura nga Sejfi Vllamasi dhe dokumentave arkivore ku mbështetet historiani Kastriot Dervishi, prita iu bë nga Çokajt e Bregmatës duke kërkuar gjakun e vrasjes së Gjeto Cokut tek Preng Pasha.[10][13] Me datën 26 mars u varros në Shkodër.[14]
Me vrasjen e tij, prijësia e Gjonmarkajve dhe e Mirditës i kaloi barkut të Lleshit të Zi, prejse martesa e tij me Luçien e Kolë Xhuxhës[15] (mbesën e Ndoc Xhuxhës)[16] nuk pati fëmijë. Parinë e muar gjegjësisht Marka Gjoni, i cili nuk çmohej edhe aq shumë pas ngjarjeve të revoltës kundër Princ Vidit.[2]
^Toksöz, Meltem; Kolluoglu, Biray (2014). Cities of the Mediterranean: From the Ottomans to the Present Day (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 136. ISBN978-1-84885-127-6.
^Bello, Hasan (2019). Shqipëria, Kisha katolike dhe Vatikani (nga fundi i shek. XIX - 1939). Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë. fq. 92–99. ISBN9789928261984.