Vetë emri i qytetit të Gjakovës vjen nga një gojëdhënë e cila njëkohësisht konfirmon edhe mbiemrin-patronimin e parë të këtij vendbanimi. Sipas gojëdhënës për emrin e qytetit të Gjakovës, në vendin ku gjendet sot qyteti, paska ekzistuar një katund prej shtatë shtëpish, të gjithë të një gjaku me mbiemrin Vula, ku kryeplak katundi ishte Jak Vula. Hoxha Hadum Aga e bindi banorin e parë Jakun që ta dhurojë tokën për ndërtimin e një xhamie, e më pas në atë tokë filloi të ndërtohet qyteti, i cili në fillim u quajt Jakovë (nga turqishtja: fusha e Jakut. Pra emri i qytetit, vjen nga emri i Jak Vulës. Familja Vula numërohet si ndër familjet më të vjetra gjakovare. Kjo histori i përket shek. XVI, gjë e cila tregon se para kësaj kohe, nuk kemi asnjë mbiemër-patronim të konfirmuar në këtë zonë.
Historia e Mbiemrave
Zhvillimi i mbiemrave tek shqiptarët thuhet se është bërë nga shek. XII-XX.[1]. Në rreth 5-6 shekuj histori, fillimisht janë pajisur me mbiemra shtresat e larta, më pas shtresat e hierarkisë fetare, ndërsa më vonë ka zbritur deri në shtresat e ulëta. Qëllimi fillestar i mbiemrave ka qenë për të dalluar njerëzit nga njëri-tjetri. Vetë Gjakova si vendbanim përmendet për herë të parë në 1594 kur përfundon së ndërtuari xhamia e Hadumit, hani, hamami dhe dyqanet përreth, ndërsa në vitet 1605-1606 asaj iu njoh statusi i Kasabhasë. Me vendosjen e pushtetit turk dhe me procesin e islamizimit, gjithmonë e në një numër më të madh njerëzish, fillojë të përhapet mënyra e identifikimit të vendasve si myslimanë-nënshtetas të perandorisë osmane, sipas formulës identifikuese: X i biri i Y, ku me kalimin e dekadave nën pushtim, edhe X edhe Y paraqiteshin gjithnjë e më tepër si emra islamikë: Asllani i biri i Hasanit, Mustafa i biri i Qerimit. Po kështu fillojnë të shfaqen edhe titujt administrativë fetarë, feudalë ose ushtarakë si p.sh.: Ali hoxha, Osman beu, Hysen spahiu.
Klasifikimi sipas pikëpamjes gjuhësore
Patronimet janë formuar në mënyra të ndryshme. Ato i japin larmi emrave të familjeve-mbiemrave të kësaj ane. I klasifikojmë në katër lloje:
- mbiemra që lindin nga zona (qyteti a fshati) e prejardhjes;
- emra prindërish të kthyer në mbiemra;
- mbiemra që tregojnë zanate, profesione, tituj e ofiqe;
- mbiemra të formuar në formën e nofkave e llagapeve etj.
Por mbeten një sasi sado e konsiderueshme mbiemrash për të cilët sistemi i sotëm gjuhësor nuk jep shpjegime, ndaj ata i klasifikojmë në:
- patronime të pashpjegueshme.
Mbiemra që lindin nga zona (qyteti, fshati, krahina) e prejardhjes
Në Gjakovë është shumë e pranishme kjo lloj mënyre e ndërtimit të mbiemrit, e cila tregon vendin (rajonin, fshatin a lokalitetin) se nga ka ardhur fisi ose familja në historinë e saj para disa gjeneratash. Për këtë arsye ata quhen mbiemra prejtoponimikë, si p.sh.: Arllati, Batusha, Bellanica, Bishtazhini, Bokshi, Brovina, Bytyqi, Cahani,Curri,Demjani, Deva, Dobroshi, Dobruna, Dula, Dujaka, Elshani (e mbajnë familjet të cilat kanë prejardhje nga fshati Helshan në Has të Shqipërisë), Gashi, Gërqina, Godeni, Gola, Goranci, Gllogjani, Hasi, Juniku, Kabashi, Kaçinari, Karadaku, Kelmendi, Korenica, Kusari, Kruma, Leti ose Letaj, Lipoveci, Luma, Mati, Morina, Oroshi, Oseku-Hyla, Ponosheci, Rakoci, Radoniqi, Rugova, Shala, Shllaku, Shkreli, Vokshi, Xërxa, Zhuri etj. Këto janë mbiemra aktivë tek gjakovarët e sotëm. Përveç këtyre emrave që i përkasin zonave të vogla si fshatra a lokacione të caktuara, janë të pranishëm edhe pse më rrallë emrat e qyteteve, si: Peja, Shkupi, Gjakova, Kaçaniku, Puka, Tropoja, Mirdita, Dibra/Dibrani, Shala.
Ndodh edhe që patronimi të shërbejë si saktësues për emrin vetjak pra saktësues për identifikimin e mëtejshëm të emrit. Në këtë rast patronimi vjen nga një etnonim: Boshnjaku (familje emigrantësh nga Bosnja), Gega (i trevave veriore), Osmani (familje të lidhura me Turqinë osmane por jo domosdoshmërisht me origjinë osmane), Muhaxhiri (familje të shpërngulura), Axhemi (në arabisht shenjon të gjithë ata që nuk janë arabë, pra janë të huaj), Çerkezi (pjesëtar i një kombi që ka ardhur tek ne si ushtar dhe ka mbetur aty), Saraçini (që lidhet me saracenët), Maxharri (familje e lidhur me Hungarinë). Mbiemri Maloku (banor i Malësisë, i ardhur nga malet) është shumë i vjetër dhe familjet që mbajnë këtë mbiemër kanë prejardhje nga zonat e rrethit të Shkodrës dhe Ulqin-Tivarit. Fiset shqiptare të cilët shtriheshin në këto zona e quanin veten ‘malok’, gjë e cila na jep të kuptojmë se nuk ishte aspak emërtim ofendues. Çlirim Bidollari mban mendimin se shqiptarët i kanë shtënë në punë me lehtësinë më të madhe emrat e vendeve, që nga atdheu i largët e deri tek fshatrat më të vegjël. Megjithatë ai mendon se ky lloj mbiemrash ka ardhur duke u tkurrur, pasi ka përjetuar disa kulme në shekullin 15-të, 19-të dhe vitet e para pas Luftës së dytë Botërore. Pikërisht në mesin e shekullit XX, ky lloj patronimi hyri në modë. Megjithatë në gjendjen e sotme të sistemit patronimik shqiptar, ky tip konsiderohet i mbyllur. Përdorimi i tij i zgjeruar vihet re edhe sot e kësaj dite në Gjakovë.
Emra prindërish të kthyer në mbiemra
Në pasurinë e përgjithshme të patronimeve shqiptare, mbiemrat e formuar nga emri i paraardhësit, konkretisht babës, përbëjnë rreth 40 përqind të numrit të përgjithshëm, dhe një tablo e tillë na del e pranishme edhe tek banorët e Gjakovës. Mbiemrat me zanafillë nga atësia kanë një arsye logjike të lindjes së tyre. Në këtë nënlloj patronimesh mund të dallojmë dy areale: areali katolik që shfaqet me trajtat karakteristike të emrave të krishterë; areali mysliman që përfshin emra dhe variante të tyre nga gjuhët orientale. Rastet më të shpeshtë të emrave të pararendësve të kthyer në mbiemra të pasardhësve në Gjakovë janë: Ahmeti, Leka, Jakupi, Kamberi, Gjergji, Kola, Gjoka, Nika, Deda, Malaj, (I)Brahimi, Isufi. Vendi dhe roli i këtij lloji patronimesh është i rëndësishëm nga vetë prania e shtuar gjë e cila njëkohësisht tregon edhe dendurinë e përdorimit.
Në të folmen e Gjakovës është karakteristik fakti i thirrjes së frymorëve me emrin personal të cilit i bashkangjitet edhe mbiemri ose emri i familjes. Kjo është një formë jashtë komunikimit formal e shkrimor, që përdoret në rrethe njerëzish e mjedise të ngushta, psh: X i Manxhukës, ose Y i Meqës, ku Manxhuka e Meqa nuk janë emrat e prindërve por mbiemri i familjes.
Tepër e pranishme në Gjakovë na del edhe ndajshtesa –aj, e cila në gjuhësinë tonë është pranuar si ndajshtesë e specializuar për formim patronimesh. A. Xhuvani dhe E. Çabej për ndajshtesën –aj vlerësonin se me këtë lloj prapashtese mundësohet formimi i patronimikave (Kolë-Kolaj, Lekë-Lekaj) dhe formimi i emrave të viseve a krahinave të cilat mandej janë përdorur si material furnizues për patronime të reja (Bardhaj, Zogaj). Rruga e formimit të patronimeve me –aj mendohet të ketë ardhur si rezultat i trajtës pas singularizimit të formës së shumësit: p.sh. Petriti i Dedajve > Petrit Dedaj". Sipas përdorimit praktik të patronimeve në Gjakovë, vërejmë se pjesa më e madhe e atyre patronimeve që dalin me –aj rëndom i përkasin mbiemrave të banorëve në zonat rurale ndërsa në zonat urbane gjejmë gjithashtu të njëjtat patronime por pa ndajshtesën –aj. Kështu psh, gjejmë dy variantet: Leka-Lekaj, Gjoka-Gjokaj, Mala-Malaj, Nika-Nikaj, Marku-Markaj etj. Na dalin edhe raste të mbiemrave të përngjitur: Gjonkolaj, Markagjonaj, Gjondedaj, Nduelleshi, Perkola, Perdoda, Dednikaj, Murakola, Lekmarku etj. Këto janë patronime dy a më shumë pjesëshe të cilët nuk mjaftohen vetëm me emrin e një paraardhësi por ndërtohen me emrat e përfaqësuesve të disa brezave. Kjo dukuri nuk ka ndodhur vetëm tek popullata e besimit të krishterë por edhe tek ajo myslimane. Mund të përmendim raste si: Sylafeta (Syl+Fetah), Bejtullahu, Ramazani, Ramadani, Shahsivari (kalorës, sipas Fjalorit të M. Ndrecaj); por mund të jetë edhe mbiemër i ardhur nga profesioni pasi shahsivari ishte ruajtës i rendit në Turqinë otomane), Avdiu etj.
Një vend të posaçëm zënë edhe shkurtesat, p.sh.: patronimi Hil-a vjen nga emri Mëhill, Nik-a nga Nikollë, Ndue ose Ndoc-i nga Anton, Avdiu ose Avdiaj nga Abdullah, Sula nga Sulejman, Rrusta nga Rrustem, Brahushi nga Ibrahim, Smajli nga Ismail, Musa nga Mustafa etj. Në lidhje me këtë lloj formimi patronimesh që është i përhapur tek të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm tek gjakovarët, Thimi Mitko tek “Bleta shqiptare” thotë se këta janë emra sikundër i kanë përdorur prindërit tanë që moti, pra duke ruajtur “me xhelozi” emrin e pararendësit ka lindur tendenca e mbiemërformimit.
Mbiemra që tregojnë zanate, profesione, tituj e ofiqe
Nga të gjitha ndarjet e onomastikës, më shumë ndikim nga ndikimi turk ka pësuar antroponimia, veçanërisht patronimia për arsye se procesi i saj nisi dhe mbaroi brenda sundimit osman. Për shkak të përfshirjes në sistemin feudal-ushtarak, terminologjia orientale u shtri gjerë e gjatë në të gjitha fushat prandaj edhe sot e kësaj dite ne trashëgojmë një ngarkesë të konsiderueshme orientale. Por është e çuditshme se si prapashtesat turke -xhi,- lli janë fare pak të pranishme në patronimet e Gjakovës: Rizvanolli, Çarkaxhiu. Për këtë tip patronimesh që tregojnë zanate e tituj, Bidollari konsideron se fillimisht ka shërbyer si karakterizues shtesë që i atribuohej njerëzve që ushtronin profesione të caktuara, zanate a funksione. Me kalimin e kohës, kur ky profesion bëhej i trashëgueshëm nga njëri brez në tjetrin, ai pasohej nga pasardhësit duke ‘detyruar’ të njëjtën gjë edhe për patronimin. Meqë zanatet a mjeshtëritë monopolizoheshin, sidomos zanatet fisnike, atëherë edhe trashëgimi i mbiemrit konsiderohej si një vlerë me peshë. Për familje a anëtarë familjesh që për një kohë të gjatë ushtruan një zeje, emri i zanatit u shndërrua në patronim pasi filloi të shenjojë familjen e ushtruesit të zejes, qoftë edhe kur ai e kishte lënë së ushtruari atë profesion. Të tilla janë patronimet: Terziu (rrobaqepës), Bakalli (shitës i gjësendeve të ndryshme), Tabaku (lëkurëpunues), Nallbani (mbathës i kuajve), Saraçi (pajisje për kuaj), Kazazi (përpunues i mëndafshit, i fijeve të arit, argjendit), Kovaçi (farkëtar), Sahatçija (orëndreqës), Çarkaxhija (për punimin e armëve), Furra (bukëpjekës), Kasapi (me therjen dhe shitjen e mishit), Haraçija (taksambledhës), Gërçari (baltëpunues), Berberi (rrojtar), Katona (mbiemër i shpërndarë edhe në vende të tjera si p.sh. në Ulqin – Katana, identifikohet si një mbiemër profesioni: punim i dryrëve dhe mjeteve mbyllëse) etj. Meqë në Gjakovë janë punuar dhe ushtruar me dhjetëra zeje të cilat janë trashëguar tek gjeneratat e reja, prej tyre kanë mbetur një numër i konsiderueshëm patronimesh. Por duhet cekur se jo çdo zeje a profesion ka lënë pas në ditët e sotme një patronim.
Kjo kategori paraqitet e pasur, me mbizotërim nga fjalët-rrënjë orientale. Në rastet më të shpeshta ato i takojnë jetës qytetare meqë zejet u zhvilluan brenda në qytet ku ishin rangjet e esnafëve.
Hoxha, Prifti dhe Shehu janë tre patronimet me burim nga tituj të hierarkisë fetare, më të përhapura tek shqiptarët. Prej të treve, në Gjakovë hasim vetëm dy: Hoxha dhe Shehu, që të dy të motivuar me përkatësinë fetare të patronimmbajtësit. Mandej vjen Dervishi, Mejzini, Haxhiu, Bajrami. Patronimi Meka mund të ketë lindur nga praktika islame e haxhillëkut. Si emra familjarë u përdorën edhe fjalë që i takojnë arsimit dhe jurisprudencës: Myderrizi, Myftiu, Qehaja (sekretar, shkrues). Është për t’u vërejtur se mes patronimeve në Gjakovë nuk shënohet asnjë rast i ekzistencës së patronimit Prifti. Kjo mbetet e pashpjegueshme për faktin se në këtë zonë jeton një përqindje e konsiderueshme e popullatës së krishterë, megjithatë patronimi Prifti nuk gjendet në asnjë rast.
Mbiemra të tjerë me ngjyrim fetar përmendim edhe: Babalia, Hafizi, Domi etj. Jo të rrallë paraqiten mbiemrat që shprehin një gradë ose titull ushtarak : Spahiu (epror, hierarki ushtarake), Shasivari, Çaushi, Veziri, Pasha, Imami, Aga(j)-Agani, Gazija, Begu-Begdushi (prej: bejlerë), Yvejsi, Zajmi (kreu i spahijve), Efendia (titull shoqëror), Myftari (kryeplak). Po ashtu vërehen raste të shumta të ndërtimeve kompozitë, ndërtimi i të cilave vjen në sajë të bashkimit të ofiqit me emrin personal. Ky tip funksionon sipas skemës: emër fetar + emër vetjak : Haxhismajli, Haxhimiftari, Haxhidauti, Haxhikadrija, Haxhibeqiri, Haxhiavdyli, Haxhishabani, Haxhijanuzi, Mullaademi, Mullajusufi, Mullaidrizi, Mullatahiri, Mullazenuni, Ymeraga, Dautaga, Hajdaraga, Hafizademi, Dervishdana, Axhanela, Babalia, Begdushi, Shehdadi, Shehdanjolli. Prania e këtij fondi në onomastikën e trevës së Gjakovës është dëshmi e rolit të madh që kanë luajtur këto besime fetare në jetën shoqërore të popullatës. Por po ashtu ajo është shenjë treguese e respektit të shqiptarëve për besimet fetare që ushtrohen nën frymën e tolerancës.
Identifikohen edhe mënyra të tërthorta të shenjimit të zanateve, profesioneve. Këto i paraqesim të strukturuara sipas elementit të cilin e shquajnë:
- Me anë të lëndës së parë me të cilën punohet: Qarri, Peni, Qymyri, Hima, Baruti, Seremi;
- Me anë të instrumentit a mjetit të punës: Koburja, Tullumi, Pallaska (mjet për vrasjen e mizave);
- Patronime metaforike në të cilat trajtimi merr një natyrë të dyfishtë: Dashi, Daci, Pula, Knusi, Zogu, Bylbyli, Magari (aktualisht mbiemër i zëvendësuar me tjetër), Misku (erëmirë).
Në lidhje me këto lloje patronimesh, mund të flasim qartë rreth kuptimit që kanë por jo edhe për rrethanat në të cilat emërtimi është kthyer në mbiemër të individit-familjes. Çabej, që në Konferencën e parë albanologjike pranon se parimi i emërtimit të njerëzve, përgjithësisht meshkujve, me anë të emrave të shtazëve, si dhe prejardhja e emërtimeve prej ofiqeve, janë një nga kriteret e emërtimit në shqipe. Këto lloj mbiemrash kanë marrë formën e epiteteve, me ngjyresa pozitive a negative të cilat me kalimin e kohës janë zbehur. Pas Beratit, mendohet se Gjakova është një nga qytetet që ka më së shumti “epitete” apo nofka. Ato janë krijuar nga situatat komike të krijuara aty për aty, për të cilat gjakovarët kanë pas gjithmonë afinitet. Këtë tip patronimesh e klasifikojmë në dy lloje:
- Patronime që vijnë nga fjalë që shenjojnë vetitë fizike a morale të njerëzve;
- Patronime që vijnë nga ofiqe/nofka dhe emërtime kafshësh.
Nga nënlloji i parë në Gjakovë hasim në patronime si: Qorri, Qeli (Danqeli), Topalli, Shyti, Komtrashi, Koka(j), Vogli, Dhomi, Buza, Barku, Grushti, Parashumti, Gojani.
Nga nënlloji i dytë, përveç se kemi një prani të konsiderueshme të këtyre rasteve, mund të themi gjithashtu se në to janë të pranishëm kuptimi i drejtpërdrejtë dhe ai metaforik. Dallojmë disa lloje klasifikimi:
- Nofka të bazuara në elemente ushqimore: Uflla, Sheqeri, Krypa, Ajroni, Pilavi, Speci, Purrini, Kumpiri, Kakiçka, Koc(k)a;
- Nofka të bazuara në emra shpendësh a kafshësh: Këndusi, Pula, Bylbyli, Vremçi, Pleshti, Klyshi, Karcylli, Huti, Dashi, Kingji, Magari, Bulli, Koci, Abrashi (kalë me lara);
- Nofka nga objekte: Bunari, Furra, Qerepi, Tullumi, Ballani, Koshi, Kupa, Dana;
- Shënjues me anë të një ngjyre: Kuqi, Bardhi, Kryeziu;
- Nofka me kuptim përbuzës: Hajni, Lugati, Katili, Qyrri, Paçavra, Burgija, Zarari, Xhuxha, Quki, Guzica (srb. - prapanica);
Një pjesë e mirë e patronimeve të lartshënuara, me kalimin e kohës janë zëvendësuar me patronime të rinj, me arsyetimin se pasardhësit e këtyre familjeve janë ndjerë të ofenduar në mentalitetin e ri të shoqërisë. Myslim Nagavci tek “E folmja e Gjakovës” vlerëson se nuk është e tepërt të tregojmë se gjakovarët jetojnë duke i përqeshur të metat e të tjerëve, duke u vënë njerëzve ofiqe të ndryshme sipas prirjeve, komplekseve. Bile në Gjakovë vlen thënia: “Më thuaj çfarë ‘llagapi’ ke, të të them se kush je”. Pjesën dërrmuese të këtyre nofkave, banorët ua kanë ngjitur njëri-tjetrit për t’i përqeshur ose fyer, në sajë të situatave të jetuara. Ja edhe disa nga mbiemrat-nofka të cilat mund t’i ndeshim tek banorët e Gjakovës: Zalli, Kamishi, Arapi, Dushmoni, Dudufenci, Luki, Tuli, Sariçka, Jaka, Todorza, Prushi, Lama, Guci, Gala, Mici, Xhibigjuki, Sina, Xharra, Pruthi, Këpuska, Gjoshi, Varaku, Caka, Dyla, Dula, Villa, Zeka, Zuka, Vala, Tafarshiku, Tara etj. Kjo nuk do të thotë se qytetet e tjera nuk kanë mbiemra karakteristikë por gjithsesi Gjakova shquhet dhe dallohet për mbajtjen e nofkave për mbiemër. Megjithatë tek gjeneratat e reja, nga njëzet vitet e fundit e këtej, vihet re tendenca për t’i zëvendësuar nofkat e pahijshme me patronime më të dinjitetshme.
Mbiemra me ndikim oriental
Patronimet me burim prej gjuhëve orientale mund të jenë të ardhura nga persishtja ose arabishtja, por në gjuhën shqipe kanë hyrë nëpërmjet turqishtes: Hoxha, Gjylgjyzari, Bajraktari, Rrustemi, Shahini, Duraku (në bazë të emrit Durak që në turqisht do të thotë “i qetë, i durueshëm”), Karakushi (kompozitë e krijuar nga gjuhët orientale që do të thotë "zog i zi". Kjo e dhënë mund të jetë tregues për prejardhjen fisnike e të lashtë), Binxhiu (Binexhi - turq. e vjetër, njeriu që di të shalojë atin-kalin e shalës), Binishi (një veshje e vjetër, e gjatë dhe e shlirë, xhybe, pallto e gjatë prej mëndafshi) etj.
Këto lloj patronimesh i gjejmë në përdorim të shtuar. Pra vihet re se ashtu si në toponimi, edhe në patronimet e vendasve në Gjakovë kanë lënë ndikimin e tyre gjuhët orientale si pasojë e sundimit të gjatë të Perandorisë turke ndërsa prania e ndikimit sllav vihet re në një masë shumë më të ulët.
Jo më kot e lashë për në fund edhe një tip patronimesh të cilat duke u nisur nga sistemi i sotëm gjuhësor, mbeten të pashpjegueshme. Pra këtu do të përfshij ato mbiemra për të cilët shqipja e sotme nuk jep shpjegime: Valla, Dalladaku, Fërdulli, Roka, Perjuci, Milla etj. Sot, sistemi patronimik funksionon me një larmi trajtash, duke marrë përsipër të identifikojë banorët e Gjakovës, dhe jo vetëm kaq, por edhe të tregojë origjinën e prejardhjes familjare të tyre. Mbiemrat e sotëm kanë lindur, ndryshuar e përshtatur në një rrugë të gjatë evoluive, duke u fiksuar në gjendjen e sotme e cila siç e pamë na paraqitet me një shumësi tiparesh dhe cilësish.
Referimet
- Migena Arllati, 2015 "Patronimet në Gjakovë, mbiemrat, emrat familjarë".
- Aleksandër Xhuvani, Prapashtesat e gjuhës shqipe, Studime gjuhësore, III, Prishtinë 1976 Çlirim *Bidollari, Hulumtime onomastike, Tiranë 2012
- Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Vëll. I, Prishtinë 1976
- Jusuf Shpuza, Përsiatje onomastike, Shkodër 2008
- Myslim Nagavci, Të folurit e Gjakovës, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”, Prishtinë 1969
- Thimi Mitko, Bleta shqiptare, Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar, nr. 2, Tiranë 1961
- ^ Çlirim Bidollari, Hulumtime onomastike, Tiranë 2012