Gjatë shekullit XVI-të, ndonëse ende nën pushtimin osman, u krijuan vepra të reja artistike në pikturë, në stilin pasbizantin. Personaliteti më i shquar i kësaj periudhe është Onufri.
Pikturat e tij dallohen për ngjyra të pasura dhe nuanca dekorative, për realizimin e tipave interesantë me gjendje tragjike, si dhe për futjen e disa elementëve etnografikë kombëtarë që do t’i shohim më qartë edhe te pasardhësit e tij; i biri Nikolla (shek. XVI-të) si dhe te piktorët e shquar David Selanicasi (shek XVIII-të), Kostantin Shpataraku (shek. XVIII-të), dhe te të më vonëshmit vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi (shek. XVIII-të), familja Katro (shek. XVIII-të) etj., që zbukuruan mjaft kisha në Shqipëri dhe në vendet fqinj.
Në Shqipëri është bërë edhe vazhdon të bëhet një punë e kujdesshme për veprat e artit pasbizantin pasi ato çmohen si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë më të pasur kombëtare. Vazhdojnë ende hulumtimet për zbulimin e autorëve të tjerë si dhe restaurimi i veprave të dëmtuara gjatë shekujve. Deri tani janë hapur disa ekspozita me vepra të këtij arti si në Paris (1975), Romë (1985), Nice (1993) etj të cilat kanë ngjallur interesa të shumta te specialistët e artit. Ekspozitat janë shoqëruar me botime të ilustruara dhe me komente të shumta nga shtypi i huaj. Krijimet më të çmuara të këtij arti ruhen në Muzeun e Artit Mesjetar ne Korçë, Muzeun Onufri Berat, Muzeun Hustorik Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Arteve si dhe në muze të tjerë në Tirane dhe qytete të tjerë të vendit. Në Korçë është ngritur edhe një muze privat, i vetmi deri tani në Shqipëri, që ruan një koleksion të pasur me vepra të artit pasbizantin.