Mustafa Hilmiu[1] i njohur si Muço Qulli (Leskovik, 1887 - Shkodër, 17 korrik 1915) ka qenë veprimtar i çështjes kombëtar, gazetar dhe botues. U pushkatua me Çerçiz Topullin nga malazezët kur administronin qytetin gjatë Luftës së Parë Botërore.
Biografia
Pasi ndoqi shkollimin e mesëm në idadijen e Manastirit, u thellua më tej në shkollimin e lartë në Stamboll po për veterineri në Baytar Mektebi (Shkolla e Veterinarisë).[2] U shqua në interpretimin e rolit të njërit prej personazheve të dramës Besa të Sami Frashërit, kur kjo pjesë u vu në skenë më 24 nëntor 1908 nga grupi amator teatral i studentëve shqiptarë të Stambollit.[3] Gjatë kohës që ishte student bashkëpunoi me të përkohshmen Arnavud, botuar nga Dervish Hima po në Stamboll.[4]
Pasi kreu shkollën e bajtarisë, u emërua nga autoritetet shtetërore me detyrën e veterinerit në Durrës. Në tetor të 1912 ushtria osmane e emëroi oficer veteriner. Më 18 janar 1911 njoftohet se ishte në Manastir, drejtor i një shoqërie aksionere në qendrën e vilajetit. Asokohe nis të botonte gazetën Drita në Manastir, e cila nisi të botohej në mars 1911 dhe pati jetë deri në funddhjetorin e 1912, të subvencionuar nga Ministria e Jashtme Austro-Hungareze. Pas 3 janarit 1913 u zhvendos në Elbasan, ku qëndroi disa ditë deri në majin e 1913. U emërua nënministër Arsimi i qeverisë së përkohshme të Vlorës si dhe nisi bashkëpunimin me organin qeveritar Përlindja e Shqipënies.[5] Më 4 prill 1914 nxorri gazetën Populli në Vlorë,[1] por gushtin e po atij viti iku për arsye të Kryengritjes së Shqipërisë Mesme. U vendos në Shkodër, ku nxorri Dritën e Popullit për vetëm një numër dhe më pas sërish Popullin,[6] gjithnjë e mbështetur nga austro-hungarezët.[7] Sejfi Vllamasi e përshkruan "organ i nacionalistëve, e subvencionuar prej Austrisë". U arrestua nga autoritetet ushtarake malazeze më 15 korrik 1915 dhe pas dy ditësh së bashku me Çerciz Topullin u pushkatuan fushën e Shtojit, pranë fshatit Golem të Shkodrës.[8]
Mustafa Qulli u shpall Deshmor i Atdheut ne vitin 2012.
Referime