Lumi Ishëm rrjedh përmes Shqipërisë Qendrore (74 km i gjatë; sipërfaqja e pellgut është 673 km2 dhe lartësia mesatare mbi nivelin e detit 357 m. Ai formohet nga bashkimi i Lumit të Tiranës, përrenjve Tërkuza dhe Zeza. Delta e tij ndodhet në Kepin e Rodonit (Kabo, 1990-91). Prurja vjetore mesatare e Ishmit është 20,9 m3/s, me modul mesatar të rrjedhjes prej 31,0 l/s/km2. Prurja maksimale është 1’980 m3/sek. Sasia kryesore e lëndëve të ngurta që transportohen në det është 2 milionë ton/vit. Ishmi ushqehet kryesisht nga ujëra sipërfaqësorë me mineralizim relativisht të lartë prej 461 mg/l. Temperatura e ujit luhatet nga 6,12 °C në janar deri në 24,7 °C në gusht. Ujërat e Ishmit përdoren për vaditje.