Degë e majtë e lumit Mirushë ishte lumi Banja, i cili buron rrëzë Gllamës dhe me ujin termal të vakët e të pastër, kalonte nëpër shumë oborre e shtëpi të lagjeve të para të qytetit. Me ujin këtij lumi, për një kohë edhe pas Luftës së Dytë Botërore,pos që ujiteshin kopshtet e shtëpive, banorët e përdornin atë edhe për pastrimin e rrobave. Edhe udhëpërshkruesit e kohës bëjnë fjalë për të dhe thonë, se në perëndim të Gjilanit, rrëzë Gllamës ndodhet një burim me një liqe të vogël, me ujin e ngrohtë shërues termal, nga i cili formohet lumi i quajtur Banja, uji i tij rrjedh nëpër qytet ashtu si edhe lumi Mirusha. Sipas tyre, lumi Banja nuk kishte shtratin e vet por pjesa më e madhe shkonte në një pjesë të qytetit nga shtëpia në shtëpi dhe me vija. Me të dalë nga qyteti, aty ku tani ndodhet tregu i gjelbër, një pjesë e këtij lumi kthehej me vijë për ujitjen e kopshteve të qytetit, kurse pjesa tjetër derdhej në lumin Mirushë dhe prej aty, me anë të jazit, shkonte në të djathtë për ujitjen e kopshteve, për thertoren e qytetit dhe Mullirin e Arapit, për t'u kthyer prapë në lumin Mirushë. Më 1951, afër burimit të Banjës u ndërtua pishina, vend rekreativ për larje dhe rrezitje të qytetarëve të Gjilanit. Po aty, pas një kohe është ndërtuar një pishinë me dimensione më të mëdha, e cila ishte në shfrytëzim deri afër viteve 60 të shekullit të kaluar. Mirëpo, me bartjen e ujit të "Banjës" në Kodrën e Dëshmorëve, pishina mbyllet, kurse në hapsirën e saj tani ndodhen objektet e KRUK-"Hidromoravës".[1]
Referime