Lucia Nadin është një studjuese italiane nga Venecia.
U lind në Venecia, u laureua në Padova për filologji (italisht: Lettere e Filosofia) me një tezë mbi traditën e tekstit të Dekameronit të Bokaçios dhe përvijoi studimet e doktoraturës duke i përfunduar më 1987. Është marrë me punë kërkimore dhe mësimdhënie në fakultetet e filologjisë të universiteteve të Padovës dhe Venecias dhe punoi për dhjetë vjet në një institut edukativ kërkimor në rajonin e Venetos. Nga 1995 e deri më 2000 dha mësim letërsi italiane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.
Ka patur edhe poste, përpos detyrave akademike, në Zyrën e Kulturës të ambasadës italiane si dhe në Institutin Italian të Kulturës.
Tani merret me punë kërkimore historiografiko-letrare në lëmin në fushën veneto-adriatike. Përpos gati 30 artikujve me karakter të specializuar mbi autorë dhe tematika të kulturës venete dhe italiane, nga shekulli i 14 e deri në atë të 20-të, gjatë angazhimit të vet në Shqipëri organizoi edhe ekspozitën hartografike mbi Arbërinë.[1]
Ka përgatitur botimin e "Statuteve të Shkodrës" duke nxjerrë në dritë tekstin nga Biblioteka e Muzeut të Venecies: një "monument" i historisë mesjetare të Shqipërisë.
Ka rindërtuar dukurinë e emigrimit shqiptar në krahinën e Venetos mes shekujve XV e XVI në librin "Shqiptarët në Venedik, mërgim e integrim 1479 – 1552". Ka studiuar traditën ikonografike të Skënderbeut në anijen e dukëve të Venecies, të famshme Bucintoro. Po punon mbi mërgimin e klerikëve katolikë në tokat e Republikës së Përndritur mes shekujve XV dhe XVI, në lidhje me porositjen e veprave të artit. Në vitin 2010 ka marrë titullin e qytetares së nderit të Shkodrës.
Referime
- ^ "Presentazione dell'ultimo libro della Prof.ssa Lucia Nadin". iictirana.esteri.it (në italisht). 2008. Arkivuar nga origjinali më 16 janar 2023. Marrë më 16 janar 2023.