Liridon Latifi (lindur më 6 shkurt 1994) është një futbollist profesionist shqiptar i cili luan si mesfushor i djathtë për klubin moldav Sheriff Tiraspol dhe kombëtaren shqiptare.
Karriera me klube
Skënderbeu
Latifi u transferua te Skënderbeu më 28 dhjetor 2014 në një marrëveshje tre-vjeçare, duke marrë numrin e tij të preferuar 27 për pjesën e dytë të sezonit 2014–15.[1] Gjatë prezantimit të tij, mesfushori deklaroi: "Objektivat e mi janë të njëjta me ato të klubit".[2] Latifi fitoi kampionatin në pjesën e dytë të sezonit; ai luajti gjithsej 18 ndeshje midist kampionatit dhe kupës, duke shënuar gjithashtu pesë gola, të gjitha në kampionat. Në përfundim të sezonit, Latifi e rinovoi kontratën e tij aktuale me klubin edhe për një vit tjetër.[3]
Sezoni 2015–16
Më 19 nëntor 2015, Latifi mori kartonin e kuq të parë në karrierë gjatë humbjes 2–1 jashtë fushe kundër Kukësit; ai u përjashtua nga gjyqtari për sjellje të dhunshme pasi ai sulmoi lojtarin kundërshtar Gledi Mici.[4] Për këtë veprim, ai u ndëshkua me pesë ndeshje pezullim nga komisioni i disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbolli.[5] Në fund të sezonit, ku Skënderbeu fitoi një tjetër titull, Latifi u emërua Talenti i Sezonit i Kategorisë Superiore nga shoqata "Sporti nga bashkon".[6]
Puskás Akadémia
Më 25 gusht 2017, Latifi u transferua në Hungari te klubi elitar Puskás Akadémia për 1 milion €.[7] Ai firmosi një kontratë katër-vjeçare me vlerë 30,000 € në sezon.[8] Latifi u prezantua në të njëjtën ditë, dhe pasi mori fanellën me numrin 27, deklaroi: "Do ta ndihmoj Puskás Akadémia të arrij objektivat e saj".[9]
Ai shënoi golin e parë me klubin më 25 gusht 2018 në një ndeshje kampionati kundër Paksi e cila u mbyll me një disfatë 3–1 jashtë fushe.[10] Më vonë, më 26 shkurt të vitit të ardhshëm, Latifi shënoi golat te parë në kupë në formë triplete në fitoren 3–1 në shtëpi kundër të njëjtit kundërshtar.[11] Ai u largua nga klubi në përfundim të sezonit 2018–19 pas një periudhe të vështirë në Hungari.
Sheriff Tiraspol
Më 24 qershor 2019, Latifi u zyrtarizua si lojtari më i ri i klubit moldav Sheriff Tiraspol.[12] Ai debutoi me ekipin më 5 korrik kundër klubit amator FC Sireți në ndeshjen e kthimit të raundit të 16-tave të Kupës së Moldavisë, duke shënuar një tregolësh në fitoren shkatërrimtare 15–0. Ekipi i tij u kualifikua për në raundin tjetër me rezultatin rekord 27–0.[13]
Referime