Për kontributin e tij të pasur në marrëdhënie ndërkombëtare është dekoruar nga Republika Franceze në vitet 1920 me urdhërin e lartë Grand Officier de la Légion d'Honneur.
Biografia
Leu në Berat në oxhakun e Vrionasve, djalë dëshiri i rilindasit Mehmet Ali pashë Vrionit dhe gruas së tij të dytë, Hysnije hanëm Vokopola.[1] Më 1890 i vdiq i ati, duke e lënë kësodore Iljazin jetim, kësodore u rrit në mesin e të bijëve të xhaxhait të tij, Aziz Pashës.[2] Në mjediset e shtëpisë mori mësime shqipeje nga mësuesi shkodran Kolë Kraja.[3]
Nxuri në ruzhdijen e vendlindjes,[4] shkollimin e mesëm e vazhdoi në idadien e Janinës, kurse shkollimin e lartë në shkollën e lartë të administratës "Mylkie" në kryeqytetin e perandorisë. Ku u diplomua më 1905.[5]
Pas Hyrrijetit, qe ndër vitet 1908-1911 kryetar i bashkisë së Beratit.[5] Më 1912 delegat i Kuvendit të Vlorës, ku u zgjodh dhe anëtar i Pleqësisë. Më 1914 anëtar i delegacionit shqiptar që i dorëzoi kurorën Princ Vidit.
Më 1914-1918 qëndroi në Korfuz ku e shoqja, Xhemile hanëm Dino, lindi djalin e tyre, Jusufin.
Më 1920 qe delegat i Beratit në Kongresin e Lushnjes, ku në qeverinë e dytë të dalur pas këtij Kongresi qe kryeministër dhe min. i Punëve të Jashtme. Iljaz bej Vrioni qe gjetje kompromisi mes palëve, qeveritë e tij disamujore u përqëndruan në politikën e jashtme për njohjen e plotë të pavarësisë së plotë të vendit, fqinjësinë e mirë. Në politikën e brendshme thirrja e organizatorëve të huaj për organizimin e degëve të administratës, planifikimin e të ardhurave, përparësia ndaj arsimit, hartimin e një projektligji për zgjedhjet parlamentare.[4]
Pas ndërhyrjes së ushtrive serbe më 1921, u krijua qeveria e dytë e tij në korrik si koalicion mes dy partive më të mëdha, Partisë Popullore dhe asaj Përparimtare - pjesë e së cilës ishte atë vit. Ambicia e disa njerëzve shkaktoi në tetor të po atij viti një interpelancë që rrëzoi qeverinë[4].
Më 1923-1925 rizgjidhet deputet, tashmë i prefekturës së Beratit.[6] Tashmë qe përfaqësues i grupit indipendent. Emërohet në qeverinë Vërlaci ministër i Jashtëm dhe më pas është kryeministër për djetë ditët para së të ndodhte Lëvizja e qershorit.
U largua nga Shqipëria, qeveria Noli e shpall në kërkim për arsye politike.
Rikthehet me Triumfin e Legalitetit, shërben si min. i Jashtëm në periudhën tranzitore prej dhjetorit 1924 gjer në janar të 1925 kur emërohet Imzot Gjergj Koleci.
Rikthehet si ministër i Punëve të Jashtme që më 12 shkurt 1927 dhe deri më 18 prill 1929, në një periudhë brenda së cilës kryen zëvendësisht edhe detyrën e ministrit të Drejtësisë. Nga 1929 e deri në 1932 qe ministër fuqiplotë në Britani dhe Francë për së dyti pas periudhës 1925-1926.
Ndërroi jetë nga infrakti në Paris, u varros në Berat.[4] Iu gatit një tyrbe nga usta Sinan Hasan Dibra ngjitur me Xhaminë e Plumbit të qytetit.[7]
Në vitin 1946, regjimi diktatorial do të zhvarroste eshtrat e ish-kryeministrit për t'i hedhur ato në lumin Osum të Beratit. Eshtrat vazhdojnë të mbeten të humbura duke e lënë ende këtë personalitet të vyer të kombit shqiptar pa varr.