Ibrahim Demolli

Ibrahim Demolli (lindi më 1928 në fshatin Obrançë) aktivist gjatë luftës së II-të botërore, anëtarë i LNDSH-Llap të gjykuar në Prishtinë më 1953.

Jeta

Shkollën fillore, katër klasë në gjuhën serbe, i kreu në fshatin Peran. Gjatë luftës së Dytë Botërore u regjistrua ne shkollën normale “Sami Frashri ” të Prishtinës.

Për shkak të luftës e ndërpreu vijimin e mësimit. Në vitin 1945 u regjistrua në kursin për edukatë fizike në Prishtinës, ku u përgatiteshin mësues për këtë lëndë mësimore. Por, Këshilli Popullor i Rrethit të Podujevës e emëroi nëpunës.

Ibrahimit kjo detyre nuk i flinte në zemër, sepse dëshironte të punonte në procesin arsimorë. Për këtë qellim i vijonte kurset pedagogjike gjatë verës, të cilat mbaheshin në Pejë.

Pas burgosjes së Mulla Abdullah Hoxhës, që ushtronte detyrën e kryetarit dhe ishte bashkëfshatar i tij vendosi të shkonte në shërbimin ushtarak.

Aty mori gradën e flamurtarit rezervë dhe më vonë gradën e nëntogerit rezervë. Në vitin 1949 u kthye nga shërbimi ushtarak. Me vendimin e Këshillit Popullor Krahinor u emërua mësues në Podujevë dhe më 1951 e mori diplomën e mësuesisë.

Sabit Kapiti dhe disa shokë të tjerë kishin vendosur të formonin një organizatë ilegale kundër Jugosllavisë. Ibrahimi këtë ofertë e pranoi me dëshirë. Pas përgatitjeve të nevojshme, më 28 nëntor 1949, në fshatin Obrançë, në shtëpinë e Rrahimit të Latifit, babait të Ibrahimit, u mbajt Kuvendi Themelues i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare të rrethit të Llapit.

Ibrahimi e dha betimin dhe u bë anëtarë i Organizatës së NDSh-së dhe me këtë akt e filloj punën e organizuar patriotike-politike. Në Organizatë ishte përgjegjës i Seksionit ushtarak të NDSh-së, sepse ishte i përgatitur për këtë detyrë. Në Seksion u miratua vendimi për kryerjen e dy atentateve, por për shkak të kohës dhe denoncimit ato nuk u zbatuan.

Ibrahimi ishte i angazhuar edhe në seksionin për veprimtari kulturo-artistike dhe ishte përgjegjës i Shoqërisë Kulturo-Artistike, e cila kishte edhe një radiostacion lokal. Ibrahimi kishte zë të bukur dhe i binte kitarës dhe çiftelisë. Njerëzit vinin nga fshatrat për të dëgjuar këngët popullore që këndonte Ibrahim Demolli.

Njëherit organizonte programe të cilat mbaheshin edhe nëpër fshatra : Dumnicë, Kërpimeh, Lluzhan, Orllan dhe të tjera. Të gjitha këto i organizonte Organizata e NDSh-së.

Punët i kryente me maturi. Dispononte me virtyte të larta morale. Ishte njeri i besës. Por, besën e tij e keqpërdorën Ndue Sokoli, i ikur nga Shqipëria, dhe disa të tjerë, të cilët e denonconin. Por, ia kishin edhe frikën dhe nuk guxonin t’ia përcillnin Sigurimit Shtetëror tërë veprimtarin dhe bisedat e Ibrahimit. Por, kur e burgosën ia shtuan denoncimet.

Vërtetë Ibrahimi bashkë me shokë kishte vendosur të shkonte në Belgjikë, por i zbuluan dhe nga Maribori u kthyen në Podujevë dhe më 28 gushtë 1952 edhe ai u burgos. Në hetuesi tregoi vendosmëri dhe nuk pranoi të denonconte shokët. E mbajtën në burgun e Podujevës dhe të Prishtinës rreth katër muaj në vetmi. E torturonin, por ai vazhdonte me të vetën. Edhe pse në burg nuk lejohej kënga ai, sa dilte nga vetmia dhe i vinte zëri, për të ngritur moralin e shokëve këndonte :

Kemi que një telegram,
Do të lirohemi për Bajram.

Milicia e burgut intervenonte dhe Ibrahimi sërish dërgohej në vetmi, nga e cila nuk ndihej zëri. Në procesin gjyqësorë më 9 qershor të vitit 1953 u dënua me pesë vite burg. Nga Prishtina për vuajtje të dënimit e dërguan në Nish. Kur doli nga burgu e vazhdoi veprimtarinë patriotike. Por, nuk u lejua të punonte në procesin arsimor`. Këtë dhimbje e vuajti gjatë gjithë jetës. Për të siguruar ekzistencën u punësua në ndërmarrje të ndryshme ekonomike në Podujevë.

Vdiq dhe u varros në fshatin e tij të lindjes në Obrançë më 27 qershor 1991.

Sigurimi Shtetëror, para se të burgosej Ibrahim Demolli më 28 gusht 1952 e kishin përcjellë punën patriotike të tij dhe kishin vendosur ta largonin nga puna. Në një dokument të UDB-së, në mes të tjerash shkruan: Ibrahim Demolli. - U lindë në vitin 1931 në fshatin Peran, Rrethi i Llapit. Babai i tij është Rrahimi, ndërsa e ëma Zyhria. E ka kryer shkollën fillore në vitin 1940. Deri në këtë vit nuk i interesonte politika. Gjatë luftës e ka vijuar gjimnazin e Prishtinës, deri në vitin 1944. Pas çlirimit ka vijuar disa kurse për traktoristë dhe për fizkulturë, ndërsa me vonë ka punuar si nëpunës në Këshillin Popullorë të Podujevës. Në vitin 1948 shkoi në APJ, ku u gradua flamurtar rezervë, ndërsa tash është nëntoger.

Nga ushtria u kthye në vitin 1950, kur edhe u emërua mësues ne Podujevë. Ibrahimi është mësues i dobët dhe nuk i kushton rëndësi mësimit më nxënës. Madje, gjatë orarit të mësimit shkon në Vushtrri dhe merret me kontrabandë. Si ai ashtu edhe familja e tij kanë qëndrim armiqësor ndaj të sotmes. Është shumë intim dhe shoqërohet shpesh me emigrant shqiptarë. Ibrahimi i mbante edhe q`çelësat e sallës së SHKA-së, ngase ishte udhëheqës i saj.

Pasi që në sallë ishte një radio, aty i dëgjonte të gjitha radiostacionet e vendeve të Byrosë Informative dhe të vendeve të tjera. I ftonte edhe emigrantët shqiptarë për t’i dëgjuar lajmet e ndryshme. Në jetën private është i pamoralshëm dhe familja e tij është ndër më reaksionaret në fshatin Obrançë, Babai i tij gjatë luftës ishte kryeplak i fshatit. Vëllai i tij, Latifi, atëherë ishte në formacionet “SS” dhe është plagosur në luftë kundër partizanëve, ndërsa vëllai tjetër, Musa, ishte agjent gjerman i Jahja Fushës, kryetar i Rrethit të Podujevës. Ai ishte i afërt edhe më Avdyl Hoxhën nga Obrança, të cilin e ka kushëri, që është nën ndikimin e tij.

Mbështetur në atë se çka u tha më lart, mendojmë se i përmenduri duhet të largohet nga puna, sepse nuk pritet që ky lloj armiku mund t’iu ofrojë nxënësve diçka pozitive.

Strategi Solo vs Squad di Free Fire: Cara Menang Mudah!