Gusharaveli, i njohur edhe si Dumsharaveli, është një valle shqiptaro-afrikane nga Ulqini, qytet shqiptar në Mal të Zi. Kjo valle rrallë performohet në dasma si vallet e tjera shqiptare, por është e pranishme në festivale dhe festa, lokale dhe kombëtare.
Historiku
Besohet se vallja ka një burim të vjetër. E kanë kënduar dhe vallëzuar me ritmin e harapëve (zezakëve) indigjenë të Afrikës, mu harapët e Ulqinit, ata të cilët janë marrë si skllevër nëpër portet afrikane dhe i kanë ruajtur në mendjen e tyre këngët dhe ritualet e e veta indigjene afrikane.
Harapët kanë pasur kafenenë e tyre “Trumbo” në Ulqin dhe aty ata janë tubuar dhe argëtuar. Vallet dhe ritualet afrikane i kanë zhvilluar deri vonë në fushën e tyre në Meteriz, që sot e ka emrin Fusha e Harapëve.
Pastaj, kjo valle është luajtur në ritualin vendas të “Surratave” (maskarada ose karnavali pranveror). Është luajtur nga familjet e harapëve, si në gazmende ashtu edhe në hidhërime. Në dasma atë e kanë luajtur ashtu siç u është kujtuar, ashtu si në Afrikë, në vendet nga i kanë prurë detarët ulqinakë.[1]
Gjatë lulëzimit të turizmit në Ulqinë, në gjysmën e dytë të shekullit 20, vallja ishte një atraksion turistik për turistët e huaj, kryesisht gjermanë.
Gusharaveli sot
Gusharaveli sot luhet si pjesë e Valles së peshkatarëve (ose Valles së detarëve), e cila është një kombinim i këngës O ti det dhe Gusharavelit. Në këtë kombinim është bërë zgjerimi i tekstit me disa fjalë dhe ka pësuar disa ndryshime në ritëm dhe vallëzim.
Teksti
Teksti i Gusharavelit i marrë nga libri Thesar popullor, i Hajro Ulqinakut.
Gusharaveli, jaraveli,
Gusharavata, jaravata!
Gusharavel, mas m' u ngërdheshv,
Se ta fus nji paravesh,
Ha, ha, ha!
Ha, ha, ha!
Gusharaveli, jaraveli,
Gusharavata, jaravata!
Gusharavel, mas m' u ngërdhesh,
Se ta fus nji flakaresh,
Ha, ha, ha!
Ha, ha, ha!
Gusharavel, çka je tërbu,
Qi sat pa m' ngërdheshesh mu?
Ha, ha, ha!
Ha, ha, ha!
Galeria
Shiko dhe
Referimet
Lidhjet e jashtme