Delos

Statuja antike të luanëve në Delos

Delos (gr: Δήλος) është një ishull grek që ndodhet në qendër të unazës së ishujve të quajtur Ciklade, afër ishullit Mykonos (Greqi). Delos ishte tashmë një faltore e shenjtë nga shekulli i dhjetë pr.e.s., shumë kohë para se mitologjia greke olimpiane ta bënte atë vendlindjen e famshme të Apollonit dhe Artemisës. Pika e tij më e lartë, Mali Kynthos, gjithashtu është kurorëzuar me një faltore të Dionisit. Legjenda thotë se Delosi, ishulli i Diellit, u shfaq në mes të valëve të detit kur hyjnesha shtatzënë Leto, e cila ndiqej nga Hera xheloze për shkak të lidhjes së saj me Zeusin, u strehua atje dhe solli në jetë fëmijët e saj binjakë, Apollon dhe Artemisë.[1] Delos është një ishull me 15 milje katrorë, shkëmbor dhe jopjellor, ku drita mbizotëron që në momentet e para të agimit deri në muzg. Nuk ka as male të larta, as hije pemësh. Rrënojat e vendbanimeve të Delosit — kolonat e mbijetuara nga mermeri, vendet e tregut, amfiteatri, tempujt, gjimnazi, si dhe pjesët e shumta të veprave të rëndësishme të artit mozaik — janë përhapur në të gjithë ishullin, duke dëshmuar historinë e lavdishme të ishullit. Banorët e parë të ishullit ishin Karianët, vendbanimet e të cilëve datojnë në mijëvjeçarin e tretë pr.e.s. Tukididi i identifikon banorët origjinalë si Karianët piratikë, të cilët u dëbuan përfundimisht nga mbreti Minos i Kretës.[2] Pasi Jonianët kishin mbërritur në ishull në fillim të shekullit të dhjetë pr.e.s., Delosi u shndërrua në një qendër fetare, ku u zhvillua tregtia, dhe u rrit ndikimi politik në vend. Në kohën e Odiseut, ishulli ishte tashmë i famshëm si vendlindja e perëndive binjake Apollon dhe Artemisë. Në të vërtetë, midis 900 pr.e.s dhe 100 e.s., Delosi ishte një qendër e madhe kulti, ku Dionisi është gjithashtu një dëshmi, si dhe titanesha Leto, nëna e Apollonit dhe Artemisës. Nga mesi i shekullit të gjashtë pr.e.s., Athinasit dominuan Delosin, sëbashku me pjesën më të madhe të ishujve të Egjeut. Në shekullin e pestë pr.e.s., gjatë vitit të gjashtë të luftës peloponeziane dhe nën udhëzimet e Orakullit Delfik, i gjithë ishulli u pastrua nga të gjitha kufomat. Përveç kësaj u dha urdhër (nga Orakulli) që askush të mos lejohej të vdiste ose të lindte në ishull për shkak të rëndësisë së tij të shenjtë dhe të ruajë neutralitetin e tij në tregti, pasi askush nuk mund të kërkonte pronësi përmes trashëgimisë. Një shprehuri tjetër e respektit fetar të Athinasve ndaj Apollonit, ishte festivali që organizohej për nder të perëndisë së ishullit çdo pesë vjet. Pas luftërave Persiane, Delos u bë terreni i takimit për Lidhjen (ligën) Deliane, themeluar në 478 pr.e.s. Kongreset u mbajtën në tempullin e tij, me një çerek të veçantë vendi rezervuar për të huajt dhe faltoret e hyjnive të huaja. Thesari i përbashkët i Lidhjes u mbajt këtu gjithashtu deri në vitin 454 pr.e.s. kur Perikliu e zhvendosi në Athinë.[3] Shtëpitë madhështore të Delosit me oborre dhe sallone të mëdha ishin zbukuruar me mozaikë mbresëlënës dhe dekorime murale. Sidoqoftë, ishulli nuk kishte ndonjë kapacitet prodhues për ushqim, fibra ose lëndë drusore, gjë që kërkonte importimin e tyre. Uji i kufizuar u përdor me një sistem të gjerë cisternash dhe ujësjellësish, puse dhe kullime sanitare. Tregu më i madh i skllevërve në rajonin më të madh gjithashtu është mbajtur këtu. Kontrolli athinas mbi ishullin përfundoi kur maqedonasit arritën në Delos në 315 pr.e.s. Prania e tyre shënoi pavarësinë e ishullit dhe rritjen dhe pasurinë e tij tregtare. Delos u pushtua më vonë nga Romakët që e shpallën atë një port të lirë, duke e shndërruar ishullin në një qendër të rëndësishme tregtare duke tërhequr Egjiptianët, Sirianët dhe Italianët. Gjatë luftës së iniciuar nga Mbreti Mithridati VI i Pontit (88 pr.e.s.), Delos u sulmua dy herë duke rezultuar në shpopullimin e ishullit dhe braktisjen eventuale të ishullit. Që nga viti 1990 ishulli Delos është pjesë e UNESCO-s.[4]

Delos

Referencat

  1. ^ Herceku, Nikolas (2021). Adhurimi i Diellit. ISBN 978-1-4583-5223-1.
  2. ^ Tukididi. Lufta e Peloponezit (në greqisht).
  3. ^ Tukididi. Lufta e Peloponezit (në anglisht).
  4. ^ "Delos në UNESCO" (në anglisht).

Strategi Solo vs Squad di Free Fire: Cara Menang Mudah!