"Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809)" [1] libër me autor Kristo Frashëri. Shtëpia botuese "Dudaj", viti i botimit 2009. Faqet e librit 80. ISBN 978-9994301249
Poema romantike “Shtegtimet e Çajlld Ha-roldit” së bashku me njoftimet që përmbajnë letrat e Lordit drejtuar nënës së vet dhe shënimet në formë ditari që ka mbajtur bashkudhëtari i tij Xhon Kem Hobhauz, përbëjnë lëndën e kësaj trajtese. Ato dëshmojnë sesi një poet romantik i pararojës letrare evropiane dhe shoku i tij, një i ri i kulturuar anglez, e shihnin Shqipërinë në fillim të shekullit XIX dhe sesi e gjykonin në atë kohë “Asllanin” e Shqipërisë, Ali Pashë Tepelenën. Për Bajronin, Shqipëria ishte një vend me bukuri natyrore të rralla ; shqiptarët njerëz të pashëm, trima, krenarë, me fustanella të bardha ; kurse Ali Pashë Tepelena një kapedan i egër por jo mizor, vezir por i pavarur, figura e tretë historike pas Aleksandrit të Madh dhe pas Skënderbeut. Nuk ka dyshim se në vizionin e Bajronit në “Çajlld Harold” mbi Shqipërinë, mbi shqiptarët dhe mbi Ali Pashë Tepelenën ka ndikuar kryesisht formimi romantik i tij. Si rrjedhim, ai e pikturoi botën e panjohur shqiptare si poet dhe si kureshtar, jo si vëzhgues kritik. Vetëkuptohet se as bota e pa njohur shqiptare, as veziri pak i njohur i Janinës nuk mund të zbardheshin vetëm gjatë një udhëtimi trejavor. Si rrjedhim, portreti historik i Ali Pashë Tepelenës mund të jetë i saktë vetëm nëse shqyrtohet dhe gjykohet veprimtaria politike, shoqërore, ekonomike, diplomatike, kulturore dhe administrative, e parë për tërë harkun kohor të jetës së tij derisa përfundoi me prerjen e kokës së tij dhe me asgjësimin e përpjekjeve të tij 30 e ca vjeçare. Për të plotësuar këtë zbrazëti, autori e mbyll trajtesën e vet me një vlerësim si historian mbi “Portretin historik të Ali Pashë Tepelenës”.
Referime
- ^ https://www.bksh.al/details/50867/